Skiatorja e Shqipërisë Lara Colturi ka arritur një rezultat mbreslënës në Are të Suedisë. 18-vjeçarja është renditur e tretë në disiplinën ‘Giant Slalom’, duke arritur për herë të tretë në këtë sezon të kampionatit Botëror të ngjitet në podium.
Skiatorja që përfaqëson ngjyrat kuqezi, në total pas dy lëshimeve, regjistroi kohën 1 minutë, 54 sekonda dhe 10 të qintat, vetëm 1 sekondë e 43 të qintat më e ngadaltë se fituesja Federica Brignone e Italisë. Falë këtij rezultati mahnitës Colturi fitoi 60 pikë të tjerë të rëndësishme në renditjen e përgjithshme.
“Duhet të them që sot nuk ka qenë një ditë e lehtë edhe pse në lëshimin e parë skijova ashtu siç dëshiroja. Kushtet ishin shumë të mira, pastaj për fat të keq, siç mund ta keni parë edhe ju, me ngritjen e temperaturave dhe ndryshimin e pistës unë jam e vetëdijshme që në këto kushte has vështirësi. Megjithatë u mundova të bëj më të mirën edhe mund të them që ia dola. Tani jam e përqëndruar te gara e nesërme dhe në vazhdim për finalet,”-u shpreh Lara Colturi, skiatore e Shqipërisë.
Gara në Are të Suedisë ishte etapa e fundit ‘Giant’ para finaleve në Sun Valley të Amerikës që do të zhvillohen mes 20-28 marsit. Megjithatë të dielën Colturi, në po të njëjtën vendodhje, Are të Suedisë, do të zhvillojë garën e disiplinën ‘Slalom’.
Komente
