Drejtuesi i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, u shpreh sot se nëse votat e forcës së tij politike do i duhen njërës nga partitë e mëdha për të bërë qeverinë pas 11 majit, nuk do ua japë, por do e çojë vendin në zgjedhje të parakohshme, për të zhvilluar zgjedhjet e para të ndershme në Shqipëri.
Dhe nëse Rama apo Berisha i fitojnë ato zgjedhje të ndershme nën qeveri tranzicioni, atëherë ai do u shtrëngojë duart të dyve dhe do vijojë të bëjë opozitën.
Lapaj ishte i ftuar sot në ‘Studio Live’ në Report Tv, teksa shpjegoi programin politik dhe elektoral të koalicionit që drejton bashkë me Endri Shabanin, ecurinë e fushatës deri tani dhe problematikat.
“Në zhvillojmë takime të përditshme, 3-4 çdo ditë. Programi ynë është i qartë, për të çliruar Shqipërinë. Sistemi është marrë peng nga dy partitë e mëdha dhe kanë vendosur mure të mëdha dhe kanë penguar forcat e reja politike. Ne po tentojmë e synojmë ta shembim këtë mur të lartë dhe ta çajmë. Diaspora mbetet për t’u parë, kemi punuar shumë, kemi hartuar edhe ligjin që e kemi çuar në Kuvend dhe kemi luftuar shumë fortë për këtë. Por kjo mbetet për t’u parë më tej”, tha ai.
I pyetur nëse do i bashkonin votat e deputetëve që do fitojnë më 11 maj për qeverinë e re, Lapaj e mohoi kategorikisht.
“Ky vend nuk ka nevojë për paterica të radhës që i shërbejnë njërës apo tjetrës parti. Tashmë e dimë se në këtë vend hidhen lekë për blerje votash, administrata angazhohet në zgjedhje, të fortët bashkohen me partinë në pushtet për t’u angazhuar me votimet. Ne do kërkojmë dhe kemi marrë si vendim që me votat tona nuk do shkojmë në qeverisje, por do e çojmë vendin në zgjedhje të parakohshme. Pra për t’i dhënë vendit një qeveri, zgjedhje të lira e të ndershme.
Do jepet mesazhi se administrata s’do përdoret më për zgjedhje dhe të fortët nuk do kenë më mbështetjen e partisë në pushtet për të manipuluar vota apo për t’i blerë ato. Ne do e çojmë zgjedhje të parakohshme, me qeveri tranzicioni, Shqipëria ka nevojë të ndahet njëherë e mirë nga ky tranzicion i stërgjatur dhe gjendjen ku ndodhet Shqipëria”, u përgjigj kreu i “Nisma Shqipëria Bëhet”.
Ai iu përgjigj edhe videove të animuara ironizuese të kryesocialistit Edi Rama, që e deklaron të lidhur me Sali Berishën apo si “qilima fluturues”.
“Rama duhet të përgjigjet se mbi ç’financa i bën videot e animuara për mua, që më sulmon? Duhet të japi shpjegime ekonomike. Ata na kanë frikë, ndaj na sulmojnë. Pas zgjedhjeve të drejta, nëse fiton Rama do i shtrëngoj dorën, ashtu sikurse edhe Berishës, do u them “bravo që i fitove” dhe do vijoj të bëjë opozitë. Fakti se thonë se je i njërit dhe tjetrit, do të thotë se ne jemi në rrugën e drejtë”, u shpreh Lapaj.
Lapaj shpalosi edhe objektivin.
“Unë nuk kam hyrë për të humbur, por për të fituar. Nëse gjërat janë mirë, s’do marrim mandate, nëse janë keq do marrim diçka dhe nëse janë shumë keq, do marrim shumëçka. Kjo do varet nga vota që do marrim nga shqiptarët. Por unë kam hyrë për të fituar, nuk hyj për asgjë në zgjedhje. Shqipëria është më keq se El Salvadori”, nënvizoi ai.
Lapaj foli edhe për blerjen dhe identifikimin e votës. Ai dha lajmin se tani është hequr numri serial nga fleta e votimit siç ndodhte deri tani dhe që çonte në identifikimin e votës dhe rrezikun te qytetarët për t’u identifikuar.
Lapaj tha se tani kjo votë është e paidentifikueshme si dikur, pasi tani edhe KQZ e ka hequr numrin serial.
“Fleta e votimit nuk ka më numër serial si dikur, nuk identifikohet më. Nuk ka mekanizëm për ta identifikuar, kemi punuar me qetësi për këtë gjë dhe po e them tani. Falenderoj dhe zotin Ilirjan Celibashi që u arrit kjo, njerëzit të mos kenë më siklet. Të shkojnë te kutia e votimit e të votojnë të qetë pasi vota nuk identifikohet më si dikur, nuk ka më numër serial. Qytetarët të denoncojnë blerjen e votës, të mos heshtin, të shkojnë në SPAK dhe të kallëzojnë. Organet e drejtësisë të bëjnë çdo gjë, të veprojnë deri në fund. Ata që do ndërhyjnë do gjejnë belanë, do vëzhgohen, votat numërohen dhe skanohen. Nuk u ndahemi, as Rama nuk do i mbrojë dot. Të mos bëjë njeri aventura. Të mos e kthejnë votën në mall tregu, mos e shisni votën, i bëj thirrje qytetarëve që të mos e bëjnë këtë gjë e të mos ecin me tifozllik. Këto nuk janë zgjedhje, por referendum”, apeloi Lapaj.
Komente
