ANGLI - Legjenda e Leicester City dhe Premier League, Jamie Vardy ka njoftuar se do të largohet nga klubi këtë verë pas skadimit të kontratës. Vardy kaloi 13 sezone në stadiumin "King Power" dhe është quajtur "lojtari më i mirë në histori" nga vetë klubi.
Sulmuesi iu bashkua Leicester Cityt në vitin 2012 nga Fleetwood Town për një milion paund dhe në 13 vitet e tij me skuadrën, ai fitoi dy tituj Championship, FA Cup dhe më e paharrueshme, Premier League në vitin 2016 nën udhëheqjen e Claudio Ranierit.
Duke folur për faqen zyrtare të Leicester City, kryetari i klubit Aiyauatt Srivaddhanaprabha tha: "Jamie është unik. Ai është një lojtar i veçantë dhe një person akoma më i veçantë. Ai mban një vend në zemrat e të gjithëve që janë të lidhur me Leicester City dhe sigurisht ka respektin dhe dashurinë time më të thellë. Unë jam pafundësisht mirënjohës për gjithçka që i ka dhënë këtij klubi futbolli."
Gjatë karrierës së tij deri më tani me "Dhelprat", Vardy ka bërë afro 500 paraqitje për klubin, duke shënuar më shumë se 190 gola, duke përfshirë 11 gola gjatë sezonit të tyre fitues të titullit në Premier League.
Ndeshja e fundit e Vardy për Leicesterin në 'King Power' vjen kundër Ipswich më 18 maj, ndërsa ndeshja e tij e fundit në histori është kundër Bournemouth më 25 maj. Vardy largohet edhe pasi Leicester nuk mundi të mbijetonte në Premier League për sezonin e ri.
Komente
