Lejleku i zi

Lejleku i zi me sjelljen e çuditshme rikthehet në tokën shqiptare (FOTO)

21 Maj 2020, 20:06| Përditesimi: 21 Maj 2020, 20:13

  • Share

Një lloj tjetër shpendi i rrallë është parë në tokën shqiptare, pas flamingove rozë. Lejleku i zi i quajtur ndryshe "Ciconia nigra", sikurse shumë shpendë të tjerë folezues, vjen në Shqipëri gjatë stinës së pranverës.

Të dhënat për këtë specie janë të pakta, kjo për shkak se është një shpend vetmitar që e shmang kontaktin me njeriun.

Sipas Shoqërisë Shqiptare të Ornitologjisë (AOS) ai preferon pyje të vjetër e me pemë të larta, ku dhe ndërton folenë. Ndërkohë, për t’u ushqyer preferon habitate me ujëra të cekëta si këneta, moçale etj, ku gjuan peshq, amfibë, reptilë të vegjël, insekte, kërminj etj.

Pikërisht kjo mënyrë jetese, larg vëmendjes së njeriut, ka bërë që vrojtimi i kësaj specie të jetë një ngjarje e rrallë.

Megjithatë Lejleku i zi është vrojtuar kryesisht pranë luginave lumore dhe rrjedhave të tjera ujore sikurse në Luginën e Vjosës, Luginën e Drinos, Bunë, Drini i Zi, Përroin e Kardhiqit, Përroin e Bënçës etj. Po kështu, ndër vendet e përhapjes së tij njihen dhe zona si Divjaka, Akërnia, Rezervuari i Thanës, Bulo, Drini i zi etj.

Ekspertët e AOS para tre ditëve panë 3 individë të Lejlekut të zi në zonën e Gjirokastrës, ku dhe në vitet e kaluara ka pasur disa vrojtime të këtij shpendi.

Këto vrojtime dhe të tjera në Kutë, Corush, Qesarat, etj lënë të kuptosh se vendi më i rëndësishëm i përhapjes së tij në Shqipëri mbetet rrjedha e mesme e Vjosës dhe Lugina e Drinit. Për fat të mirë, këta lumenj ende të lirë nga digat e hidrocentraleve, me xhepat ujorë të krijuar gjatë verës ofrojnë një habitat shumë të përshtatshëm për këtë specie.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?