Sergey Lavrov

Bota

Lavrov flet për 'La Repubblica': Italia, anti-ruse! Marrëdhëniet bilaterale në nivelin më të ulët që nga Lufta e Dytë Botërore! Faji është vetëm i Romës

24 Janar, 22:38| Përditesimi: 24 Janar, 22:58

  • Share

MOSKË – Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov, deklaroi se aktualisht nuk sheh asnjë mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve me Italinë. “Fatkeqësisht, marrëdhëniet ruso-italiane po kalojnë krizën më të thellë që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe qeveria e Romës është padyshim përgjegjëse për këtë,” tha Lavrov në një intervistë për gazetën Repubblica.

Ai shtoi se “është e vështirë të imagjinohet çfarë roli mund të luajë një vend si Italia në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë, duke qenë se, që nga fillimi i 'operacionit special ushtarak', Italia ka qenë në krye të një linje armiqësore anti-ruse.”

Në prag të konferencës së tij vjetore, Repubblica e pyeti Lavrovin nëse "simpatia për popullin italian," e përmendur disa herë nga Vladimir Putin gjatë vitit 2024, ekziston ende edhe gjatë qeverisjes së Giorgia Melonit dhe nëse ai mendonte që Italia mund të luante një rol në lehtësimin e përfundimit të armiqësive në Ukrainë apo në përfaqësimin e interesave ruse brenda Bashkimit Evropian.

Fjalët e Putinit për Italinë

Në dhjetorin e kaluar, gjatë konferencës për shtyp të fundvitit, presidenti rus Vladimir Putin kishte vënë në dukje se, “edhe përkundër asaj që po ndodh sot, ndiejmë që në shoqërinë italiane ekziston njëfarë simpatie për Rusinë, ashtu siç ne kemi simpati për Italinë.”

Në mars të vitit 2024, gjatë Festivalit të Rinisë në Soçi, duke pozuar për një foto me artistin napolitan të rrugës Jorit, ai kishte theksuar “dëshirën për liri” të përbashkët midis rusëve dhe italianëve.

“Gjithmonë kemi qenë të bashkuar… Lufta e Italisë për pavarësi, Garibaldi, a nuk na ka bashkuar gjithmonë? Po, na ka bashkuar,” kishte thënë Putin.

Lavrov: Marrëdhëniet bilaterale kanë ngecur për faj të Romës

Në intervistën për Repubblica, e cila u citua pjesërisht nga agjencia ruse Tass, Lavrov shprehet: “Në Rusi ekziston një simpati e sinqertë për popullin italian. Njerëzit e duan kulturën e pasur italiane, artin e saj dhe arritjet krijuese. Shumica e italianëve janë njerëz të arsyeshëm dhe miqësorë. Kemi shumë gjëra të përbashkëta, si dëshira për bukuri dhe drejtësi, respekti për lidhjet familjare dhe interesi i ndërsjellë.”

Por Lavrov shton: “Megjithatë, është vështirë të operohet me kategori abstrakte si simpatia apo antipatia kur bëhet fjalë për marrëdhënie ndërkombëtare. Në përcaktimin e politikës sonë ndaj Italisë, udhëhiqemi nga interesat tona kombëtare dhe nga parimi i reciprocitetit. Fatkeqësisht, marrëdhëniet ruso-italiane janë në krizën më të thellë që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe qeveria e Romës është përgjegjëse për këtë. Me iniciativën e autoriteteve italiane, të gjitha mekanizmat e bashkëpunimit institucional janë ngrirë dhe lidhjet bilaterale janë shembur. Në thelb, bagazhi i grumbulluar gjatë dekadave është humbur.”

Asnjë rol për Italinë në negociatat për Ukrainën

Lavrov përjashton çdo mundësi që Italia të luajë një rol në negociatat për përfundimin e konfliktit në Ukrainë. “Është e vështirë të imagjinohet – thotë ai – çfarë roli mund të luajë një vend si Italia që, që nga fillimi i ‘operacionit special ushtarak,’ ka mbështetur pa rezerva një linjë armiqësore anti-ruse.

Italia jo vetëm që mbështet ‘360 gradë’ dhe ‘për aq kohë sa të jetë e nevojshme’, siç thotë kryeministrja Giorgia Meloni, regjimin gjakatar neonazist të Kievit, por i ofron atij ndihma të mëdha ushtarake, teknike dhe financiare.”

Ai përfundon: “Nëse Italia dëshiron të japë një kontribut të vërtetë dhe të prekshëm në një zgjidhje paqësore, atëherë duhet, para së gjithash, të ndalojë dërgimin e armëve dhe pajisjeve ushtarake moderne në Ukrainë. Kjo vetëm sa çon në një përshkallëzim të pakontrolluar të konfliktit dhe në një rritje të numrit të viktimave, përfshirë popullsinë civile.”

K.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet të votojnë emigrantët që kanë vetëm dokumente identifikimi të huaja?