“Një dritare e vetme”, kështu e kanë titulluar qeveritë e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë projektin për lehtësimin e procedurave të bisnesit, i cili mbështetet dhe nga Banka Botërore.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Drejtoria e Doganave, me në krye Gent Gazhelin lajmërojnë se kanë pasur një takim online me IFC, pjesë e Grupit të Bankës Botërore, lidhur me implementimin e platformës “National Single Window in Albania”.
Mes të tjerash në njoftim thuhet se ‘Qeveritë e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë kanë marrë angazhim zhvillimin e “Një dritare të vetme kombëtare për tregtinë”, si pjesë e një përpjekje më të gjerë për lehtësimin e tregtisë dhe transportit'.
Në takimin online ka marrë pjesë edhe Ministri i Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjen, Eduart Shalsi.
Gazheli, gjatë fjalës së tij vlerësoi, se implementimi i “single window” edhe në vendin tonë do të lehtësojë procedurat doganore për biznesin dhe do të forcojë bashkëpunimin mes agjencive ligjzbatuese në kufi.
“Implementimi i saj sjell uljen e kohës së zhdoganimit, uljen e kostove për bizneset, lehtësi dhe transparencë. Funksionimi efektiv i “ditares së vetme kombëtare”, do të kontribuojë në rritjen e konkurrencës së ekonomisë dhe atraktivitetin e vendit tone, por edhe rajonit për tërheqjen e investitorëve të huaj. Administrata Doganore është plotësisht e përkushtuar në këtë proces, dhe është e gatshme të sigurojë të gjitha udhëzimet dhe mbështetjen e nevojshme për zhvillimin dhe implementimin e saj”, shkruan drejtoria e Përgjithshme e Doganave në Facebook.
“Single window” është platformë që lejon paraqitjen e informacionit për të përmbushur kërkesat rregullatore midis operatorëve ekonomikë dhe autoriteteve shtetërore. Ajo bën të mundur komunikimin elektronikisht midis autoriteteve doganore dhe të gjitha institucioneve kombëtare që lëshojnë leje, licensa, autorizime, etj, të cilat janë të domosdoshme për kryerjen e procedurave doganore në import-eksportin e mallrave.