Politikë

Lapardhaja për Report Tv: Berisha nuk bind më, s’e ndjek askush në betejat e tij imagjinare dhe donkishoteske! Ai gjithmonë i ‘lan duart’

20 Qershor, 13:42| Përditesimi: 20 Qershor, 13:57

  • Share

Problemi kryesor i Sali Berishës pas zgjedhjeve të 11 majit është se ai nuk bind më as të vetët në PD, përveç atyre më ithtarëve dhe besnikëve.

Jo vetëm nuk krijon kauza, por shpik edhe beteja imagjinare donkishoteske edhe pas refuzimit masiv që qytetarët shqiptarë i bënë në zgjedhjet e përgjithshme.

Ky ishte konkluzioni i analizës që bëri sot politologu Namir Lapardhaja në emisionin “Sot, Live në Shqipëri” të Report Tv, duke vënë theksin tek kauzat e reja qytetarë që duhet të përqafojë lidershipi i PD-së dhe që të mos e ndjekin më kryetarin e tyre që i ka çuar nga humbja në humbje, deri te më e keqja e historisë së saj, më 11 maj.

Për të, Berisha gjithmonë shpik kauza edhe pasi humb të parat dhe për më tepër, “gjithmonë lan duart” (si Ponc Pilati).

“Berisha gjithmonë i lan duart. Në fund të ditës, nuk është hera e parë, por PD në këto momente duhet të tregojë lidershqip. Rinumërimin e kanë kërkuar kandidatët. Nëse në Tiranë po shfaqen ndryshime të vogla dhe të karakterit njerëzor, siç u tha edhe nga përfaqësuesit e PD në KAS, në Durrës ka pretendime serioze brenda PD-së se ka qenë i organizuar procesi i numërimit dhe devijimit të votës dhe kjo mbetet për t’u parë. Por PD duhet të ketë lidership, ka moment kur thuhet stop, nuk mund të ndiqet çdo kauzë, duhet të ketë reagim”, tha Lapardhaja.

Ai nuk beson tek deklaratat e Berishës për protestat popullore, pasi ato mbeten gjithnjë beteja pa kauza konkrete qytetarë të besueshme, por vetëm të një grupi militantësh që opozita i ka pasur edhe në ditët më të vështira të saj. Politologu theksoi se Berisha pati një kauzë tek e cila më 11 maj qytetarët shqiptarë nuk besuan dhe e refuzuan masivisht dhe tani ai nuk bind më.

Të vetmit që bind Berisha janë deputetët e tij besnikë, të cilët edhe kur BE thoshte se besonin te drejtësia e re, ata protestonin në Strasburg kundër SPAK e GJKKO.

“Ne protesta kemi parë edhe para zgjedhjeve, edhe para vulës, edhe në Strasburg ku deputetët e PD-së lanë nam. Ndërsa Strasburgu thoshte se kemi besim te SPAK e GJKKO, këta bënin protesta atje dhe i sulmonin, përfshi edhe deputetët e moderuar të PD. Protestat nuk sjellin asgjë e nuk do sjellin asgjë. Berisha ka humbur besimin, ka pasur edhe njerëz në PD që e besonin kauzën e Berishës, por ai doli më keq. Tani nuk ka më kush e ndjek Berishën në betejat e tij imagjinare e donkishoteske brenda dhe jashtë vendit. Sepse edhe protestat e fundit ishin pa efekt dhe pa preteks. Protesta ka kuptim kur qytetarët ngrihen kundër qeverisë dhe përqafojnë kauzën e një opozite të pastër, kjo po do kishte kuptim. Po nëse mbledh 5 apo 10 mijë vetë në shesh, kjo dihet, PD i ka pasur gjithmonë në tre dekada pluralizëm, por për protesta që kanë interes qytetar, jemi shumë larg kësaj kauzë. Por ndreyshe nuk ka si shpjegohet rezultati i 11 majit nëse do të kishte kauza konkrete qytetare”, analizoi ai për Report Tv.

Problemi kryesor sipas Lapardhasë, është se Berisha tani është bërë plotësisht i pabesueshëm edhe brenda partisë së tij, ku zhgënjeu shumë demokratë.

“Ai tha edhe që farsa ndodhet në kuti, ndërkohë që farsa në kuti zbehu edhe këtë farsën e këtyre me rinumërimin, te PD. Zgjedhjet kanë problematika, shteti ka vënë makinerinë e tij në zgjedhjet e 11 majit, por problemi është që në vend që PD të trajtojë problemet thelbësore të 11 majit, merret me gjëra pa vlerë. Problemi kryesor është se qytetarët shqiptarë nuk kanë besuar dhe përkrahur kauzën e Berishës më 11 maj dhe ndaj është ai rezultat i thellë. Por edhe PS është refuzuar më 11 maj për hir të së vërtetës, sepse mazhoranca mori më pak vota, por është sistemi zgjedhor dhe Berisha që sollën këtë rezultat”, përfundoi politologu komentin e tij për situatën e fundit politike dhe paralajmërimet e Berishës se opozita do rinisë protestat antiqeveritare.

A.Q/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Çmimet më të larta se në BE, a mendoni se duhet të ndërhyjë qeveria?