Kandidati demokrat Gjin Gjoni dhe kryebashkiaku socialist, Pjerin Ndreu kanë hedhur akuza në drejtim të njëri-tjetrit në rrjetet sociale, për zgjedhjet e 11 majit.
Gjoni akuzon Pjeriun Ndreun dhe thotë se çdo tentativë për të devijuar vullnetin e zgjedhësve do të ketë përballë atë dhe gjithë demokratët e Lezhës.
“Unë nuk kandidoj për interesa personale apo për mandat. Po luftoj për fitoren e Partisë Demokratike dhe për ndryshimin që qytetarët e Lezhës e meritojnë. As ti Pjerin, as mërcenarët tuaj nuk do ta ndalin këtë fitore”, shkruan ndër të tjera Gjin Gjoni.
Kandidati demokrat thotë se asnjë tentativë apo makinacion i levave të pushtetit nuk do mund ta ndalojë fitoren e thellë të PD në Lezhë.
“Nuk mund të fshihesh më pas retorikës boshe: ke larguar nga puna qindra qytetarë vetëm pse ishin mbështetës të Partisë Demokratike. Institucionet i keni fryrë me punësime klienteliste për qëllime elektorale, e din e gjithë Lezha, por më 11 maj qytetarët do të flasin me votë”, vijon Gjoni.
I menjëhershëm ka qenë dhe reagimi i Pjerin Ndreut, i cili i thotë Gjin Gjonit se askush në Lezhë nuk ka nevojë të bëjë presione apo shantazhe, sepse lezhjanët e kanë zgjedhur vetë se kujt do t’ia besojnë votën.
“Ruaj qetësinë, miku im, se fryrjet e tua publike nuk sjellin vota e as nuk intimidojnë njeri – veç të identifikojnë si të paditur elektoral! Le më të trembi njeri!
Më 12 ruaj këto, se e keni zakon, e ti s’del dot nga gjirizi i thashethemeve dhe i një partie rrangallë që ti s’e ngre dot në këmbë”, shkruan kryebashkiaku i Lezhës.
Pjerin Ndreu i thotë kundërshtarit opozitar se nëse do të jetë i zoti, mund të fitojë dhe të marrë rezultatin e dëshiruar në qark, por këtë nuk do ta ketë dot të mundur sepse Partia Demokratike nuk ka alternativë, por ka rënë në batakun e alibive të pabaza.
“Kënaq vetëm ca militantë që të kanë futur në këto hulli, ku do të ftillohesh veç më 12 të mesditës! Ajo puna e grave të Balldrenit dhe autobusëve të Pukës janë “perla” që të shpërfytyrojnë si kandidat në sytë e elektoratit”, vijon ai.
Komente
