Shkolla në Peqin

Lëshonte diploma false të shkollës së mesme me 3 mijë euro, GJKKO dënon mësuesin e Fiskulturës, ish-nënkryetar i PD në Peqin! Por ia konverton në 3 vite shërbim prove (EMRI)

25 Tetor, 12:40| Përditesimi: 25 Tetor, 12:56

  • Share

Tiranë- Gjykata e Posaçme ka shpallur fajtor dhe dënuar sot me 3 vite me kusht mësuesin e Fiskulturës në një shkollë 9-vjeçare të Peqinit, i denoncuar dhe akuzuar prej muajit prill të vitit të kaluar, se shiste diploma false të shkollës së mesme, duke ndikuar edhe te të tjerët, me pagesa deri në 3 mijë euro.

Vendimi është dhënë sot (25 Tetor) ndaj Adrian Canit, me veprën penale “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike, pasi mësuesi dyshohej se kishte edhe rolin e sekserit.

GJKKO pranoi kërkesën e SPAK dhe dënoi pas pretencës Canin me 2 vite dhe 3 muaj burgim, po për shkak të gjykimit të shkurtuar u zbrit në 1 vit dhe 6 muaj iziolim dhe duke marrë parasysh rrethanat e tjera të masës së sigurisë së mëparshme dhe ato lehtësuese, ky dënim u konvertua në dënim me kusht me 3 vite shërbim prove.

Gjykimi i kësaj ҫështje u zhvillua me rregullat e gjykimit të shkurtuar. Denoncimi i mësuesit u bë në një emision investigativ vitin e kaluar. I pandehuri e pranoi akuzën e ngritur, duke përfituar edhe gjykimin e shkurtuar.

Adrian Cani mësues fizkulture në shkollën 9-vjeçare “Adem Bedalli “ në Peqin , bën pazare për shitje diplome të shkollës së mesme kundrejt 3 mijë eurove.

Dikur ish-drejtor gjimnazi në qytetin e Peqinit, mësuesi Cani premtonte diplomat duke ndërhyrë tek shkollat e mesme. Adrian Cani në kohën e marrjes nën akuzë ishte njëkohësisht është pedagog i jashtëm në një universitet privat në kryeqytet, por edhe nënkryetar i Partisë Demokratike në Peqin.

Ja vendimi i shpallur sot i GJKKO:

“Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Flojera Davidhi dhe Ardit Mustafaj, me vendimin Nr. 63, datë 25.10.2024 vendosi:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Adrian Mustafa Cani, për veprën penale të “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të parashikuar nga neni 245/1 paragrafi i katërt i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 2(dy) vite e 3 (tre) muaj burgim.

2. Në zbatim të nenit 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, të pandehurit Adrian Mustafa Cani, i ulet 1/3 (një e treta) e dënimit të dhënë, duke u dënuar përfundimisht me 1 (një) vit e 6 (gjashtë) muaj burgim.

3. Në zbatim të nenit 59 të Kodit Penal, urdhërohet pezullimi i ekzekutimit të vendimit me burgim dhe vënien në provë për të pandehurin Adrian Mustafa Cani, për një periudhë kohe prej 3 (tre) vitesh, me kusht që gjatë kësaj kohe mos të kryejë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës që mbulon vendbanimin e tij”.

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?