Lejuan Gëzim Çelën të ndërtojë pa leje, drejtori i IMT Kurbin mbetet në burg! Gjykata lë në fuqi pezullimin e inspektorëve

1 Maj, 12:40| Përditesimi: 1 Maj, 16:05

  • Share

LEZHË- Një i moshuar që po hetohej për shtesë pa leje, i dha indicien kryesore Prokurorisë së Lezhës për zbulimin e skandalit të ndërtimit pa leje nga “baroni i drogës” Gëzim Çela në zonën e mbrojtur të Lagunës së Patokut. Në dëshmi, burri i moshuar deklaroi se godina e tij me shtesë pa leje ishte e papërfillshme krahasuar me atë ç’ka po ndodhte në lagunën e Patokut dhe e kishte fjalën pikërisht për godinën në pronësi të “baronit”, i cili rezulton të mos jetë vetëm i drogës, por edhe “baron i Patokut”.

Gjykata e Lezhës la në fuqi masat “arrest në burg” për drejtorin e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Kurbin, Jetmir Mzhika dhe ish-drejtorin e Inspektoriatit të Territorit në Lezhë, aktualisht drejtor i Filialit të Postës, Flori Gjini. Po ashtu, togat e zeza pranuan kërkesën e prokurorit Sabri Kastrati për të lënë në fuqi edhe pezullimin nga detyra të 3 inspektorëve. Masa ndaj të dyve u dha pas një hetimi 6 mujor të bërë nga akuza e Lezhës, nga ku rezultoi se zyrtarët lejuan ndërtimin e një objekti në pronësi të Gëzim Çelës.

Bëhet fjalë për një ndërtesë ngjitur me kompleksin “Royal Blu”, në pronësi të ish-policit që u bë krah me krimin, e cila pas hetimeve të prokurorisë rezultoi se ishte ngritur pa leje, tashmë e vendosur në sekuestro preventive. Ndërtimi biznes, së bashku me “Royal Blu”, i vendosur më herët nën sekuestro nga SPAK, ndodhet në zonë të mbrojtur te Laguna e Patokut dhe është ndërtuar nga Çela, edhe pse kompania është në emrin e kushëririt të tij, Fatjon Frangaj.

Kompleksi turistik i Gëzim Çelës në rrugën kryesore të Patokut duhej të kishte sjellë reagimin e Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në Kurbin, por asnjë inspektor nuk ka bërë kontrolle në territor. Ndaj me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Lezhës caktoi fillimisht në mungesë masat ndaj 2 zyrtarëve, të cilat u rikonfirmuan sërish këtë të mërkurë, 1 maj.

5 masat e sigurisë që janë ekzekutuar
Jetmir Muzhika, drejtor i IMT, bashkia Kurbin- “Arrest në burg”
-Flori Gjini, ish-kryeinspektor i IKMT Lezhë- “Arrest në shtëpi”
-Rivelioni Ismalaj, inspektor i IMT, bashkia Kurbin- Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik
-Shan Preci, inspektor i IMT, bashkia Kurbin- Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik
-Artur Përdoda, inspektor i IMT, bashkia Kurbin- Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?