E shkuara, me dy periudha kyçe, si ajo e mbretit Zog, e veçanërisht diktatura thuajse një gjysmë shekullore mbeten dy kolonat kryesore të krijimtarisë së sotme letrare. Faktorët janë të shumtë, qoftë pse në këto epoka e më herët vendi ynë pati personalitete të forta, që ngjallin me të drejtë interes edhe sot, zhvillimet urbane gjatë mbretërisë me dritëhijet e Zogut, e masandej krimet e kobshme e intrigat gjatë diktaturës, që mbërthyen nga elitën intelektuale tek njerëzit e thjeshtë që nuk u bën palë me sistemin. Mund të jetë edhe zemërimi, ndaj torturave e përndjekjeve që shqiptari kreu mbi shqiptarin, dhe mungesa e një shtrati të denjë për të vërtetat e përçudnuara të historisë, ku letërsia synon të rrëfejë sadopak. Por, ndonëse studiuesit pohojnë se krijimtaria letrare në vend sot është konkurruese edhe me letërsinë e huaj, në të prania e ngjarjeve të postdiktaturës, heronjve, individit të thjeshtë, përballja e tij me realitetin e sotëm është e zbehtë.
“Unë mendoj se një autor bashkëkohor rritet bashkë me faktorët dhe mjedisin. Kështu që është e pamundur që autorët shqiptarë të shkëputen nga ajo pjesë e gjatë, jo vetëm si hark kohor, por edhe ngjarje që janë shënuar në kujtesën e tyre. Prandaj vazhdojnë të shkruajnë këto tema”, shprehet studiuesja Vata.
Njësoj si ngjarjet e rrëfyera, edhe autorët më në zë mbeten ata që emrin e krijuan që para 90-ës. Ose, në raste të tjera, ngjarjet më të kobshme, rrëfehen nga politikanët e konvertuar në autorë.
“Thënia se ‘Molla e ndaluar ka shije më të mirë’ e përligj të gjithë këtë. Ishte censura e jashtëzakonshme në Bibliotekë, ku ishte e pamundur të lexoje një përkthim apo një libër në origjinal, pa pasur një referencë nga kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Këtë leje s’mund ta kishte kushdo. Edhe me porosi të veçantë, pasi lexoje një autor duhet të kishe kujdes mesazhin, që do të përçoje tek të tjerët. Ato plagë kanë lënë gjurmë edhe sot e kësaj dite”, shprehet Rovena Vata.
Botuesit sot tregojnë se gjatë 3 dekadave të fundit, pas ndalimit në diktaturë të autorëve të huaj, lexuesit rendën pas tyre, duke lënë gati mënjanë autorët vendas. Por njëjtë ngjet edhe me autorët, të cilët në vend të së tashmes në letërsi edhe si dëshmi e asaj që po jetojmë për brezat që do vijnë, ende si referim parësor kanë të kaluarën.
“S’besoj se do të duhen shumë vite, pasi letërsia shqiptare po shkon drejt kristalizimit. Tendencat janë për mirë, prandaj duhet parë me optimizëm. Ndërsa, lexuesi duhet të jetë shumë i lidhur veçanërisht me leximin e veprave në gjuhën origjinale”, përfundon Vata.
Edhe pse sot, nuk kemi më censurën si pengesë, mbetet që njësoj si diktatura, postmodernizmi i përjetuar të rrëfehet në të ardhmen...