Kreu politik i PD-së për qarkun e Vlorës, Bujar Leskaj, teksa pranoi se humbja ishte e thellë dhe do bëhej analiza me përgjegjësi e korrektesë, vuri theksin te makineria shtetërore e qeverisë Rama për të ndryshuar vullnetin e zgjedhësve.
Pak para nisjes së mbledhjes së thirrur nga Berisha në PD, ai e cilësoi kryeministrin “një Putin të vogël” që e ka shndërruar në një regjim vendin dhe që duhet luftuar.
“Kjo është humbje si rrjedhojë e makinerisë elektorale të përdorur nga Rama. Ne do ta analizojmë, mandatin e katërt e humbëm për shkak të votës së diasporës. Do ta analizojmë me përgjegjshmëri, ndershmëri dhe korrektesë. Por mos harroni se Rama ka prishur çdo çdo raport institucional në Shqipëri. Ka shkatërruar institucionet e shtetit, i ka vënë në shërbim, në shërbim të zgjedhjeve, të një fushate jo të drejtë dhe të ndershme. Kjo është rrezikshmëria më e madhe për shqiptarët. Unë jam krenar për ata demokratë qëndrestarë që mbrojtën votën dhe vijojnë ta mbrojnë e punojnë”, tha Leskaj në fjalën e tij.
Ai pretendoi se PD i ka denoncuar të gjitha makinacionet e qeverisë para zgjedhjeve dhe u përpoqën që t’i luftonin.
“I dinim këto para zgjedhjeve, i kemi deklaruar, i kemi shkruar, u përpoqëm për t’i luftuar. U përpoqëm, kemi luftuar, të gjithë duhet të luftojmë kundër sektit Rama që të mos shndërrohet, por ai tashmë është shndërruar në regjim, por që të mos na nënshtrojë të gjithëve duhet të bashkohemi të gjithë, edhe ju si gazetarë. Ky është një Putin i vogël ndaj ne duhet të luftojmë të gjithë. Edhe Putinin e madh e takon Makroni, por në duhet të luftojmë të gjithë bashkë”, tha deputeti i PD-së.
Kurse i pyetur për të rinjtë demokratë që kaluan me PS në Vlorë, ai e argumentoi me ndërhyrjen korruptive të kryesocialistit:
“Të rinjtë i bleu Rama me një proces korruptiv!”.
Lajmi kryesor:
Pas humbjes së thellë, Berisha porosi drejtuesve politikë të PD: Zgjedhjet u vodhën! Keni detyrë faktimin e universit kriminal nëpër qarqet përkatëse
A.Q/I.M/ReportTv.al
