Kryetari i Dhomës së Komunave të Kanadasë ka dhënë dorëheqjen, pak ditë pasi shkaktoi zemërim duke lavdëruar publikisht një ish-ushtar nazist në parlament.
Gjatë një vizite në parlament nga presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky javën e kaluar, Anthony Rota bëri homazhe për një ish-ushtar nazist në mes të ligjvënësve kanadezë, duke e quajtur atë hero.
Që nga ai moment Rota është përballur me presion në rritje për të dhënë dorëheqjen pasi u zbulua se veterani kishte qenë ushtar nazist.
Rota e quajti ish-ushtarin nazist veteran nga Lufta e Dytë Botërore që luftoi për pavarësinë e Ukrainës kundër rusëve dhe një hero ukrainas e kanadez.
Por ish-ushtari nazist në të vërtetë shërbeu në Divizionin e 14-të Ëaffen Grenadier të SS, një njësi ushtarake naziste, krimet e së cilës kundër njerëzimit gjatë Holokaustit janë të mirë-dokumentuara.
Anthony Rota u tha ligjvënësve se kishte bërë një gabim duke ftuar ish-ushtarin Yaroslav Hunka, 98 vjeç, për të marrë pjesë në Dhomën e Përfaqësuesve për nder të Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyt të premten e kaluar.
"Me zemër të rënduar ngrihem për të informuar anëtarët për dorëheqjen time si Kryetar i Dhomës së Komunave," u tha Rota ligjvënësve nga foltorja parlamentare.
Ai shprehu keqardhjen e tij të thellë për gabimin e tij dhe dhimbjen që u shkaktoi komuniteteve hebre në Kanada dhe në mbarë botën.
Rusia ka akuzuar qeverinë në Kiev për përkrahje të idealeve naziste, pavarësisht se Zelensky ishte hebre dhe humbi anëtarët e familjes në Holokaust, dhe polemika ka të ngjarë të shtojë ushqim në këtë narrativë.
Grupi mbrojtës i hebrenjve e quajti incidentin tronditës dhe tepër shqetësues dhe kërkoi dorëheqjen e Kryetarit të parlamentit për gabimin e tij trashanik.
Rota, i cili u zgjodh për herë të parë në 2004 dhe u bë kryetar në vitin 2019, kërkoi falje dhe tha se nuk kishte shumë informacione, duke shprehur pendesë për komentet e tij për Hunka.
"Kjo iniciativë ishte tërësisht e imja. Unë veçanërisht dua të kërkoj ndjesë time më të thellë për komunitetet hebreje në Kanada dhe në mbarë botën," tha ai.
Të hënën, kryeministri Justin Trudeau i quajti të turpshme komentet e Rotës.
Vizita e Zelensky në Kanada ishte etapa e tretë në një turne që synonte forcimin e mbështetjes ndërkombëtare, pas fjalimit në Kombet e Bashkuara dhe vizitës së Presidentit të SHBA Joe Biden në Uashington.