Një episod i pazakontë ka dalë në dritë nga brenda dhomave të zhveshjes së Argjentinës dhe PSG-së, me protagonistë Lionel Messin dhe Leandro Paredes. Ky i fundit ka rrëfyer në një intervistë për “Infobae” se legjenda argjentinase nuk i ka folur për tre muaj, pas një keqkuptimi gjatë një ndeshjeje.
Sipas mesfushorit, gjithçka nisi nga një situatë në fushë ku ai kishte drejtuar një fyerje ndaj një lojtari kundërshtar. Por Messi, duke mos kuptuar kontekstin, kishte menduar se fjalët ishin drejtuar ndaj tij.
“Kaluam rreth tre muaj pa folur. E kisha shumë të vështirë. I dërgova mesazh të nesërmen, pastaj pas 15 ditësh. I thashë: ‘Nuk ishte për ty, nuk doja të të fyeja’. Dhe nuk m’u përgjigj”, u shpreh Paredes.
Për të zbutur tensionin, u desh një moment spontan në qendrën stërvitore të ekipit kombëtar.
“Një mëngjes, arritëm në të njëjtën kohë në stërvitje. Unë po laja dhëmbët dhe ai më hodhi ujë, duke thënë: ‘Çfarë po bën kaq herët zgjuar?’ Qesha dhe që nga ai moment, gjithçka u kthye në normalitet”, tha ai.
Pavarësisht keqkuptimit, marrëdhënia mes tyre është rikuperuar plotësisht. Sot, dyshja e kombëtares së Argjentinës vijon të ketë një raport korrekt dhe miqësor, ndërsa ky episod mbetet një kujtim që dëshmon ndjeshmërinë dhe standardet e larta që Messi kërkon në fushë dhe jashtë saj.
Komente
