Të diel (nesër) në orën 20:45 në "Olimpico" luhet derbi mes Romës dhe Lazios për raundin e 19-të në Serie A. Marco Baroni, trajneri i Lazios ka konfirmuar se Elseid Hysaj dhe Toma Basic do jenë pjesë e ekipit.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur Federata Italiane e Futbollit ndryshoi rregullin dhe lejoi klubet të përfshinin lojtarët që kishin lënë jashtë liste në verën e 2024.
“Hysaj dhe Toma Basic do të jenë me patjetër në atë ndeshje. Janë djem që luajtën në Kupën e Italisë dhe do na japin një dorë të madhe në fundjavë. Le të përfitojmë nga merkatoja për të futur në listë këta lojtarë”, shprehet Baroni.
Mbrojtësi i Kombëtares nuk u përfshi nga Lazio në listë, kjo për shkak se iu kërkua largimi prej pagës së majme, por shkodrani refuzoi dhe kërkoi respektimin e kontratës (qershor 2025). Edhe pse jashtë, Hysaj ka zhvilluar stërvitje normale me ekipin, madje luajti në një ndeshje të Kupës së Italisë.
Veç Serie A, Hysaj mbeti jashtë listës edhe në Europa League.