Ka hequr dorë nga çdo gjë “Elektra” që Kiço Londo propozon përgjatë këtij muaji në skenën e Teatrit Eksperimental në ArTurbina. Pas jetës, personazhin tragjik të Sofokliut e mban të lidhur shpresa e hakmarrjes për vdekjen e të atit.
Është Laura Nezha që sjell të bijën e Agamemnonit, me të gjithë tërbimin e saj për të ndëshkuar nënën Klitemnestrën dhe të dashurin e saj Egistin, që vranë mbretin e Mikenës për të uzurpuar fronin.
Në pritje të vëllait të saj Orestit, për të përmbushur vrasjen e nënës, Elektra fle jashtë një thertoreje, e rreckosur dhe e lënë pas dore. E kuqja e gjakut pushton krahas skenës, veshjen e Klitemnestrës, që interpretohet nga Gladiola Harizaj. Krimi dhë mëmësia e kapluar nga dhuna ndjek pas figurën e saj.
Alert Çeloaliaj portretizon me lojën e tij ‘të mprehtë’ mësuesin e Orestit duke i dhënë më shumë dinamikë zhvillimit të tragjedisë. Publiku përjeton ndjesitë e ankthit të personazheve, padurimit për gjyqësi, përplasjeve të forta, pasi e shkuara përndjek secilin prej tyre.
Në skenë luajnë aktorët Denisa Demaj, Engëll Hoxha, Gert Ferra, Kevin Rrapaj, Medi Gurra, Asiana Koka, Melisa Manuka, Suela Prendi, Greta Baci. Shfaqja “Elektra” e Teatrit Shëtitës “Çajupi”, siç thotë regjisori Londo do të lëvizë nëpër rrugën Egnantia. Nisi në Durrës dhe do të vijojë deri në Kostandinopojë, Selanik e Athinë.