SHBA - Legjenda e basketbollit LeBron James do të vazhdojë të jetë pjesë e NBA edhe për sezonin e 23-të radhazi, duke vendosur një tjetër rekord historik në karrierën e tij. Superylli 40-vjeçar ka rinovuar me Los Angeles Lakers për një kontratë një vjeçare me vlerë 52.6 milionë dollarë, duke u bërë kështu basketbollisti me karrierën më jetëgjatë në historinë e NBA-së.
Me këtë sezon të ri, James lë pas Vince Carterin në listën e lojtarëve me më shumë sezone në NBA, duke e çuar këtë rekord personal në një tjetër nivel. Rikthimi i tij vjen pas një dëmtimi në ligamentet e gjurit që e mbajti jashtë parketit për disa javë sezonin e kaluar, por LeBron duket gati për sfidat e reja.
Sezoni 2025-26 do të jetë i veçantë edhe për një tjetër arsye, pasi do të jetë viti i parë i plotë që James luan përkrah Luka Doncic, i cili u transferua te Lakers nga Dallas Mavericks në shkurtin e kaluar. Dyshja pritet të krijojë një nga partneritetet më interesante në NBA.
LeBron, i cili do të festojë 41-vjetorin në fund të këtij viti, ka qenë pjesë e ekipit NBA All-Star në 21 nga 22 sezonet, një tjetër rekord mbresëlënës që e veçon nga çdo lojtar tjetër në histori (rekordi i dytë më i lartë është 15 paraqitje).
Në sezonin e kaluar, ai regjistroi mesatarisht 24.4 pikë, 7.8 rebound dhe 8.2 asistime për ndeshje. Gjithashtu, James është lideri absolut i NBA-së për numrin e pikëve të shënuar, ndërsa ka marrë pjesë në 1,562 ndeshje të sezonit të rregullt, vetëm 49 më pak se rekordi i të gjitha kohërave, i mbajtur nga Robert Parish (1,611).
Nëse qëndron në formë dhe larg dëmtimeve, pritet që James të thyejë edhe këtë rekord brenda sezonit të ardhshëm, duke shtuar një tjetër faqe të artë në historinë e tij të jashtëzakonshme.
LeBron James
Komente
