Qendra ku stërviten ushtarët ukrainas

Leopard për fillestarët - kursi i ushtarëve ukrainas në tanket gjermane

2 Mars 2023, 08:27| Përditesimi: 2 Mars 2023, 08:29

  • Share

"Nuk kemi kohë. Duhet të kthehemi në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur", thotë Anatoli, i pyetur se sa e vështirë është stërvitja në Mynster të Gjermanisë. Anatoli është një nga disa qindra ukrainas që stërviten aktualisht në bazën më të madhe të ushtrisë gjermane. Mbiemri i tij mbetet sekret. Fytyra e tij është e maskuar, për shkaqe sigurie, sepse pas vetëm disa javësh ai dhe shokët e tij do të kthehen dhe të luftojnë sërish në frontin ukrainas. Para kësaj, në Mynster, ata po ushtrohen kryesisht në automjetin luftarak të këmbësorisë Marder dhe Leopard 2. Ata po mësojnë gjithashtu se si të koordinojnë dhe riparojnë tanket.

Ky është një trajnim që zakonisht zgjat disa muaj, shpjegon nënkoloneli Peter. Edhe mbiemri i tij është sekret. Ky oficer i Bundeswehr-it kryen stërvitje në tankun "Leopard 2". Një kurs pesë-javor, të paktën gjashtë ditë në javë, 12 orë në ditë. E diela është kryesisht e lirë - thotë nënkoloneli. "Por nëse konstatojmë se ka një deficit në stërvitje, do të punojmë edhe të dielën”.

Shpresat e mëdha 

Nënkoloneli përshkruan njohuritë e mëparshme të ukrainasve në Mynster si "shumë, shumë të ndryshme". Rreth 20 për qind e ekuipazheve të ardhshme të Leopard-it kanë përvoja të mëdha, por jo edhe të tjerët. Pra, të gjithë - drejtues tankesh, gjuajtës, ngarkues dhe komandantët - duhet të kalojnë një kurs të shpejtë në këtë bazë ushtarake. Shumica e trajnimeve janë praktike, gjithmonë me synimin për të trajnuar ushtarët për operacione luftarake efektive sa më shpejt, thotë Peter.

Edhe pse askush nuk e thotë me zë të lartë, vetëdija se për ukrainasit është në pyetje vetë mbijetesa, është gjithmonë e pranishme në stërvitjen në Mynster.

Përveç kësaj, çështja e sasisë së kufizuar të municioneve luan një rol të rëndësishëm, thotë drejtuesi i trajnimit: "Ne stërvitemi - dhe kjo është ajo që bën sistemi - në mënyrë që të qëllojmë me të parën objektivat e kundërshtarit, nëse është e mundur."

Për Anatoli është kjo diçka e re. "Ne kemi punuar në tanke luftarake sovjetike. Ato janë të vjetra - e këto janë moderne dhe të reja. Ne kemi shpresa të mëdha tek tanket moderne luftarake", thotë ai. Ai dëshiron të falënderojë gjermanët, thotë përkthyesi i Anatoli, Olek. Olek është edhe vetë ushtar, erdhi në Mynster nga Ukraina disa javë më parë dhe tani ndihmon në përkthime dhe organizimin e stërvitjes.

Mësimi i gjuhës

Trajnimi i shpejtë për ukrainasit në Mynster është i mundur vetëm përmes përkthyesve si Olek. Pajisjet e kontrollit, njësitë e kontrollit - gjithçka është në anglisht ose gjermanisht.

Disa nga konceptet më të rëndësishme janë përkthyer para fillimit të trajnimit, por jo të gjitha. Kjo është arsyeja pse pas 12 orësh stërvitje gjatë ditës, ukrainasit shpesh duhet të mësojnë fjalorin e tankeve në mbrëmje. "Por shumë gjëra mund të shpjegohen edhe me duar e këmbë”, thotë kapiteni Stefan. Ne ju tregojmë e ata përsërisin, po punojmë me një koncentrim të madh, sepse këta ushtarë duhet të kthehen prapë në luftë, thotë ai.

Pistorius: Të gjithë janë dakord

Tanket gjermane Leopard-2 dhe Marder duhet të mbërrijnë në Ukrainë deri në fund të marsit. Gjithçka tashmë është rënë dakord, thotë ministri federal i Mbrojtjes Boris Pistorius gjatë një vizite në qendrën e trajnimit në Mynster.

Anatoli do të jetë një nga ushtarët e parë ukrainas që do të luftojë në tanket gjermane në Ukrainë. Por ai me siguri nuk do të jetë ukrainasi i fundit që do të stërvitet në Mynster. Ministri i Mbrojtjes Pistorius siguroi Ukrainën gjatë vizitës së tij se Gjermania do të trajnojë aq ushtarë sa të nevojiten./DW

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?