Janaq Paço dhe puna në studio gjatë viteve 1960

Legjenda Janaq Paço, ja si i bënë presion që t’i thyente nudot fantastike (FOTO)

17 Tetor 2019, 08:54| Përditesimi: 17 Tetor 2019, 09:09

  • Share

Ndërsa shekulli i  XX, po trondiste botën pamore me këndvështrimet e ndryshme mbi nudot, me Pikaso, Matisse, Maillol, Antonio Bourdelle, Bonard, Mooere dhe Bacon, në Shqipëri burgoseshin, vriteshin dhe kërcënoheshin artistët. Në një rrugë në qendër të Tiranës, në studion e tij të rrënuar, skulptori Janaq Paço, thyente nudot “e turpshme”. Ishte koha kur vritej bukuria, kohë e helmët e pleniumeve të zinj me gjarpërinjtë e mbledhur kutullaç mbi gurët e rëndë të piramidës së Keopsit.  Këta gjarpërinj kishin helmuar shumë artistë, edhe atë vetë. 

Paço ishte themeluesi i  skulpturës dhe i  shkollës së nudos në Shqipëri.  Kontributi i  tij në edukimin artistik dhe estetik të brezave qe i  veçantë.  Shpirti i  tij ishte universal në lidhje me historinë, filozofinë, moralin dhe religjionin në artin e tij.

Ai u lind, më 14 mars 1914 në Konicë, ku prej vitesh punonte i  ati i  ardhur familjarisht nga fshati Badëlonja i  Përmetit.  Në vitin 1925, familja e tij do të kthehej në Shqipëri dhe do të vendosej në Tiranë.  Në fëmijëri Janaqi do të binte në sy për talentin e tij. Ndërsa shokët dhe vëllezërit luanin me top lëndinave, Janaqi i  vetëm rrinte me orë të tëra buzë lumit, duke bërë figura prej balte, ndodhte dhe ja prishnin figurinat që ai të shkonte e të luante me ta.  Ndoshta ky qe dhe fati që do ta ndiqte edhe shumë vite më pas punën e tij.  Paço nuk tërhiqej ai nisi të shkëlqente në vizatime dhe modelimin e figurave të ndryshme në argjilë, madje kur u kthye në Tiranë ai u shqua në një ekspozitë të hapur në “Kafe Kursal”, midis nxënësve të tjerë pjesëmarrës. 

Një tregtar nga Selaniku, mik i  babait, e morri me vete djalin e talentuar, i  cili do të mbaronte shkollën e mesme artistike në qytetin e Selanikut.  Në vitin 1933, Janaq Paço do të fitonte konkursin e pranimit në “Akademinë e Arteve të Bukura” në Athinë.  Atje ai vazhdoi studimet për skulpturë nën drejtimin e drejtorit të Akademisë së Arteve Kostandin Dimitriadhis, nxënës dhe adhurues i  skulptorit të madh Francez Augusto Rodenit.  Duke parë talentin dhe karakterin e Janaq Paços, drejtori i  akademisë, jo vetëm e cakton si asistent, por e mban në atelie dhe e trajton si birin e tij djalin e ndrojtur me një vizion të rrallë për artin.  Skulptori i  ri Paço, shkëlqen në punën e diplomës, duke fituar çmimin e parë midis studentëve të akademisë, me portretin në mermer të shoqes së tij Trilivia.  Edhe mbas përfundimit të studimeve, ai vazhdonte të punonte në studion e Konstantin Dimitriadhis.  Në vitin 1941, lufta dhe kriza e rëndë ekonomike që pushtoi vendin fqinj, e detyron Janaq Paçon të kthehej në Shqipëri.  Me vete mori Trilivian e mermertë, të cilën e ndaluan në postën kufitare, duke menduar se ishte një skulpturë antike e marrë nga muzeumet e Athinës.  Skulptorit të ri, iu desh të priste me ditë të tëra ne kufi për të rimarrë Trilivian e tij, e cila sot ndodhet ne Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative në Tiranë.

Mbas kthimit në Tiranë, punoi si mësues vizatimi në gjimnazin ne të cilin kish filluar studimet e shkollës së mesme.  Gjatë kësaj periudhe ai punon pa reshtur dhe në një konkurs të organizuar në ato vite, ai fiton çmimin e parë me : “Kokën e Angjelinës “ motrës së tij të bukur, të cilën e bleu një Italian i  mrekulluar nga punët e skulptorit. Pas çlirimit të vendit, së bashku me Odise Paskalin ishin themeluesit e degës së skulpturës në Liceut artistik, Janaq Paço punoi si mësues në Lice, deri sa doli në pension.  Mësimdhënia në Liceun Artistik, është puna pasionante që bënte Paço në edukimin e dhjetëra brezave, me shijet artistike dhe estetike larg ideologjizmave të kohës.

Legjenda Paço morri dhenë për mjeshtërinë që tregoi në realizimin e monumentit të heroit tonë Kombëtar Skënderbeut.  Në vitin 1948, ai fitoi konkursin midis shume konkurrentëve të huaj dhe vendas.  Kjo kishte qenë ëndrra e tij e vjetër, atëherë kur qe larg me studime.

Konkursi i  parë i  organizuar në vitin 1937, ishte fituar nga Kroati Agustinçiç, Kryetar i  Akademisë së Zagrebit, për të cilin nuk u ra dakord nga opinioni vendas.  Më pas iu besua Italianit, Romano Romanelli, monumenti i  realizuar prej tij ndodhet sot në Romë, në sheshin Albania.  Tashmë heroi kombëtar mbante firmën e një tjetër legjende shqiptare, e quajtur Janaq Paço.  Me një përkushtim dhe mjeshtëri të rrallë do të punonte për 10 vjet rresht deri në inaugurimin e tij më 27 nëntor 1959, në qytetin e Krujës.  Monumenti është derdhur në Bronx në Budapest, i  asistuar nga vetë autori.

Monumenti i  Skënderbeut në Krujë është i  paarritshëm deri më sot. Konfiguracioni artistik i  kapur në një moment të caktuar, duke shkaktuar efektin estetik më të thellë të një luftëtari.  Dinamika e veprës e vendosur në konturet tredimensionale, me proporcione të estetikës klasike dhe kohëegzistenca e kësaj vepre madhështore, midis reales dhe joreales, figura tranhistorike që i  rezistoi kohës dhe civilizimeve.  Mbijetesë e heshtur nën një vepër madhore.

Monumenti i  Krujës, entuziazmoi të gjithë shqiptarët, por tronditi botën artistike. Me sa duket takimi i  dy legjendave kishte dhënë efektin e duhur.  Noli i shkruante nga Kisha Autoqefale e Bostonit, një letër falënderimi ku theksohej se:” Janaq Paço është një eminencë e skulpturës.  Monumenti i  Skënderbeut ishte ai i  përfytyrimit të të gjithë Shqiptarëve”.  Në respekt të kësaj figure, në vitin 1960 ai përfundon dy buste të peshkopit tonë demokrat Fan Noli. 

Vite më pas ai do të punonte si bashkautor me Odise Paskalin dhe Andrea Manon për realizimin e monumentit të Skënderbeut në qendër të Tiranës, i  cili përfundoi në vitin 1968, megjithëse punuan tre mjeshtër të skulpturës për realizimin e tij, monumenti nuk pati jehonën e atij të Krujës.  Sheshi i  madh i  kryeqytetit mban emrin e heroit dhe është një simbol kombëtar. Për ne shqiptarët figura e Skënderbeut duke qenë e bukur dhe e madhërishme është arketip. Është nënvetëdije kolektive, përjetësi, figurë që mbijeton kohën, figurë transhistorike.

Në vitin 2001, pas 500 vjetësh udhëtimi, Monumenti i  Skënderbeut apo monumenti i  Paços do të mbërrinte në Prishtinë……Ishte një entuziazëm i  pazakontë, Skënderbeu hyri në Prishtinë ashtu mbi kalë i  zbuluar, s`patën kohë për ritet e përurimit, populli po e priste kahherë.  Porse Ibrahim Rugova, legjendari i  paqes do të bënte ritin e lashtë shqiptar; për mbarësi, do të vendoste në bazamentin ku do ngrihej monumenti, një pllakë floriri nga miniera e Trepçes, mbështjellë me një cohë të kuqe si gjaku si flamuri.  Bijtë e tij të mirë Dorina dhe Kliti, miqtë dhe familjarët e skulptorit të madh, u ndjenë tepër krenarë, porse edhe shpirti i  Janaq Paços ndihej i  lehtësuar, pllakëza e floririt qe si një medaljon i  artë për veprën e tij.

Ekspozita e 1960-s

Në vitin 1960 Janaq Paço hap ekspozitën e parë vetjake, ku spikasnin skulpturat për piktorin Vangjush Mio, shkrimtarin Sterio Spase, portreti i  përsosur i  një filozofi,ku artistikisht shprehet forca e mendimit filozofik, portrete të fëmijëve, portrete artistësh, ku shkëlqen skulptura e Aleksandër Moisiut, aktorit të madh shqiptar me fame botërore, në interpretimin e monologut Hamletian.  “To be, or not to be!” Në vitin 2004,pas shumë vitesh,nga koha kur ishte punuar vepra për Moisiun e madh, busti, u vendos në qytetin e Kavajës, atëherë kur Janaq Paço nuk i`u gëzua dot veprës së tij, punuar me shumë dashuri e mjeshtëri.  Kjo skulpturë tredimensionale, me proporcione të skulpturës klasike dhe me një plastikë impresioniste, do të mahniste pjesëmarrësit vendas dhe të huaj, ku së bashku me figurën perceptohet një lëvizje dinamike te rolit dhe të shpirtit aktorial, si dhe forca e mendimit filozofik.  Lida Paço, ishte më tepër se kurrë e emocionuar, një nga amanetet e shokut të saj të jetës, kishte shkuar në vend.

Disa nga Veprat e Skulptorit ndodhen të vendosura në parqe apo vende historike, por më së shumti veprat e tij janë të shpërndara, një pjesë janë në famijen e tij, tek miqtë, të afërmit, apo në ndonjë strehëz dashamirëse si kjo këtu, vetëm ato pak veprat që ndodhen në galerinë kombëtare janë të ekspozuara, apo të përkujdesura.  “ Vajza me ruaza” quhet ky portret, i  cili ne vitin 1989, nuk u pranua në konkursin e organizuar në me rastin e 45 vjetorit të çlirimit, ndërsa një vit më pas, fitoi çmimin e parë. 

Kjo skulpture gjigante për nga përmasat artistike me një plastikë dhe formë të përsosur, ku krahas mjeshtërisë artistike më së shumti sheh lëvizjen shpirtërore, gjendet e strukur në një cep të ballkonit në shtëpinë e ngushtë të Paçove, pret prej kohësh të vendoset në hollin e ndonjë materniteti apo diku tjetër. Të mençurit e moçëm na mësojnë se: një popull humbet nëse zhduket dhe harrohet kultura e tij.  Studioja e tij modeste ndahej në dy pjesë, me anën e një perdeje, ku përtej saj, në fshehtësi dhe në botën e tij artistike Ai skaliste me mjeshtëri nudot femërore të përsosura.  Vetëm pakkush i  kishte parë dhe dinte për to. Janaq Paço përgatiste veprat e artit për të realizuar projektin e tij arkitekturor, të projektuar rreth viteve 1940, dhe më tej.  Ai kishte paraqitur e konceptuar një qendër të Tiranës, me kompleksin e ministrive të dekoruara me skulptura dhe vepra arti, Paço kishte menduar që qendra e kryeqytetit të tij Tiranës, të qe më e bukur se ajo e Romës.  Dhe me të vërtetë, kjo skicë arkitekturore e projektuar nga dora e artistit të madh, na bën të ëndërrojmë se si do të ishte kryeqyteti ynë sot, me një shatërvan edhe më të bukur se “Fontana di Levi”.  Ky projekt i  madh, fle i  mbyllur në shtëpinë e vogël të artistit, pengun e të cilit e mori me vete përtej kësaj bote, së bashku me shumë të tjerë. 

Thyerja e nudove

Në agun e një mëngjesi të zymtë, Skulptori me flokët e hirtë, dhe pamje fisnike, pas një traume psikologjike dhe me heshtjen që e pllakosi për një kohë të gjatë, i  dërmuar nga ankthi dhe pagjumësia, do të gjente forcë të thyente 15 nga kryeveprat e tij. Nudot femërore, një përsosmëri e artit klasik dhe modern europian, sjell prej tij në Shqipëri. Ditë të tëra zërat e çjerrë të kasnecëve të shiut ulërinin në memorien e artistit. : -Ç’janë këto femra të zhveshura, që ke bërë , hë… pse hesht? i  dimë i  dimë të gjitha ato që ti gatuan atje në qoshen e studios tënde, mbuluar me perde. Këtej bën heronj, andej pornografi, kujt do t’ia hedhësh ti? A mund të rinë bashkë heronjtë me këto lavire lakuriqe prej allçiu? Tani, do t’i thyesh vetë me dorën tënde, pa t’u dredhur dora fare…. se ndryshe …do t’i thyejmë ne…dhe po i  thyem ne…do të thyejmë dhe kokën bashkë me to…në mos të zhdukim larg, të mos shohësh vetëm një copë qiell……

Këto qenë fjalët që zhurmonin në hetuesin e Tiranës, nga persekutorët, të cilët më vonë u hoqën më të persekutuar se viktimat e tyre.

…….  Për një çast iu drejtua heroit kombëtar, i  kërkoj ndihmë forcës së tij, por ai nuk mundi, përveçse i  fali nga lavdia e tij, e ç’mund të bënte tjetër?(në një çast ju duk sikur pëshpëriti, “ atdheu është atdhe edhe kur të vret”-dikush tjetër –artist si ai, Kuteli i  madh e kish thënë, se edhe atë e kishin vrarë bashkë me veprën, kohë më parë) Pranë Moisiut të madh iu kujtuan vargjet monumentale,“ Të rrosh apo të mos rrosh, kjo është çështja”.  Tashmë, Ai skish frikë nga vdekja, shpesh herë e kish pasur pranë, por fëmijët e tij duhet të jetonin, duhej patjetër, këtë ai e dëshironte shumë….

 Një zhurmë e fortë do të gjëmonte brenda atij tempulli të bardhë.  Por askush nuk dëgjoi nga jashtë, asnjeri nuk pa ç`u bë në këtë studio të mënjanuar, nuk doli asnjë klithme e mbyur larg, veç mjegullës që u krijua prej pluhurit të bardhë të allçisë.  Klithmat e statujave të përkora femërore, i  dëgjoi vetëm Ai, ndërsa vajin e tij të brendshëm se dëgjoi askush përveç krijesave të tij të copëtuara, këmbë e duar, copëza hijesh dhe kurbash të lakuara femrash të hijshme të brishta, e të pafajshme njësoj si modelet e tyre, ai i  kish prekur, punuar, përsosur me duart e tij, dhe tani gjendeshin të shpërndarë në çdo kënd të studios.  Thyerja e veprave të tij po me dorën që i  ngriti, ishte vetëvrasja më e rëndë që mund t`I ndodhë një artisti, atë mëngjes të 23 qershorit të vitit 1977.  Pas kësaj gjëme të denjë për një mozeum holokausti komunist të artit. . .  Artisti i  dhembshur mundi të shpëtontë vetëm disa nga kokat e tyre, pjesën më të pafajshme, fytyrat ëngjëllore, si nëna, motra, Afërdita, artistet, gruaja, perëndeshat e tij.

Lida,një vajzë e bukur e shkathët dhe energjike, ridhte nga një familje artistësh, e cila në shkollën “ Nëna Mbretëreshë” do të shkëlqente mes shoqesh edhe si balerinë, ndaj më pas do të studionte në Santa Çiçilia të Italisë për balet dhe piano.  Kur Ajo u kthye në atdhe, kishte nisur lufta.  Më tej vetëm motra e saj, pianistja Lola Gjoka do të vazhdonte karrierën e saj artistike.  Lida do të njihej me Janaqin, më pas do të martoheshin dhe e gjithë jeta e saj do t’i përkushtohej familjes dhe njeriut të saj të dashur. Lida jeton në apartamentin e saj të vogël, e rrethuar nga skulpturat, e vetmja pasuri që i  la shoku i  jetës. Mes kujtimeve të shumta dhe një jete të vështirë, herë pas here ajo tregon, vuajtjet shpirtërore që përjetoi artisti deri në çastet e fundit të jetës. Janë tepër të dhimbshme.

Ekspozita e hapur tek Piramida e Keopsit në fillimet e demokracisë në vitin 1993, ishte një sfidë që i  bënte skulptori dhe arti i  tij, diktaturës dhe diktatorëve, të cilët zhduken dhe harrohen një ditë por arti dhe artistët, kurrë.

Nudo ishin fotografuar nga Pleurat Sulo, me dijeninë e vetë skulptorit. Edhe pas thyerjes së tyre, Janaq Paço e thirri përsëri ish nxënësin e tij profesionist, të fotografonte nudot e thyera. Janaq Paço, kërkoi ti kishte vetëm fotot e nudove të plota, fotot e tjera i  duheshin të tjerëve, që të kënaqnin egon e tyre. Ka zëra konkretë që thonë, se studion e z. Sulo, e bastisën dhe e kontrolluan imtësisht, punonjësit e sigurimit te shtetit, ndaj disa prej artistëve dhe njerëzve të fotografuar prej tij u thirën dhe u kërcënuan në bodrumet e tmerrshme të hetuesisë.  Ndoshta kanë ndodhur aty fotot që ja tundën në fytyrë Janaq Paços, ndoshta diçka tjetër ndodhi.  Ai që di të vërtetën, mbase do e marre me vete në botën tjetër.  Ndokush do të rrëfehet një ditë përpara frymës së fundit.  Një gjë është e sigurt se Janaq Paço, student perëndimor artist dhe njeri i  rrallë, sigurisht që survejohej. Heshtja e tij ende akuzon.  Shumë nga enigmat Janaq Paço i  morri me vete në parajsë se ferrin e jetoi në tokë…

Janaq Paço dinte të ngrihej nga hiri dhe të punonte përsëri, kësaj here temat ishin kooperativistet dhe punëtorwt, heronjtë të cilëve u përpoq, t’u jepte mirësinë njerëzore duke i  trajtuar me dashuri.  Tashmë pashallarët ishin qetësuar disi, vjedhësit e ëndrrave po ashtu.  Ata mendonin se Ai kish hequr dorë nga “marrëzitë”nuk qe më ai i  pari, energjiku dhe liriku profane.

Përtej perdes së pluhurosur, krahas veprave të shumta, prej kohësh skulptori punoi me një përkushtim të madh për realizimin e dy gladiatorëve gjigantë mbi 3 metra të lartë.  Me mendimin dhe dëshirën për tu vendosur në hyrjen e Amfiteatrit të Durrësit.  Për të treguar kështu qytetërimin e lashtë Ilir të vendit të tij, për kohën kur në botë vetëm në tre teatro Antike të saj bëheshin gara fituesish mes gladiatorësh, në amfiteatrin grek, Romak dhe në atë të Durrësit.  Por edhe ata do të pësonin odisenë e gjatë pa mbwrritur ende në Itakën e tyre.

Janaq Paço do të jetonte një gjendje ankthi të vazhdueshëm dhe do t’i fillonte sëmundja e Parkinsonit, megjithatë duart e tij të dridhura nuk mund të rinin pa punuar.  Si dhe vlerat e skulptorit të madh nuk mund të mohoheshin nga askush, ata e dinin mirë se askush si Janaq Paço nuk mund ta realizonte grupin e madh skulpturor “Skënderbeu me Popullin” vepër e realizuar me bashkautor Gëzim Hajdarin, i  cili është vendosur në hyrje të muzeut të Krujës, dhe prezanton fuqishëm madhështinë e atij muzeu.

Janaq Paço në 1984-n dekorohet “Skulptor i  Popullit”

Në vitin 1984, në moshën 70 vjeçare, Janaq Paço, dekorohet me medaljen “Skulptor i  Popullit”.  Për veprat e tij flitej me madhështi, për Paçon vetë, nuk dihej, në se ishte a s`ishte në këtë botë.

Duart e fuqishme të Paços filluan të dobësoheshin çdo ditë e më shumë ato e humben forcën fuqinë, megjithatë nuk pushoi së modeluari, në vitet e fundit ai punoi këto statueta të vogla të mrekullueshme, me një tjetër stil konteporan, skulptura të vogla lirike, në pozicione dhe lëvizje të ngrohta. Për nudot e thyera nuk foli më kurrë, ajo ishte një humnerë që nuk përsëritej më.

 Këto krijesa të vogla ai mundi ti fshihte diku, prej shërbëtorëve të pallatit të ëndrrave.  Madje ja u bëri dhurata bijve të tij të mirë, Dorinës dhe Klitit.  Kjo është Amazona, skulptura që krijoi artisti ne ditët e fundit të jetës, kultura e tij e erudite, nuk e kishte lënë kujtesën të lëkundej. Amazona, gruaja luftëtare me një gji të prerë, aty ajo mbështeste shtizën dhe harkun ndërsa mbrohej apo gjuante kafshët e egra për mbijetesë. Ndërsa njëri gji i  duhej për të ushqyer fëmijën, koka e të cilit plotësonte staturën e saj. Paço dhe amazona kishin të përbashkët, humbjen në emër të jetës.

Ditët kalonin, gjendja shëndetësore rëndohej sakaq, tashmë askush se ndiqte, ishte i  qetë pranë familjes së tij, por duart nuk i  bindeshin më, me sytë lart, nga kokat e nudove, bukurosheve dhe perëndeshave të tija të fjetura, ai zhubroste me duart e dridhura çarçafin e bardhë, ndoshta imagjinata e çonte te nudot e thyera të rikthente edhe njëherë jetën e tij, legjendën.  Në korrikun e nxehtë të vitit 1991, Duart e tij të ftohta ngrinë, ashtu të ngrira, ato do të mbeten si skulptura më e rrallë në epokën kur vritej bukuria. Dhe… legjenda vazhdon. Heshtja e tij e gjatë akuzon.  Kujdes! Jetojmë në epokën kur asgjësohen kombe dhe kultura.  Janaq Paço me jetën dhe veprën e tij e vendosi veten në panteonin kombëtar, po ne çbëmë për atë që ringjalli Skënderbeun, Isa Boletinin, Moisiun, Mion.  Vitet ikin bashkë me ne, legjendat mbesin……… Na ishte njëherë një artist i  madh, një njeri i  veçantë, një skulptor gjigant, të cilin njëherë e një kohë, mamuthët e kombit, e detyruan të thyente statujat e veta femërore, të krijuara vite me parë, nga dashuria e madhe për artin dhe atdheun e tij. Ai është Janaq Paço.

*Autorja është studiuese arti

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?