Lekë Tasi, 'vizatimet e një jete' shpalosen në Galerinë FAB

17 Prill 2019, 21:19| Përditesimi: 17 Prill 2019, 21:29

  • Share

Ekspozita vetjake me titull “Vizatime të një jete” e artistit Lekë Tasi është çelur sot në Galerinë FAB në bashkëpunim me Platformën e Artit Bashkëkohor Harabel, themeluar nga Ajola Xoxa. E kuruar nga studiuesi Zef Paci dhe Platforma Harabel mundësohet ekspozimi për herë të parë i vizatimeve të Lekë Tasit. Kjo dhuratë i bëhet artistit me rastin e 90-vjetorit të lindjes. “Për këtë arsye, u mendua kjo paralele ndërmjet ardhjes, lindjes dhe vizatimit si lindje, zanafillë, si ngjizje e veprës së artit.”, shprehen organizatorët. Koncepti kuratorial i ekspozitës është bërë sipas një përzgjedhje në kërkimin artistik tejet afatgjatë të një personi që dikur jetonte në persekutim, i cili, duke mos mundur të shprehej lirisht nëpërmjet të folurit dhe shkrimit, ka përdorur dhe përdor vizatimin si një mjet komunikues në jetën e përditshme.

“Vizatimet e Lekë Tasit ruajnë frymën e historive të vogla, anekdotave, lojës, thashethemes; herë-herë përçojnë diçka epshore. Ai kërkon të tërheqë e drejtojë vëmendjen nëpërmjet asaj çka vizaton kah tensioneve të fshehura dhe të padëgjuara që gjallojnë hapësirën.”, shprehet kuratori Zef Paci.

I internuar më 1975 për arsye politike në Grabjan të Lushnjës, artisti Lekë Tasi kaloi një rini tepër të vështirë. Babai, xhaxhai, daja, vëllai, kishin qenë në burg politik. Kështu i konsideruar si pjesëtarë i një familjeje të padëshiruar nga regjimi, ai do të persekutohej si shumë të tjerë. E internuan. Ndërsa studionte për violonçel, ai ndërpret edhe studimin e instrumentit, sepse në internim ishte i dënuar të merrej me punë bujqësore. E gjithë jeta e tij artistike ka kaluar përmes vështirësive. Artisti kishte lindur në një familje me bindje të thella antikomuniste. Kështu që nga viti 1957 atij i mohuan shumë të drejta. Vite me pas kur nisi të merrej kryesisht me pikturën, iu hoqën nga ekspozita dy punime të tij, ndërsa më
1967-n e pushuan duke e dënuar që të punonte në fermë. I ndodhur mes njerëzve të përvuajtur ai e shkroi historinë e të internuarve me një kod të veçantë piktorik, duke e bërë të paharrueshme.

Ekspozita e Lekë Tasit e çelur në mjedisin e galerisë FAB pranë Universitetit të Arteve pati pjesëmarrje të madhe. “Vizatime të një jete” do të qëndrojë e hapur për publikun derri 28 prill 2019.

Jeta e artistit

Lekë Tasi ka lindur në vitin 1929 në Athinë në një familje emigrantësh shqiptarë. Ai studioi muzikë dhe punoi si violonçelist në Radio, Filarmoni dhe në Teatrin e Operës (1946-1967). I pushuar për arsye politike, u internua në Myzeqe, ku u mor me punë bujqësore. Lirimi i plotë erdhi në vitin 1990. Në vitin 1991 u emërua në sekretariatin për fenë në Ministrinë e Kulturës dhe më vonë në Kryeministri, ku qëndroi deri në vitin 1998.

Ai është marrë qysh i vogël me pikturë; fillimisht me grafikë (akuarel, tempera, pastel, bojë kineze, flomaster) dhe më vonë gati tërësisht me vaj. Megjithëse autodidakt, punimet e tij janë çmuar qysh herët nga piktorët e mirënjohur: Mio, Buza, Zajmi dhe Paskali, me të cilët këshillohej.

Lekë Tasi ka marrë pjesë në ekspozitën e përbashkët të organizuar nga Fondacioni Soros (1992) te Piramida dhe katër herë në GKA (në vitet 1992, 2003, 2007, 2015). Së bashku me piktorët Ll. Blido dhe R. Guci kanë ekspozuar në galerinë “Jozef” (Durrës, 2005). Ka qenë pjesëmarrës në ekspozitën “Onufri” tri herë përgjatë viteve ’90; pjesëmarrja e fundit shënohet në vitin 2004 me ekspozitën me titull “Vende të spikatura”.

Ndër ekspozitat vetjake përmenden ato në galeritë: “Exit” (Pejë, 2005), “Zeta” (Tiranë, 2012), si dhe “DIDART” (Tiranë, 2008-2012). Përtej Shqipërisë, ka ekspozuar në Muzeun e Artit Bashkëkohor në Xhenova (Genova, Itali) bashkë me 25 artistë të tjerë në ekspozitën “Arti në Shqipëri – para dhe pas vitit 1990” (nëntor 2009 – shkurt 2010). Në mënyrë vetjake, në Alba, Galeria d`Arte – Angelo Galeasso, ka hapur ekspozitën “La Mia Açademia delle Ore Libere” (21-29 korrik 2014). Në prill të vitit 2016 ka marrë pjesë së bashku me 163 artistë shqiptarë në veprimtarinë e Luciano Benetton Collection “Imago Mundi”.








 

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?