Nga Mehmet Kraja
Në Panairin e Librit në Laipcig të Gjermanisë, më i madhi në Europë, përfaqësimi i Kosovës u bë nga Biblioteka Kombëtare e Kosovës, besoj rasti i vetëm, kur një shtet përfaqësohet nga një institucion “libërlexues” dhe jo “libërbotues”. Nuk e kam të qartë prej nga e merr mandatin Biblioteka Kombëtare të përfaqësojë letërsinë, fundja kjo nuk ka rëndësi, por nga pamjet në TV pash një stendë të shëmtuar, me një renditje librash me pamje primitive, dhe me disa shkrimtarë (respekt për ndonjë përjashtim!) që nuk marrin vesh as nga i bie letërsia shqipe! Pse nuk rrinë në shtëpi të vet këta njerëz, këtë nuk e kam të qartë dhe pse nuk i mbajnë këta libra të shëmtuar në podrumet e Bibliotekës, por i nxjerrin atje ku na shohin të gjithë! Edhe një gjë për kolegët e mi shkrimtarë: hiquni ma patericave të “Traduki-t”!
Në Tiranë, para disa ditësh, përmes Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit (QKLL), Fondi i Krijimtarisë Letrare për të Rinj shpalli tre fitues, shkrimtarë të rinj, të cilët do të ndihmohen për botimin e librave të tyre. Askund nuk u tha, madje as QKLL se ky Fond është i Ambasadës së Republikës së Kinës në Tiranë, vetëm se këtë e bëri të ditur radioja kineze “Ejani”, e cila që një kohë transmeton propagandë kineze në gjuhën shqipe, nga Shqipëria. Me siguri, as këtë nuk e keni ditur...
Gjithashtu në Tiranë, para një kohe doli një antologji e poezisë shqipe, e hartuar nga Rudolf Marku, “Veshur me diell, mbathur me hënë”, në të cilën nuk u përfshi asnjë poet nga Kosova. Shumica e shkrimtarëve të Shqipërisë e miratuan botimin e kësaj antologjie të “Shqipërisë xhuxhe”, si e quajta unë, duke parafrazuar Ali Podrimjen. Ndërkohë, ne “ExLibris” u botua një tekst kritik i akademik Ali Aliut, në të cilin një javë më pas u përgjigj autori i antologjisë: një shkrim i shëmtuar, nga më të shëmtuarit që kam lexuar ndonjëherë në polemikat tona. Mbi të gjitha, më bëri përshtypje një gjë: prirja gati e hapur e autorit të antologjië për t’i quajtur të gjithë oponentët e tij “të mbathur” me “jugosllavizëm”. Nuk di pse m’u shfaq disi e ringjallur fantazma e Sigurimit, po aq hakërryer siç ishte dikur...