I dashur Aron, unë kam dy djem, e sot kur dëgjova ngjarjen tënde e kur të pashë të prekur, të fyer, të dhunuar, qava si për djalin tim! U ndjeva po aq e pafuqishme dhe totalisht e vrarë si prindërit e tu.
I dashur Aron, ti që në vend që të festosh nëpër shkuma-party, në bare luksoze me lekë borxh, ti që në vend që t’u bërtasësh prindërve të tu pse s’të kanë blerë makinën luksoze si shokët, ti që në vend që të punoje punë të pista, zgjodhe të bëje një punë të ndershme, në vend që të pushoje, mendove të ndihmoje familjen, ose të vije ca lekë mënjanë për universitetin… sot u rrahe barbarisht nga ca burra të paburrë, të dobët e të mjerë, që frustrimet dhe paburrërinë e tyre e tregojnë kështu, duke u marrë me një fëmijë!
Ti sot, Aron, u tregove burrë, sepse fole me zë të lartë, nuk u trembe, nuk u tërhoqe, as nuk u përfshive në pellgun e qelbanikëve!
Ti sot, i dashur Aron, na vure në mendime të thella edhe njëherë, si prindër e si shoqëri!
Nëse do t’i rrisim fëmijët tanë këtu, me dashurinë për punën, me moral e vlera, nëse do t’i rrisim fëmijët këtu si QYTETARË TË DENJË të këtij vendi!
Nëse do t’u mësojmë se puna është NDER, se duhet të bëjnë vepra të mira e të jenë gjithmonë të ndershëm me veten dhe të tjerët, a do të jenë ata viktima e radhës? A do të shihen ata si të dobët, të pazotë, e të pambrojtur? A është kjo Shqipëria që u kemi folur e premtuar?
Sot kam shumë mendime, i dashur Aron, sot jemi të gjitha mami jot, me të njëjtat pikëpyetje, mllef, dhimbje, brengosje…
Ama ajo që them me bindje është se sot, Aron, ti tregove se i drejti zhytet, por nuk mbytet, sepse fole dhe mbrojte dinjitetin tënd deri në fund e ndoshta kështu fillon ndryshimi!!!
Duke shpresuar që secili nga të përfshirët të marrë dënimin që meriton, të uroj më të mirat në jetë!
Faleminderit Aron, të përqafoj.
Me dashuri,
Fatma
Komente

Policia qe duam.Shefat e punonjsit e policise jane gangsterra me uniforme shtetrore.
PërgjigjuKjo leter nga Znj.Fatma eshte me te vertete me ndenje, respekt! Mua personalisht por te gjithe shoqerine e vendos ne faj nga menyra se si nje nene, ne njeri me moral e kulture si ju zonje shprehet. Nuk mund ti heq asnje presje kesaj letre! Me vjen turp qe jam i pafuqishem per te ndaluar keto ngjarje te paprecedenta qofte dhe si njeri. Po sme mbetet vec te ngre zerin e bertas e uleras neper rruge! Skam mundesi te tjera, dhe si une mund te jene nje pjese e mire e njerzeve. Forca Aron, zoti do te japi cdo gje qe meriton sepse mbi gjithcka je njeri ne cdo drejtim dhe me burre se shume te tjere per moshen qe ke!
Përgjigju