Skiatorja Lara Colturi vendosi që edhe sezonin 2025-26 të përfaqësojë Shqipërinë, duke ndalur për momentin një kalim në vendlindje. Për italo-shqiptaren kishte interes nga Italia, ndërsa plotësimi i kushteve nga Federata Shqiptare e Skive dhe institucionet shqiptare kanë bërë që 18-vjeçarja edhe për sezonin e ri të kërkojë medalje për Shqipërinë.
Prej tre sezonesh vendi ynë i dha mundësinë Larës që të garojë në nivelet më të larta dhe pas zyrtarizimit të kontratës së re, nëna e saj menaxhere, Daniela Ceccarelli dhe i ati Alessandro Colturi kanë folur për mediet duke falenderuar të gjithë protagonistët për këtë mundësi të re. Daniela, e cila është kampione Olimpike në ski për Italinë ka treguar edhe përqëndrimin e Larës në stërvitje.
“Në këtë moment të veçantë, dëshirojmë të falënderojmë Federatën Shqiptare të Skive dhe institucionet më të larta të Shqipërisë për besimin në projektin tonë dhe për mbështetjen, respektin dhe miqësinë e tyre, duke na dhënë gjithashtu mundësinë për të promovuar skijimin në një vend që po tregon një interes në rritje për sportet dimërore", thanë fillimisht prindërit e 18-vjeçares.
Lara do të vazhdojë udhëtimin e saj me Shqipërinë, me mbështetjen e së cilës ka garuar në tre sezonet e fundit, që nga fillimi i karrierës së saj në nivelin FIS (Federatës Ndërkombëtare të Skive).
Më pas ekipi "Colturi" tregon edhe prioritetet e Larës dhe mbështetjen e Shqipërisë.
"Prioriteti ynë, si dhe i Federatës Shqiptare të Skive, ka qenë gjithmonë dhe vazhdon të jetë t'i garantojmë Larës kushtet më të mira të mundshme për rritjen e saj. Kjo rrugë zhvillimi mbetet e lidhur me familjen dhe ekipin tonë që, falë lirisë menaxheriale të dhënë nga Federata, mund të përqendrohet plotësisht në nevojat e saj si atlete e re.
Siç është demonstruar nga rezultatet e arritura deri më tani, një mjedis pozitiv, i cili i ofron qetësi dhe mbështetje të përshtatshme teknike, e ka vendosur atë në pozicionin për të synuar qëllime gjithnjë e më ambicioze", shprehet nëna e Larës, Daniela Ceccarelli e cila është edhe kampione Olimpike me Italinë.
Më pas, Daniela Ceccarelli shton se Lara është e fokusuar në fundin e studimeve të shkollës së mesme dhe në stërvitjen intensive.
"Gjatë kësaj periudhe, Lara është e zënë duke studiuar në përgatitje për provimet përfundimtare të shkollës së mesme, si dhe duke vazhduar stërvitjen e saj atletike. Së bashku me të dhe Federatën Shqiptare të Skive, po planifikojmë aktivitetet për sezonin e ardhshëm. Për të mbrojtur qetësinë e tij dhe tonën, ne dëshirojmë të përqendrohemi plotësisht në këto objektiva dhe nuk do të bëjmë deklarata apo intervista të mëtejshme", thotë Daniela Ceccarelli.
Gara e radhës për Larën do jetë në Olimpiadën Dimërore të Milano-Cortinës 2026 në Itali dhe sportisja që garon me flamurin kuqezi kërkon medalje për të bërë që himni shqiptar të dëgjohet në aktivitete ndërkombëtare.
Komente
