Politikë

Lapardhaja për Report Tv: Nëse Berisha nuk largohet, PD do humbasë si ‘kripa në det’! E mban peng partinë për halle personale!

30 Maj, 13:46| Përditesimi: 30 Maj, 14:14

  • Share

Nëse Sali Berisha nuk dorëhiqet dhe largohet nga partia, PD-ja do të marrë humbje edhe më të thella, madje do të “shkrihet si kripa në det”.

Reformimi i opozitës dhe shanset e saj për t’u rikthyer ndonjëherë në pushtet janë të lidhura vetëm tek largimi i figurave të vjetra dhe afrimi i fytyrave të reja intelektuale dhe që kanë besimin e qytetarëve.

Kurse beteja për pretendimet e farsës elektorale është një justifikim dëshpërues nga Berisha, me qëllim që të mos largohet nga PD-ja dhe ta mbajë peng atë për hallet personale, pas humbjes së thellë të zgjedhjeve të 11 majit.

Kjo ishte analiza politike që bëri në emisionin “Sot, Live në Shqipëri” të gazetarit Nertil Agalliu, analisti Namir Lapardhaja.

“Sjellja e PD bëhet që Berisha të mos përballet me përgjegjësitë e humbjes së zgjedhjeve të 11 majit. Lëvizjet e PD-së më duken dëshpëruese dhe se po kërkon alibi për humbjen e 11 majit. Lëvizjet e PD-së janë justifikuese dhe dëshpëruese. Nuk e di sa do reformohet PD-ja pas këtyre zgjedhjeve edhe pse duket e vështirë, do uroja që të ndodhte edhe pse kërkon një kohë shumë të gjatë si proces. Nëse do e arrinin, mendoj se zgjedhjet e ardhshme politike mund të ishin edhe alternativë për të gjithë spektrin politik. PD është në krizë të thellë, ku qartazi reflekton mungesa e analizës. Nëse do bëjnë një lojë të madhe përtej egos së tyre personale, duhet të bashkohen si faktor opozitar. Nëse do vazhdojnë me këtë ego dhe personalizim, mendoj se zgjedhjet e ardhshme do humbasin si kripa në det”, shprehet analisti për Report Tv.

Ai mendon se PD më shumë humbet me Berishën në krye sesa pa të. Një shembull kokëfortë sipas analistit janë zgjedhjet e vitit 2021, ku ish-kryetari Lulzim Basha iu afrua me 30 mijë vota PS-së dhe humbi vetëm për detaje të vogla politike dhe elektorale.

“Nëse e lidh fatin e Berishës me PD-në fiton vetëm i pari dhe humbet partia. Provo ta heqësh Berishën nga PD dhe të vendosësh kandatë intelektualë, që përfaqësojnë qytetarët dhe që morën vota, do shihet ndryshimi. Ka një mungesë shprese ndaj edhe shumë nga qytetarët dhe përfaqësuesit zgjedhin të ecin me qeverisjen sesa të bëhen pjesë e një formacioni të tillë të drejtuar nga liderë të vjetër, përfshi edhe Berishën. PD ka nevojë për lëvizje nga të rinj”, vijoi diskursin analitik Lapardhaja.

I pyetur se edhe Basha dështoi nga 2013-2021, ai vuri në dukje se me Berishën demokratët morën edhe humbjen më të thellë historike dhe ai është figura që duhet të dorëhiqet dhe i shkakton dëm më shumë partisë.

“Koha tregoi se jo vetëm nuk është drejtuar nga Lulzim Basha, por të gjitha vendimet treguan se janë marrë nga Sali Berisha. Megjithatë duhet thënë se më 2021 Basha e çoi opozitën dhe PD-në vetëm 30 mijë vota pranë mazhorancës, duke marrë një rezultat të mirë edhe me këtë Kod Elektoral të bërë nga berisha e Rama që nga 2008. Berisha mori rezultat të dobët edhe se Basha”, tha analisti.

Madje ai theksoi se Berisha e ka marrë peng partinë për hallet e tij personale.

“Ai mori peng PD-në për interesa personale, për hallin e tij dhe jo për partinë. Ndaj ai duhet të ishte dorëhequr dhe duhet të dorëhiqet, por këmbëngulja e tij aktuale tregon se nuk i intereson fati i organizatës politike, por halli personal. Berisha tregoi që nuk e bën dot më PD-në fituese, thjesht e mban në stanjacion dhe do e çojë në humbje edhe më të këqija. Berisha nuk ka çfarë i jep më PD-së dhe qytetarvëe, premtoi ndryshimin dhe nuk e arriti. Sa më shpejt të reformohet PD-ja dhe të largohet Berisha, aq më shumë shanse kanë demokratët që të fitojnë zgjedhje dhe të vijnë në pushtet, sa më shumë të qëndrojë ai, aq më shumë do humbasë kjo parti”, përfundoi Lapardhaja analizën e tij politike për situatën brenda opozitës.

A.Q/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD kundër kërkesave të kandidatëve të saj për rinumërim, ishte vendim i drejtë?