Sali Berisha ka mendësi staliniste me qasjet e tij ndaj argumenteve politike në Shqipëri dhe kundër tij nuk pritet të dalin grupe apo figura të reja, ashtu sikurse as mund të mendohet largimi i tij nga PD për të respektuar pikërisht atë statut që votoi në Kuvendin e partisë si “Neni Basha”, pas humbjes së zgjedhjeve të 11 majit.
Kjo ishte analiza e bërë sot në ‘Studio Live’ nga Namir Lapardhaja, i ftuar i moderatorit Arbër Hitaj në Report Tv për situatën paszgjedhore dhe politike në vend.
Analisti tha se partitë e reja e humbën shansin e tyre në zgjedhje, që ishte bashkimi që do u jepte trefishin e mandateve, ndërsa shpresën e vetme të vendit dhe qytetarëve sheh pikërisht Drejtësinë dhe SPAK, që të çojnë më tej punën e nisur të tyre.
“Berisha dhe PD u përballën pas 11 majit me atë që gatuan gjatë fushatës dhe para saj dhe do vinte dita e përballjes me të vërtetën dhe humbjen. Premtuan se do rrëzonin Ramën dhe s’e bënë dot, premtuan një opozitë të fortë të bashkuar, s’e bënë dot, premtuan PD të fortë dhe fituese, s’e bënë dot. Këta po gjejnë justifikime dhe alibi, jo se nuk kishte probleme, por këta kishin premtuar se nuk do i lejonin dhe nuk do ndodhnin. Pra PD nuk i parandaloi dhe tani po kërkon justifikime. Këto zgjedhje të 11 majit 2025 janë më të mira se ato të vitit 2021. Por nga ana tjetër që nga 2021 dhe deri tani, Berisha dhe njerëzit e tij nuk kanë fituar asnjë garë. Madje krahasuar edhe me rezultatet e Bashës dolën më keq se ai më 2021, më pak vota dhe mandate, janë më të pashpresë se kurrë. Nuk po them se nuk pati problematika, ankesa, raportime, por këta nuk arritën t’i dilnin zot vendit dhe PD-së, edhe pse e premtuan, duke e përdorur edhe si slogan. As Basha nuk përdori këto justifikime që po bëjnë këta. Ne pamë se më 2021 si në rastin e Durrësit pati probleme me deputetin e vendosur në listë, kurse këtë herë ka vetëm pretendime”, tha Lapardhaja për Report Tv.
Në lidhje me statutin e PD-së mbi ‘nenin Basha”, analisti ndau mendimin se Berisha nuk largohet nga PD, pasi edhe deputetët e zgjedhur i ka më besnikët, por edhe forumet apo strukturat janë ose militantë me mendësinë e tij staliniste, ose kanë frikë nga presionet, edhe siç ka ndodhur.
“Berisha vetë e bëri në Kuvend nenin e famshëm për largim të kryetarit humbës, tani të shohim se çfarë do bëjnë forumet, por duket se militantët kanë nevojë për Enverin e tyre, Berisha do duket sikur ka ardhur nga sipër, forumet do heshtin, sepse forumet janë vetë Berisha. Është një film i parë më herët, kështu është edhe historia e Sali Berishës, dihet fundi për këtë rast. Sipas statutit të PD-së Berisha nuk është më kryetar i PD-së. Nëse do ai le të vazhdojë të rrijë, por me statutin që votoi vetë, ai nuk është më kryetar. Nëse vendos ta shkelë, sepse edhe listën e deputetëve që ka zgjedhur dihet se janë besnikët e tij, ndaj e shoh të vështirë jo vetëm largimin e Berishës, por edhe reformimin dhe analizën e PD-së, për shkak të vetë atij”, u shpreh Lapardhaja.
Madje ai shkoi më tej, duke thënë se “Berisha ka mendësi staliniste” dhe ai është problemi i vërtetë i PD-së, por edhe pse strukturat dhe drejtuesit e dinë këtë, nuk kanë çfarë të bëjnë nga frika, sepse në një rast edhe iu desh të “kërcenin vallen e tij’.
“Berisha është problemi i PD-së. Vetë ai e kupton se është problemi, edhe grupi i deputetëve dhe strukturat e dinë se ai është problemi, por ngrenë supet dhe thonë ‘s’kemi çfarë të bëjmë’. Mënyrat parapolitike e staliniste e bëjnë që këto grupe të stepen të kenë frikë, madje pamë edhe para zgjedhjeve deputetët që kërcënim. Në grupin parlamentar të PD-së nuk ka figura të reja. Kurse jashtë tij mendoj se janë pa peshë. Nga ana tjetër mos harrojmë edhe situatën e frikës që ekziston aty, madje edhe te Berisha shkuan ata që ishin sharë dhe akuzuar deri në vrasës dhe menjëherë pas afrimit të tyre akuzat pushuan apo u amnistuan nga të gjitha gjërat e tjera. Nuk mendoj se do ketë grup serioz brenda PD-së për ta nxjerrë në pension Berishën. Berisha kështu e ka, një herë akuzon SPAK, njëherë grupimet, sot akuzoi partitë e reja. Ai përditë ndryshon qasjen dhe argumentet. Ai bën një qasje staliniste kur akuzon partitë e reja, apo qasje puniste, e vetëm kjo mjafton që ai të mos jetë aty ku është”, vijoi ai.
Në lidhje me akuzat që kreu i PD-së hodhi sot ndaj partive të reja, analisti shpjegoi se ky argument nuk qëndron dhe se Berisha e ndërron qasjen e tij nga dita në ditë për çështje të ndryshme, duke u bërë i paparashikueshëm.
“Ato janë vota edhe kundër qeverisë së Ramës, por edhe kundër Berishës në krye të PD-së. Nëse e ke ditur paskan peshë e marrin vota për deputetë, ti ke përgjegjësi, detyrë permanente që të bënte përpjekjet për bashkim. Edhe pse ata e kishin deklaruar se nuk shkonin te Berisha, pasi rrezikonin të mos merrnin aq vota. E vetmja rrugë për të krijuar mesazh të qartë te opinioni shqiptar ishte bashkimi i një fronti të përbashkët të partive të reja. Sepse ata duhet t’u ofronin shqiptarëve shpresë, atë që kërkojnë edhe qytetarët. Dhe po të ishin bashkuar, do kishin prodhuar të paktën 3-fishin e mandateve që morën”, argumentoi Lapardhaja për ‘Studio Live’.
Por a do vazhdojë misioni i forcave të reja, apo do shuhet dhe a ka shpresë se politika shqiptare do të ndryshojë?
“Misioni politik i forcave të reja mendoj se do vazhdojë, edhe pse ka edhe konflikte mes tyre që i pamë gjatë fushatës dhe i zgjidhin vetë. Shqipëria ka nevojë për një politikë jokonfliktuale, që të mbështesë drejtësinë. Pasi e pamë se ditën e dytë që PS fitoi zgjedhjet, ministri i drejtësisë shkoi te SPAK për t’i treguar se si bëhet hetimi. Por edhe mbyllja e karrierës politike nuk është fundi i botës. Rama ka pasur probleme me qeverisjen në mandatet e tij, sepse pushteti të korrupton dhe pikërisht për këtë shkak mendoj se ai bëri edhe rinovimin e listës së deputetëve, duke e rifreskuar”, tha ai.
Lapardhaja nënvizoi se ajo nga e cila presin qytetarët më shumë se politika, është pikërisht Drejtësia dhe SPAK-u.
“Do shohim nëse SPAK do shkoj deri te Rama dhe familjarët e tij, pasi një pjesë e madhe e zyrtarëve dhe ministrave janë nën hetimin apo verifikimin e SPAK e drejtësisë. Por nëse do rritet kontrolli i pushteteve, arroganca dhe problematikat mendoj se do jenë më të shumta. Me interes dhe rëndësi është ajo që pritet nga SPAK-u, nëse Prokuroria do shkojë deri në fund çështjeve, sepse pjesa tjetër është një film i parë. Kjo është në të mirën e qytetarëve, vendit, por edhe qeverisë. Pra të kenë frikë nga drejtësia, pasi i shërben edhe buxhetit të shtetit dhe më pak problemeve”, përfundoi ai.
Komente

Votimet e shqiptare 2025: triumfuan Listat e Erreta te Kryetareve te Partive Bolshevike. Cfare ndryshoi? Humbi Salih Berisha? Jo, "Legjendari i Vicidolit" me Shtabin e tij te Pergjithshem te Gangstereve Politike do te dalin perseri ne ringun e Kuvendit te Shqiperise. Shikim te kendshem!
PërgjigjuO Lapardhaje fol per vete jo per popullin , populli I ka humbur shpresat nga skapi per deri sa le perjashte sali , lulzim , fatmir , noken , vokshin , bardhin e te tjere .Do ta shohi dhe sovranin skapi .