Arkitekti Gjergj Caca komentoi paketën e masave që u prezantuan një ditë më parë për mbrojtjen e pronës dhe territorit. Në një intervistë për “Sot Live në Shqipëri” në Report TV, arkitekti tha se përshëndet hapat e ndërmarra, megjithëse theksoi se do të duhej që të ishin marrë shumë kohë më parë. Sipas tij, e rëndësishme është forcimi i rolit të mbikëqyrësit shtetëror për objektet që do të ndërtohen.
"Ideja është që duhet të ishin bërë shumë më përpara por gjithsesi asnjëherë nuk është vonë. Një gjë e mirë pozitive është se u vu në theks pozicioni i arkitektit pasi ka munguar gjithë këto vite. Domethënë krijimi i arkitekti nuk menaxhohet nga arkitekti. Që ti kërkosh llogari dhe t'i vësh faj, duhet ta ketë këtë të drejtë. Në asnjë kantier nuk shikon arkitekt përveçse me raste dhe që të jetë i kontraktuar për të ndjekur objektin nga A në Zh. Kjo është një gjë pozitive por përveç kritikave, kryeministri të shikojë edhe aspektin tjetër. Atë që arkitektët funksionojnë në 90% të rasteve edhe në botë me konkurse. Rama kur ishte në bashki ishte promotori i konkurseve në fillim dhe më pas u zbehën deri në zhduklje. Do të ishte kënaqësi që arkitektët të ndjekin hap pas hapi krijesat e veta. Por duhen vendosur edhe kohë. Nga bërja e kontratës me arkitektin deri në dorëzimin e projektit se një projekt që të zbatohet mirë, duhet të ketë kohën e mjaftueshme. Kështu që normalisht, nëse vendosen rregulla është pozitive.", u shpreh arkitekti.
Duke u ndalur te paralajmërimi i kryeministrit se asnjë objekt në ndërtim nuk do të lidhë ujin dhe dritat pa marrë certifikatën e përdorimit, Caca propozoi edhe një masë tjetër. Sipas tij, është e nevojshme që të bllokohet një përqindje e caktuar e vlerës së parashikuar nga ndërtuesi për ndërtimin e objektit, si një garanci për përfundimin e ndërtimit të tij pa pasur shkelje dhe brenda parametrave të përcaktuara.
Caca u shpreh gjithashtu se forcimi i rregullave dhe përshpejtimi i procesit të marrjes së lejeve, do të minimizonte në maksimum ndërtimet pa leje.
"Duhet shtuar edhe një sasi përqindje e buxhetit për ndërtimin e atij projekti që merret leje. Të jetë e bllokuar nëpër banka për të garantuar mbarimin e objektit që merr leje. Edhe bankat i kanë forcuar rregullat për të marrë një kredi, kështu që automatikisht kalon në zvogëlimin e potencialit për t’u financuar nga banka. Në Shqipëri, ne kemi pengesë të madhe se sot është më e vështirë të ndërtosh me leje sesa pa leje. Për mua duhen minimizuar ose përshpejtuar proceset e marrjes së leje. Kështu t’i minimizon ndërtimet pa leje duke vendosur rregulla të qarta.", përfundoi ai.
Sa i përket paralajmërimit për ata që shesin dy herë një apartament, Caca u shpreh se një fenomen i tillë është minimizuar ndjeshëm.
"Që nga 2015 e këtej me regjistrat elektronikë të noterëve është minimizuar pjesa e shitjes disa herë. Nuk i falet kryeministrit që në mandatin e 4 përmend se ekzistojnë shitjet disa herë. Duhet të merrte fund. Gjithsesi është drejt shuarjes pasi që nga 2020 shumica nisin hipotekimin që nga kontrata e marrëveshjes. Kjo është gjëja më e mirë sepse me të drejtë e tha, se shikon tjetër gjë në projekt dhe tjetër në të zbatuar. E ka për detyrë që nga kryeministri deri te punonjësi fundor i IMT për të kontrolluar çdo hap që të zbatohet objekti sipas projektit.", u shpreh ai.
Komente
