RUSI- Rusia do të heqë dorë nga moratoriumi i vendosjes së raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme, tha ministri i Jashtëm Sergei Lavrov për agjencinë e lajmeve RIA, duke përmendur vendimin e SHBA për të vendosur armë të tilla në të gjithë botën.
“Ne po e vlerësojmë situatën në bazë të një analize të veprimeve destabilizuese të Shteteve të Bashkuara dhe NATO-s në sferën strategjike dhe në përputhje me rrethanat, evolucionin e kërcënimeve që dalin prej tyre”, tha Lavrov.
"Sot është e qartë se, për shembull, moratoriumi ynë për vendosjen e raketave me rreze të shkurtër dhe të mesme nuk është më praktikisht i zbatueshëm dhe do të duhet të braktiset. SHBA ka injoruar me arrogancë paralajmërimet e Rusisë dhe Kinës dhe në praktikë kaloi në vendosjen e këtyre armëve në rajone të ndryshme të botës”.
Lavrov tha se “ky vendim tashmë është i pashmangshëm”. Uashingtoni u tërhoq nga traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme në vitin 2019. Rusia që atëherë ka thënë se nuk do të vendosë armë të tilla me kusht që Uashingtoni të mos e bëjë këtë.
Kjo ishte një marrëveshje për armët bërthamore e nënshkruar në Uashington në vitin 1987 nga Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbaçov, që ndalonte prodhimin dhe vendosjen e të gjitha raketave me rreze veprimi midis 500 dhe 5,500 km.