Kryebashkiaku i Kamzës, Rakip Suli paditi në SPAK ish-kreun e bashkisë Xhelal Mziun.
Sipas Sulit, ish-kryebashkiaku ka abuzuar me lejen e miratuar për ndërtimin e thertores në zonën e Laknasit.
Kjo padi e Sulit është e treta ndaj ish-kryebashkiakut që depozitohet në SPAK.
"Me anë të veprimeve të kryera dhe mosveprimeve të realizuara ish kryetari i bashkisë Kamëz Xhelal Mziu, ka favorizuar në mënyrë të paligjshme subjektin privat, i cili është pajisur me leje zhvillimi dhe ndërtimi për ndërtimin e një kompleksi blektoral dhe stabiliment therje në bregun e lumit në Laknas pa marrë miratimin zyrtarë nga Agjencia e Menaxhimit të Burimeve Ujore siç dhe është kërkesa ligjore por ka patur zyrtarisht në mënyrë të përsëritur refuzimin e dhënies së autorizimit për të kryer investim privat në këtë teritor. Në mënyrë të përsëriturështë refuzuar kjo leje për shkak të përgjigjes negative nga institucioni i Agjensisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore dhe ish Kryetari i Bashkisë, pa e patur këtë autorizim jepet Leje zhvillimi dhe ndërtimi në mënyrë të paligjshme dhe abuzive" - thuhet në dokumentin e dorëzuar nga Rakip Suli në Prokurorinë e Posaçme.
Në vitin 2019, Suli e paditi Mziu për dhënien e lejeve të ndërtimit pa kriter madje në zona që janë përcaktuar si park Kombëtar, por edhe në shtratin e lumit që ishte përcaktuar për t'u lidhur me liqenin e Tiranës.
Ndërkohë ish-kreu i Bashkisë së Kamzës i ka mohuar këto akuza. Në një reagim në rrjet sociale, Mziu shkruan se leja për të cilin flet Suli, i është refuzuar kompanisë dy herë por pasi i plotësonte kushtet është lejuar që të bëjë ndërtimi. Ish-kreu i Kamzës tha se këto akuza vijnë nga padituria e Sulit për të njohur ligjin.