Legjitimiteti i zgjedhjeve pa opozitën dhe rreziku i vetëm që i kanoset Edi Ramës!

25 Prill 2019, 14:18| Përditesimi: 25 Prill 2019, 14:20

  • Share

Koalicioni opozitar prej disa partish, i drejtuar prej PD-së nga e djathta dhe LSI-së nga e majta, arritën një marrëveshje duke rënë në një mendje se nuk do futen në zgjedhjet vendore për sa kohë në krye të qeverisë është Edi Rama. Ata kërkojnë tash sa muaj një qeveri transitore e cila do e çojë Shqipërinë në zgjedhje parlamentare dhe vendore njëkohësisht, por që kanë hasur në kundërshtinë e kryeministrit.

Ka qene disi befasuese kjo aftësi të re e Lulzim Bashës për t’i bërë bashkë partitë opozitare në veprimet e saj ekstreme. Si një politikan i cili qysh në zanafillën e tij nuk arriti dot t’i hyjë në zemër pjesës së themeluesve të Partisë Demokratike, për më tepër, bëri kundërshtarë edhe një sërë syresh prej atyre që konsideroheshin edhe besnikë të tij, si një politikan që të gënjen edhe kur e pyet se sa është ora, pra ky Lulzim Bashë, arriti të bindë Monikën & Co që të ndjekin shembullin e tij për të mos marrë pjesë në zgjedhje.

 Po, a është kaq i aftë Lulzim Basha që të bashkojë rreth vetes kryetarë partish të cilët qenien në pushtet e kanë qëllim në vetvete?! Them se jo. Ai grupim kryetarësh i janë bashkuar Lulzim Bashës si kundërshtarë të Edi Ramës. Është pikërisht ai dhe vetëm ai shkaku që Luli e Monika, Idrizi e Dule dhe të tjerë me radhë janë ende bashkë.

Çdo ditë e më shumë po vërtetohet fakti i pranuar edhe nga vetë opozita se nuk e mundin dot Edi Ramën po e patën përballë në përballjet elektorale. Dhe, për t’i shpëtuar turpërimit elektoral, shpikën fillimisht braktisjen e përfaqësimit politik në Kuvendin e Shqipërisë dhe tani së fundi, edhe vendimin për të mos hyrë në zgjedhje.

Herën e parë, kur LSI-ja iu bashkua vendimmarrjes së PD-së për të dorëzuar mandatet e deputetit, Lulzim Basha hyri në një borxh të madh politik ndaj LSI-së. Mos hyrja e LSI-së as në zgjedhjet vendore për t’i qëndruar besnik PD-së, e thelloi këtë borxh. Aq i madh është bërë detyrimi që PD-ja ka ndaj LSI-së, saqë Lulzim Bashës do i dalë për hundësh kjo rrugë që zgjodhi.

Do të ishte interesante që opozita të hynte në zgjedhjet vendore për të vetmen arsye për të parë aftësinë e Lulit për të negociuar me Monikën ndarjen e tortës elektorale për kandidatët e përbashkët. Absolutisht që në kushtet e sotme Monika do kërkonte shumë më tepër se sa do i takonin në një situatë tjetër. Lulzim Basha do ishte në pozita të vështira sepse sakrifica e LSI-së duhej shpërblyer me një PO për të gjitha ato zona që do i kërkoheshin si të lira.

Nga ana tjetër, ai do haste kundërshti prej të vetëve të cilët nuk mund ta pranonin  që të lëshonin pe në dëm të interesave të tyre politike. I ndodhur në mes këtyre dy zjarresh, Lulzim Basha do zgjidhte të digjej në zjarrin e LSI-së. Ama do ishte plotësisht i ndërgjegjshëm se reston e kësaj vendimmarrje për të treguar edhe ai besnikëri ndaj aleatit, do e pësonte në zgjedhje ku elektorati demokrat do e sabotonte çdo votë për kandidatët e LSI-së.

Dhe që kjo skemë nuk do funksiononte nuk do ishte fare nevoja të pritej dita e zgjedhjeve, sepse do shihej që gjatë fushatës elektorale se sa të gjindshëm do ishin demokratët për të bërë fushatë për LSI-në. Kjo do prodhonte kundër reagim prej LSI-së duke rrezikuar edhe kandidatët demokratë në zonat e përbashkëta.

Si rrjedhojë e kësaj situate të rrezikshme për të ardhmen politike, si të Lulzim Bashës, ashtu edhe të Monika Kryemadhit, ata vendosën t’i bien shkurt; nuk u futen fare në zgjedhjet vendore. Fundja, ata të humbur se të humbur do të ishin, kështu të paktën shpëtojnë nderin politik të tyrin dhe të partive që përfaqësojnë.

Kjo dyshe politike as nuk e ka fare në plan të parë elektoratin e vetë. As nuk u bëhet vonë se do i lënë pa përfaqësim politik në rang vendor, pikërisht në atë institucion i cili është më afër halleve dhe problemeve të qytetarëve.

Pyetja që lind pas kësaj vendimmarrje të opozitës është: Ku është qëllimi i saj dhe çfarë do të arrijë ajo prej kësaj braktisje?

Është e kuptueshme që mos marrja pjesë në zgjedhje e PD-së dhe LSI-së, logjikisht do të çonte në një fitore plebishitare të zgjedhjeve nga PS-ja, si në rang kryetarësh, ashtu edhe këshilltarësh vendorë. Opozita ka deklaruar se do e pamundësojë zhvillimin e zgjedhjeve duke përdorur “armën” e mosbindjes civile. Ajo do aplikojë, sipas saj,  fillimisht bllokimin e rrugëve dhe më 30 qershor do krijojë situatë të atillë që, sipas saj, qytetarët e interesuar të mos e shprehin vullnetin me votë.

Që opozita ka kontingjente të tilla individësh për të krijuar situata dhune e tensioni, kjo tashmë është e qartë nisur edhe nga protestat e organizuara prej saj. Bile një pjesë e këtyre huliganëve e bëjnë me shumë zell këtë punë, përfshi edhe disa ditë në qeli, pasi e konsiderojnë si një lloj dekorate për nesër kur kësaj opozite t’i vijë radha për të ardhur në pushtet, me qëllim që sakrifica e djeshme t’u shpërblehet me vende të mira pune, sigurisht të përzgjedhura nga vetë ata.

Gjithsesi, sado të përpiqen e të lodhen për të krijuar situatë rrëmuje, më shumë punë kanë për t’i prishur vetes se sa qeverisë nga pikëpamja elektorale. Nuk ka asnjë shans që elektorati shqiptar të votojë forca politike destruktive të cilat jo vetëm që nuk ngjallin shpresë, përkundrazi, shtojnë ankth e pasiguri nëse do t’u besohet pushteti.

Siç thashë pak më lart, strategjia e opozitës është që duke qenë se PS-ja fiton në mënyrë absolute pushtetin vendor, ajo shpreson se ky super-pushtet do të jetë shkaku i rrëzimit të saj. Por, përpara se të arrijë këtë fitore gjigante, opozita ka pritshmëri tek faktori pjesëmarrje. Ajo do vëzhgojë me kujdes se sa do të jetë i interesuar elektorati të shkojë tek kutia, ku opozita jashtë parlamentare nuk merr pjesë në zgjedhje. Raporti midis pjesëmarrësve dhe atyre që nuk do të shkojnë të votojnë, do përcaktojë njërin nga argumentet e opozitës për legjitimitetin e zgjedhjeve.

Një tjetër aspekt që PD e LSI presin, është se si do ecë procesi i votimit. Duke qenë se ato nuk do të jenë pjesë e komisioneve zgjedhore, si në qendrat e votimit ashtu dhe ato të numërimit, ky është një tjetër proces kyç nga i cili opozita shpreson që të përbaltë zgjedhjet.

Personalisht nuk i druhem fare as përbetimeve të opozitës për rrëmuja, e as procesit të pjesëmarrjes në zgjedhje. Problematikë paraqet pikërisht pjesa që ka të bëjë me procesin e votimit dhe numërimit në mungesë të opozitës jashtë parlamentare. Në qendrat urbane procesi mund të eci fjollë sipas ligjit, por në periferi apo zona rurale, zelli i disa të krisurve rrezikon të prodhojë një 26 maj të dytë. Do mjaftonte që qoftë edhe në një qendër votimi procesi të bëhej pis, dhe opozita do e kishte kauz jo vetëm për të përbaltur procesin në tërësi, por edhe atë të mëparshmin në veçanti me synim final, shkaktimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Në këto kushte, del detyrë imediate që të përzgjidhen komisionerë besnikë të ligjit për të zeruar çdo njollosje të procesit në këtë aspekt. Ky është momenti më delikat i zgjedhjeve i cili, do nderojë ose turpërojë qeverinë dhe Partinë Socialiste. Nëse ia del me sukses të shmangë çfarëdolloj ndërhyrje në kuti që deformon vullnetin e votuesve qoftë edhe në favor të partive të tjera, apo në pjesëmarrjeje për të rritur artificialisht numrin e votuesve anembanë Shqipërisë, atëherë mund të qeverisë e qetë sado gam-gam të bëjë opozita.

As qeveria e as kryeministri Rama nuk u kanë asnjë borxh opozitës jashtë parlamentare për çështjen e mos pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje. Problemi është kur qeveria bëhet pengesë ndaj opozitës që ajo të shkojë në zgjedhje, jo kur kjo e fundit me vullnet të lirë të saj vendos t’i bojkotojë ato. Prandaj, dhe këtë e theksoj fort, fokusi i qeverisë nuk duhet të jetë fare se çfarë bën opozita, por tek legjitimiteti i procesit të votimit dhe të numërimit. Fati dhe e ardhmja e qeverisë varet vetëm nga ky aspekt. Çuditërisht, edhe i opozitës.

B.K./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?