Ish kryetari i Komunës së Bërxullës Ymer Marku së bashku me 3 ish zyrtarë të tjerë janë marrë të pandehur nga prokuroria e Tiranës, për shpërdorim detyre dhe falsifikim të dokumenteve dhe dosja e tyre u dërgua për gjykim.
Sipas akuzës ish kryetari Ymer Marku, e dy ish-zyrtarët e tjerë të kësaj komunë Kujtim Balliu dhe Agim Loci lejuan përfitimin e paligjshëm nëpërmjet falsifikimit të 7500 m2 tokë nga personi katërt Kujtim Allmeta, i cili më pas e shiti në vlerën 10.000.000 lekë.
Prokuroria thotë se në bazë të veprimeve hetimore, dhe ekspertimeve u arrit në konkluzionin se Kujtim Allmeta ka kryer krimin e falsifikimit me pasoja të rënda për personat e tretë të cilëve u përkiste kjo pasuri. Nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, ai është pajisur me certifikatë pronësie për pasurinë në Bërxullë 7500 m2 dhe më pas në vitin 2020 e shiti duke përfituar shumën prej 10.000.000 lekësh.
Ndërsa Ymer Marku, Kujtim Balliu dhe Agim Loci kanë shpërdoruar detyrën pasi kryen veprime në kundërshtim me ligjin të cilat kanë cenuar interesat e personave të tretë për shkak të dëmit të konsiderueshëm ekonomik që u ka ardhur si pasojë e tjetërsimit të paligjshëm të pasurisë së tyre.
Kujtim Balliu i cili nga muaji korrik 2011 deri në shtator 2015 ka mbajtur postin e Përgjegjësit të Zyrës së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, në Komunën Bërxullë, duke ndërvepruar me ish-zyrtarët e tjerë, mes tyre dhe ish-kryetarin e Komunës dhe punonjësin tjetër, përpiloi shkresat për regjistrimin e pasurisë në emër të Kujtim Allmetës pa kryer verifikimin e dokumentacionit.
Me kërkesë të prokurorisë, 7500m2 tokë e përfituar me dokumente të falsifikuara është e sekuestruar deri ne përfundim të hetimeve.