Shkrimtari Gazmend Krasniqi rrëfen punën që ka bërë gjatë tre dekadave për të shkruar “Trilogjinë e Shkodrës”. Tre romanet; “I lumturisë”, “Tiranë, Vjen, Tiranë” dhe ai i “Dashurisë” kanë të përbashkët elementë, si psikologjia, historia dhe njerëzit e një treve, të cilët synojnë të përcjellin tek lexuesi i sotëm letërsinë postmoderniste.
“Kam punuar për më shumë se tre dekada për këtë ‘Trilogji’. Këto tre pjesë janë botuar së bashku nga elementë, si psikologjia, historia dhe njerëzit, që janë të lidhur në një bosht fiction. Pjesa e parë ka tjetër trajtesë. Bie në sy metafiksioni. Pjesa e dytë ka një trajtesë tjetër, lidhet përmes një personazhi dhe karakterizohet nga intertekstualja. Pjesa e tretë lidhet me pjesën e dytë, duke menduar se është duke u ndërtuar nga një personazh i pjesës së dytë. Ndërsa, historia është parë si një trashëgimi kulturore, më tepër shpirtërore, por edhe materiale. Te romani i “Lumturisë” personazhi kërkon anën materiale. Përplasja e vlerave kulturore dhe materiale mban gjallë rrëfimin”, rrëfen shkrimtari Gazmend Krasniqi.
Mënyra se si duhet të përshtat gjuhën në letërsinë, që shkruan është shqetësimi më i madh i Krasniqit, por ai rrëfen se kurrsesi nuk është indiferent ndaj përkthimeve të panumërta bestseller
“ Në Amerikë botohen bestseller me thasë, pafund, se është kulturë e madhe dhe ka vend për të gjitha shtresat. Tek ne do të ishte e dëmshme, nëse pranojmë që këtë ta transportojmë shumë thjeshtë, nga kulturat e mëdha tek një vend si yni. Ne duhet të kapim idenë e mbrojtjes së kulturës kombëtare, fakti që në 30 vite liri s’kemi kap idenë e qartë të mbrojtjes së kulturës kombëtare, nuk është gjë e mirë. Edhe në letërsinë e realizmit pas 15 vitesh u kap kjo ide. Shteti investoi dhe tha: “Me këta autorë do mbrojmë kulturën kombëtare”. Dominonte propaganda në atë që shkruhej, por kjo gjë u bë”, rrëfen autori ndër të tjera.
Shqetësim është dhe mungesa e kritikës akademike, që në një të ardhme duhet të orientojë lexuesin tek vlerat
“Ky është një problem për t’u trajtuar. Kush është lexuesi i sotëm? Tek ne lexuesi është lënë i zbuluar përballë reklamës, që i do njerëzit njësoj. Nga përvoja ime, edhe ky shqetësim zvogëlohet. Gjithmonë do të gjendet një botues, që do ta pranojë këtë lloj mendimi për kohën që ka.
Lexuesi ka nevojë edhe për njëlloj orientimi, por këto vite më duket se letërsia i është lënë komerciales. Por, letërsia është stadi i lartë kulturor i jetës së një populli edhe kërkon që ta stabilizojmë, edhe të themi se cila është kultura jonë. Në fund të fundit kemi kritikën akademike, që duhet të merret me çështje të tilla esenciale. Kritika akademike ka humb terren dhe po vendosin mediet. Por s’do jetë përherë kështu, në një moment do të kërkohen vlerat. Ne na duket sikur kanë qenë përherë të qarta, por çdo epokë ka pas debatet e veta, ka pas artistë që s’kanë pas mundësi të jetojnë të tashmen, por kanë jetuar të ardhmen. S’është koha ajo që vendos për vlerat”, thotë shkrimtari.
Ndërsa, liria e pas viteve ’90 për shkrimtarët shqiptarë është pozitive, sepse kjo është e vetmja mënyrë që të ballafaqohen me letërsinë postmoderniste që shkruhet në vendet e tjera
“Liria ndikon vetëm pozitivisht. Është hapësirë shumë e madhe dhe shumë e shpërdorojnë idenë e saj, por në thelb është pozitive. Është zhdukur ideja e censurës edhe auto-censurës. Autori vendos lirinë me letërsinë që ndodh sot. Jemi bashkëkohorë me lëvizjen më të madhe krijuese se çfarë është post-modernizimi, ndërsa për pesë dekada kjo ishte e bllokuar. Ne nuk e dinim se çfarë ndodhte nëpër botë”.