Nga data 9 deri më 11 tetor, në Tiranë zhvillohet Java Kulturore Holandeze, një seri aktivitetesh që shënojnë 55-vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Holandës dhe Shqipërisë. Programi përfshin ekspozita, diskutime dhe evente që ndërthurin artin, sportin dhe dialogun kulturor, duke sjellë më afër dy vendet përmes krijimtarisë dhe kujtesës historike.
Aktivitetet nisën sot, më 9 tetor ora 11:00, në stadiumin 'Air Albania', me ceremoninë hapëse të ekspozitës “Ajax - 17 Nëntori / Tirona - Ribashkim dhe Ekspozitë Fotografike”.
Ky aktivitet kujton ndeshjen historike të vitit 1970 mes Ajax dhe 17 Nëntorit, që përfundoi 2-2 dhe u bë simbol i miqësisë dhe diplomacisë sportive. Legjendat Arie Haan dhe Ruud Krol rikthehen në Tiranë për t’u ribashkuar me ish-lojtarët shqiptarë, në një ribashkim që përfshin panel diskutimi dhe ekspozitë me imazhe të papublikuara nga ajo periudhë.
Arie Haan 'rikthehet' në Kombëtare
Ish-trajneri i kombëtares shqiptare në vitet 2007-2009, Arie Haan dhe ish-futbollisti i njohur holandez, Ruud Krol u takuan edhe me trajnerin Sylvinho, stafin teknik të Kombëtares si edhe me disa nga futbollistët kuqezi dhe shkëmbyen disa batuta.
Gjatë bashkëbisedimit, ata i uruan trajnerit Sylvinho dhe lojtarëve suksese në sfida e tetorit dhe në kualifikueset e Botërorit 2026. Të shtunën Kombëtarja luan kundër Serbisë në Leskovac.
Komente
