Bashkia Diber

Kronikë

Lejuan ndërtime pa leje, nën hetim kryeinspektori i IMT-së Dibër dhe 3 inspektorë

2 Qershor 2021, 10:23| Përditesimi: 2 Qershor 2021, 10:44

  • Share

Kryeinspektori i IMT-së Dibër dhe 3 inspektorë janë vënë nën hetim pasi lejuan qytetarët të bënin ndërtime pa leje.

Nën hetim janë Ermal Xhaka, 37 vjeç, me detyrë Kryeinspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, si dhe Jetmir Osmani 32 vjeç; Fitim Raska 33 vjeç; Shpëtim Iskurti 51 vjeç, të tre me detyrë Inspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, në Bashkinë Dibër.

Ndërkaq janë goditur edhe 3 raste të prerjes së paligjshme të pyjeve. 2 të rinj të moshës 22 vjeçare në Bulqizë, janë vënë nën hetim pasi pasi gjatë kontrollit të ushtruar për mbrojtjen e territorit nga prerja e paligjshme e pyjeve, u kapën duke prerë lëndë drusore në mënyrë të paligjshme. Gjithashtu ka filluar procedimi penal ndaj shtetasve R.Sh., 33 vjeç; A.C., 52 vjeç, pasi  janë kapur  duke transportuar me automjetet e tyre, lëndë drusore pa dokumentacion përkatës. 

Kryeministri Edi Rama ka dhënë urdhër që javën e ardhshme të nisë shembja e ndërtimeve pa leje, kryesisht në bregdet. Kryeministri u ka lënë afat pronarëve që kanë ndërtuar pa leje 5 ditë kohë, deri të hënën, që t'i shembin vetë, pasi në të kundërtën, pasojat do të jetë të rënda. Paralajmërimi shkon për të gjithë, që nga investitorët deri tek punonjësit e kantiereve apo edhe shefat e policisë.

Njoftimi i plotë:

Lejuan qytetarët që të kryenin ndërtime pa leje, procedohen penalisht 4 punonjës të Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit. Evidentohen dhe goditen nga Policia dhe 3 raste të prerjes së paligjshme të pyjeve. Sekuestrohet lëndë drusore, mjete pune dhe automjetet që do të bënin transportin e tyre.

Specialistët  e Seksionit për  Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në DVP Dibër, referuan materialet procedurale në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, dhe filloi procedimi penal ndaj shtetasve:

E.Xh., 37 vjeç, me detyrë Kryeinspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Dibër. J.O., 32 vjeç; F.R., 33 vjeç; SH.I., 51 vjeç, të tre me detyrë Inspektor pranë Inspektoriatit Vendor të Mbrojtjes së Territorit, Bashkia Dibër.

Procedimi penal ndaj tyre ka filluar pasi dyshohet  se kanë konsumuar elemente të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi duke mos kryer detyrat e tyre funksionale për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundraligjshme, kanë  lejuar qytetarë që të kryenin  ndërtime pa leje në territorin e Bashkisë Dibër.

Nga specialistët  për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë, filloi procedimi penal ndaj shtetasve : V.D., dhe E.K., 22 vjeç, banues në Bulqizë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar për mbrojtjen   e territorit nga prerja e paligjshme e pyjeve, shërbimet e Policisë Bulqizë në bashkëpunim me specialistët e Shërbimit Pyjor, pranë Bashkisë Bulqizë, konstatuan shtetasit e lartëpërmendur duke prerë lëndë drusore në mënyrë të paligjshme.

Gjithashtu ka filluar procedimi penal ndaj shtetasve R.Sh., 33 vjeç; A.C., 52 vjeç, pasi  janë kapur nga shërbimet e policisë duke transportuar me automjetet e tyre, lëndë  drusore pa dokumentacion përkatës. Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Policia e Dibrës do të vijojë kontrollet për parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore dhe në këtë kuadër kërkon bashkëpunimin e qytetarëve që të denoncojnë çdo rast të paligjshmërisë në Komisariatin Dixhital apo në numrin pa pagesë 112, duke siguruar anonimatin dhe reagim të paanshëm kundrejt shkelësve të ligjit.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?