“Unë quhem Leonel Mesi dhe jam 15 vjeç!”
Nuk është argjentinas, por Leonel Mesi shqiptar.
“Unë vij nga fshati Mesi në Shkodër dhe emrin tim ma vendosi babai sepse duke pasur këtë mbiemër, ai vendosi të më ngjiste emrin Leonel. U bashkua dhe doli Leonel Mesi. Jam krenar për këtë emër që kam, pasi vetëm dy si ne ka: unë dhe ai i madhi (Lionel Messi),"-u shpreh Mesi.
Do të ishte ironike po të ishte tifoz i Ronaldos, e ke menduar ndonjëherë këtë me babin?
"Normal që do ishte për të qeshur, por Ronaldon s’e kam qef, unë jam fans i Lionel Messi-t,”-tha më tej ai.
15-vjeçari për Report TV tregon sesi reagojnë njerëzit kur mësojnë emrin dhe mbiemrin e tij.
“Kur u them se e kam emrin Leonel Mesi nuk më bësojnë, hapin sytë. Më thonë ti po tallesh me mua?! Jo u them Leonel Mesi e kam. Asnjëherë nuk më kanë besuar,”-u shpreh ai.
Leoneli Mesi vrapon pothuajse në çdo maratonë që organizohet në Shqipëri, por ndërkohë stërvitet dhe qëllim kryesor ka futbollin.
“Sporti im primar është futbolli. Jam në stërvitje me ekipin U-18 të Dinamos me profesor Genc Mahmutaj. Ky është sporti i preferuar, por kur kam qenë i vogël kam bërë edhe sporte të tjera si noti, boksi, mundja,”-deklaroi 15-vjeçari.
Në maratonën e Tiranës Leonel Mesi nga gjimnazi ‘Partizani’ zuri vendin e parë në kategorinë ‘Fun Run’.
“U ndjeva shumë mirë. Ishte hera e parë që garoja në Fun Run. Unë e dija që do e fitoja. Pasioni për maratonat ka ardhur nga babai im Bledar Mesi, i cili është kampion për 20 vitë në atletikë. Unë jam nga gjaku i tij dhe dardha mbie nën dardhë,”-tha Mesi.
Përveç se të bëhet një futbollist profesionist dhe një ditë të luajë me Barcelonën, ashtu si idhulli i tij, 15-vjeçari ëndërron që një ditë të veshë fanellën kuqezi të kombëtares.