MALLAKASTËR-Prokuroria e Fierit ka dërguar për gjykim 3 zyrtarë të IMT-së së Mallakastrës dhe 3 policë, të akuzuar se lejuan 7 ndërtime pa leje edhe pse ishin në dijeni. Në gjyq është çuar edhe një qytetar që ndërtoi në mënyrë të paligjshme.
Pas një hetimi të nisur që në tetor 2024, Prokuroria e Fierit ka dalë në përfundimin se qytetarët që ndërtonin pa leje, pajiseshin me deklarata paraprake për kryerje punimesh dhe më pas kryenin ndërtime të cilat kërkonin pajisje me leje ndërtimi.
“Në përfundim të hetimeve të procedimit penal nr.1665, datë 21.10.2024, u evidentuan 7 raste të ndërtimeve pa leje nga shtetas të ndryshëm të Bashkisë Mallakastër. Këta shtetas kryesisht pajiseshin me deklarata paraprake për kryerje punimesh dhe më pas kryenin ndërtime të cilat kërkonin pajisje me leje ndërtimi. Në disa raste të ndërtimeve pa leje, rezultoi se strukturat përkatëse inspektuese dhe Ndihmës Specialistët e zonës ishin në dijeni të ndërtimeve pa leje dhe nuk ushtronin përgjegjësitë e tyre sipas ligjit”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Fierit.
Nga hetimi u provua se kryeinspektori Ajet Xeba, dhe dy inspektorët Shkëlqim Xheladini dhe Kevin Ymeraj, nuk ushtruan detyrat në 7 rastet e ndërtimeve pa leje. Po ashtu edhe 3 policët, Ylli Korroveshaj, Irfan Bajrami e Dashamir Jaupaj, nuk kanë ushtruar detyrat në kontrollin, evidentimin dhe identifikimin e ndërtimeve pa leje, megjithëse kanë qenë në dijeni të tyre.
“Megjithëse ishin vënë në dijeni për ekzistencën në disa raste të këtyre ndërtimeve, ato nuk ushtronin detyrën funksionale sipas ligjit nr. 9780, datë 16.7.2007 “Për inspektimin dhe mbrojtjen e territorit nga ndërtimet e kundërligjshme”, ligjit nr. 107/2024 “Për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”, si dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tyre, duke i ngarkuar me përgjegjësi sipas nenit 248 të Kodit Penal.
Gjithashtu, mos ushtrimi i përgjegjësive sipas ligjit nr.108/2014 “Për policinë e shtetit”, dhe akteve nënligjore të dala në zbatim të tij, u evidentua dhe për 3 Ndihmës Specialist/SPZ, pranë Komisariatit të Policisë Mallakastër, konkretisht shtetasit Y.K, I.B, D.Y. Rezultoi se, këta shtetas nuk kanë ushtruar detyrat e tyre funksionale në kontrollin, evidentimin dhe identifikimin e ndërtimeve pa leje, megjithse kanë qënë në dijeni të tyre. Dijenia e tyre rezultoi nga aktet shkresore të marra gjatë hetimit”, njoftoi Prokuroria e Fierit.
Të 6 janë pezulluar nga detyra, ndërsa ndaj 3 zyrtarëve të IMT-së është caktuar masa e detyrim paraqitjes.
Komente
