Lidhje Demokratike e Kosovës kërkon vendosjen e shtatores së ish-presidentit të Kosovës, Ibrahim Rugova në Prizren.
Shefi i Grupit të Kuvendarëve të LDK-së në Prizren, Haziz Hodaj, tha për Report TV se LDK-ja i ka propozuar Kryetarit të Prizrenit që shtatorja të vendoset te ‘Sheshi i Lidhjes’.
“Si drejtues i Kuvendarëve të Prizrenit kam bërë ftesë që të vendoset shtatorja e Rugovës, një figurë e madhe historike. Besoj se do ketë mirëkuptim në Këshill dhe së shpejti do të bëhet realitet. Presidenti Ibrahim Rugova e quante Prizrenin kryeqytet historik të shqiptarëve dhe e kishte pikë të dobët Prizrenin! Sot është kërkesë e popullit që të vendoset kjo shtatore”, tha Hodaj.
Ibrahim Rugova ishte një politikan, studiues dhe shkrimtar shqiptar i Kosovës dhe një ndër bashkëthemeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Ai ishte Presidenti i Parë i Republikës së Kosovës nga viti 1992 deri në vitin 2000 dhe sërish nga viti 2002 deri në vdekjen e tij në vitin 2006.