Papa Leon XIV

Bota

‘Le të negociojmë për paqe’, Papa Leon XIV ofrohet si ndërmjetës! Zelensky: Faleminderit, jemi gati

15 Maj, 07:59| Përditesimi: 15 Maj, 08:01

  • Share

Papa Leon XIV ofron ndërmjetësimin e Vatikanit për të arritur paqen dhe merr vlerësimin e Presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky. Për të përhapur paqen, Prevost deklaroi dje: “Do të bëj çdo përpjekje. Selia e Shenjtë është në dispozicion që armiqtë të takohen dhe të shikohen në sy, që popujve t’u rikthehet shpresa dhe t’u jepet dinjiteti që meritojnë, dinjiteti i paqes. Popujt dëshirojnë paqe dhe unë, me zemër në dorë, u them përgjegjësve të popujve: le të takohemi, të dialogojmë, të negociojmë”. Zelensky shprehu mirënjohjen e tij ndaj Papës “për fjalët e tij të mençura mbi gatishmërinë e Selisë së Shenjtë për të luajtur një rol ndërmjetësues në rivendosjen e paqes globale”, shkroi ai në X: “Paqja është dëshira më e shenjtë e miliona njerëzve. Ne shpresojmë dhe bëjmë çdo përpjekje për të rikthyer një paqe të denjë”.

Rruga e pajtimit

Papa u rikthye të flasë për paqen gjatë audiencës që i dha përfaqësuesve të Kishave Lindore në Romë, me rastin e Jubileut të tyre. “Nga Toka e Shenjtë në Ukrainë, nga Libani në Siri, nga Lindja e Mesme në Tigrai dhe në Kaukaz, sa shumë dhunë”, tha ai. Paqja e Krishtit “është pajtim, falje, guxim për të kthyer faqen dhe për të nisur nga e para”.

Parolin: “Stambolli është i mirë”

Ne, theksoi kardinali Pietro Parolin në fund të një takimi në Universitetin Papnor Gregorian kushtuar Ukrainës, “jemi gjithmonë të gatshëm të ofrojmë një hapësirë: të flasësh për ndërmjetësim është ndoshta e tepruar, por të paktën për shërbime të mira, për lehtësim, pa u ndërhyrë në iniciativat e tjera që janë në zhvillim”. Duke nisur nga takimi në Stamboll: “Jemi të lumtur që më në fund ekziston mundësia për një takim të drejtpërdrejtë, shpresojmë që aty të zgjidhen nyjet dhe të mund të nisë me të vërtetë një rrugë drejt paqes”, tha Sekretari i Shtetit të Vatikanit.

Leone dhe Françesku

Fjalët e Leone XIV nuk janë aq të largëta nga ato të Françeskut sa mund të duken. Theksi mund të jetë i ndryshëm, konteksti gjithashtu, por qëllimi është gjithmonë një paqe që kalon përmes “pajtimit” dhe kapërcimit të një vizioni manikean të gjeopolitikës. Është e vërtetë se gjatë viteve Bergoglio ka përdorur fjalë që i kanë acaruar ukrainasit, kur ka përmendur “flamurin e bardhë”, apo ka thënë se NATO ka “lehur” në dyert e Rusisë. Ashtu siç është e vërtetë që Prevosti, si kardinal, ka denoncuar “pushtimin imperialist” të Rusisë. Por nëse Papa i ri ka “përdorur gjithashtu fjalë të forta”, tha dje kardinali Pietro Parolin kur u pyet nga gazetarët, kjo nuk e pengon Rusinë të vlerësojë “qëndrimin e Selisë së Shenjtë që synon të afrojë palët më shumë sesa të krijojë ndarje të mëtejshme”. Në paraqitjen e tij të parë publike pas Konklavës, Sekretari i Shtetit i Vatikanit vuri në dukje “vazhdimësinë shpirtërore dhe baritore” midis Leones dhe “të ndjerit Papa Françesku, pontifikati i të cilit u shënua që në fillim nga thirrja e palodhur për paqe në Ukrainë”. Janë, theksoi Parolin, “dy Papë dhe dy zëra, por të bashkuar nga e njëjta ndjenjë”.

Të shmangen karikaturat

Përtej Tiberit është i qartë edhe rreziku i thjeshtësimeve që kufizohen me karikaturën. Sepse padyshim që Françesku është përpjekur gjithmonë të mbajë derën hapur për Moskën dhe për një hipotezë ndërmjetësimi, por ka deklaruar gjithashtu se “është shteti rus që po pushton, është shumë e qartë” (intervistë për revistën America në nëntor 2022), se për të arritur paqen, dialogu me “agresorin” duhet të bëhet edhe nëse “kundërmon” (në fluturimin e kthimit nga Kazakistani, në shtator 2022), dhe ka përsëritur vazhdimisht se Ukraina është një vend “i martirizuar”.

“Jo vizioneve manikeane”

Leone XIV “do të ndërtojë ura”, siguroi Parolin, por të flasësh për një udhëtim në Kiev është “e parakohshme”. Lufta ‘nuk është kurrë e pashmangshme”, tha dje Prevost, “të tjerët nuk janë para së gjithash armiq, por qenie njerëzore: jo njerëz të këqij për t’u urryer, por njerëz me të cilët duhet të flitet. Duhet të largohemi nga vizionet manikeane tipike të rrëfimeve të dhunshme, që ndajnë botën në të mirë dhe të këqij”. Të njëjtat fjalë, si të dëgjoje Papa Françeskun./Larepubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A do ndikojë vota diasporës në rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve?