Lara Colturi

Sport

Lara Colturi përgatitet me risi për sezonin e ri, Schiasselloni i bashkohet stafit! Skiatorja: Puna dhe stërvitja kanë shkuar mirë

24 Shtator, 13:25| Përditesimi: 24 Shtator, 13:29

  • Share

Me vetëm një muaj përpara nisjes së sezonit të ri, Lara Colturi ka prezantuar stafin e saj të trajnerëve. Skiatorja e talentuar italo-shqiptare nuk do të përgatitet më vetëm nga prindërit e saj, Daniela Ceccarelli dhe Alessandro Colturi, por këtë vit do të ketë në krah edhe ekspertin Alessandro Schiasselloni. Ky i fundit është një nga psikologët më të njohur të sportit në Itali dhe ka punuar më herët me Ceccarellin gjatë karrierës së saj në nivele të larta.

Pas një faze përgatitore intensive në Francë (Les Deux Alpes, mes qershorit dhe korrikut) dhe Zelandë të Re (në gusht e shtator), Colturi shprehet e kënaqur me kushtet dhe testimet e materialeve të reja.

“Punuam shumë mirë, kushtet e pistave, të motit dhe temperaturat ishin të duhurat. Munda të stërvitem dhe të testoj materialet e reja teknike në të dy disiplinat. Do të rifilloj të bëj ski në Sölden në fillim të tetorit dhe më pas do të jemi sërish në Val di Fassa për gjithë dimrin dhe pranverën”, tha sportistja.

Ndërkohë, Federata Shqiptare e Skive ka njoftuar arritjen e disa partneriteteve të reja me kompani të njohura, të cilat janë tërhequr nga rezultatet e Colturit. Një marrëveshje e veçantë është firmosur me Adidas, që nga ky sezon do të jetë sponsori teknik i kombëtares kuqezi.

Eksperti Alessandro Schiasselloni ka thënë fjalë të mëdha për Larën, e cila shihet si talent në botën e skive.

“Motivimi im më i madh është të mbështes Laren, një talent të jashtëzakonshëm, në rritjen me ekuilibër dhe cilësi. Për mua është diçka speciale të rikthehem të punoj me Daniela Ceccarellin dhe Alessandro Colturin pas sukseseve të arritura në të kaluarën, veçanërisht medaljes së artë olimpike në 2002. Puna ime zhvillohet në sinergji me trajnerët dhe stafin. Nuk bëhet fjalë vetëm për një staf teknik, por për një familje të vërtetë”, shprehet Schiasselloni.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Shkarkimi i Veliajt, a duhet të ketë zgjedhje në Tiranë pa pritur Kushtetuesen?