Kreu i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka zhvilluar ditën e sotme një takim me banorët e Kamzës, ku ka prezantuar kandidatin në kuadër të fushatës elektorale.
Lapaj u shpreh nga Kamza se ai dhe forca e tij politike nuk e dinë nëse do të arrijnë të marrin 71 mandate, por kërkojnë të bashkohen me qytetarët për të sjellë ndryshimin.
“Politikanët shkojnë nga një qark në tjetrin dhe gënjejnë. Këto nuk janë zgjedhje, janë referendum. Ta shembim këtë sistem, ta bëjmë njëherë e mirë ndarjen e madhe. Të ndërtojmë një republikë për qytetarët. Mendojeni me shumë maturi punën e zgjedhjeve. 12 maji do të ndajë historinë e Shqipërisë. Kamza është shembulli i keqpërdorimit të politikës , ju lanë pa legalizime, pa trotuare, pa lulishte, pa shkolla, e të tjera. Prandaj, ndëshkojeni me votë. Ju kërkoj me përulësinë më të madhe: bëni ndryshimin! Na mbështetni, ta çajmë sistemin. Ne nuk merremi me fyerjet e të tjerëve, por nuk do t’i lëmë të na shkelin. Nuk e dimë nëse do të arrijmë 71 mandate, por do të tregojmë sa vlen lëkura jonë me deputetët tanë. Forca, bashkimi i madh! Forca, Kamza! Ky vend ka shpresë dhe e dimë që do t’ia dalim. Do të luftojmë pa kthim. Mirënjohje të pakufishme,” – u shpreh Lapaj.
Komente
