Nevzat Haznedari, Ahmet Jegeni, Rrahman Përllaku dhe Kiço Ngjela

Letra e ish-gjeneral Nevzat Haznedarit: Ahmet Jegeni vdiq në hetuesi, pa u dënuar, kurse Kiço Ngjela e Rrahman Përllaku edhe mbas dënimit mbaheshin…

8 Shtator 2023, 07:38| Përditesimi: 8 Shtator 2023, 09:51

  • Share

Grupi Operativ Special që u krijua menjëherë pas arrestimit të ish-Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu dhe zëvendësit të tij, Feçor Shehut, në mesin e muajit tetor të vitit 1982, në krye të të cilit ishte zv/ministri i Punëve të Brendshme, Zylyftar Ramizi, (njëkohësisht mbante edhe funksionin e Drejtorit të Sigurimit të Shtetit) dhe si vartës të tij kishte Enver Zenelin e Hasan Ulqinakun, ndërmjet masave të tjera, siç ishin; studimi dhe analiza e një numër të madh dosjesh arkivore që i përkisnin një periudhe të gjatë kohe, (1945-1982), u bëri thirrje dhe u kërkoi edhe disave prej ish-funksionarëve të lartë të udhëheqjes së PPSh-së dhe ish-kuadrove të lartë drejtues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, oficerëve të Sigurimit të Shtetit, etj., që të jepnin me shkrim, ato që ata dinin, apo kishin dyshime, lidhur me “veprimtarinë armiqësore”, të Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, apo dhe personave të tjerë, me të cilët ata i kishte lidhur puna apo jo, gjatë periudhës që ata kishin shërbyer pranë asaj ministrie, apo në Degët e Brendshme në rrethe, në sektorin e Zbulimit Politik, pranë përfaqësive tona diplomatike të akredituara në shtete të ndryshme të botës, etj.

Ndër ish-funksionarët e lartë të PPSh-së dhe kuadrot drejtuese e oficerët e Sigurimit të Shtetit, etj., që iu përgjigjën kësaj thirrje, duke dhënë dëshmitë e tyre me shkrim pranë Grupit Operativ Special, ishin: Liri Belishova, (ish-anëtare e Byrosë Politike dhe sekretare e Komitetit Qendror të PPSh-së për propagandë, artin dhe kulturën), Nesti Kerenxhi, (ish-gjeneral-major, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe ministër i Punëve të Brendshme), Xhule Çiraku (ish-gjeneral-leitnant, Drejtor i Drejtorisë së Dytë të Sigurimit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Rexhep Kolli (ish-gjeneral-leitnant, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Zija Kambo (ish-gjeneral-major dhe komandant i Gardës së Republikës), Zoi Themeli (ish-gjeneral-leitnant, Drejtor i Sigurimit të Shtetit dhe zv/ministër i Punëve të Brendshme), Myftar Tare, (ish-kolonel dhe zv/ministër për Zbulimin Politik, i arrestuar në vitin 1949 dhe nxjerrë në lirim), Nevzat Haznedari, (ish-gjeneral-major dhe Kryetari i Hetuesisë në Ministrinë e Punëve të Brendshme), Hekuran Pobrati (ish-kolonel dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit), Feti Smokthina (ish-kolonel dhe Komandant i Gardës së Republikës), Zylfi Saliu (ish-kolonel, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit, kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe, e deputet i Kuvendit Popullor), Lelo Sinaj, (ish-oficer madhor dhe Drejtor i Sigurimit të Shtetit), Halil Zeneli (ish-kolonel i Sigurimit dhe kryetar Dege të Brendshme në disa rrethe), Ilo Manushi (oficer madhor dhe drejtor i Drejtorisë së Kuadrit të Ministrisë së Brendshme), Mark Dodani (ish-nënkolonel, oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit dhe zv/kryetar i Degës së Brendshme Sarandë), Xhemal Bejto Fasllia, (ish-gjykatës dhe oficer i lartë i Sigurimit të Shtetit në Ministrinë e Brendshme), Ibrahim Kubati (ish-agronom i diplomuar në Bullgari, drejtor i rezervateve të gjuetisë në disa rrethe të vendit, ku shkonte udhëheqja e lartë e PPSh-së për gjueti, i burgosur politik), Ali Kubati, (ish-oficer i Zbulimit Politik në disa shtete të botës dhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Tiranës, i burgosur politik), Nexhip Pajo, ish-oficer i lartë i Ministrisë së Punëve të Brendshme, etj.

Nga letrat apo raport-informacionet në fjalë të dërguara në adresë të Grupit Operativ Special pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, apo personalisht ministrit Hekuran Isai, në vitet 1982-1983, në numrat e kaluar, kemi publikuar letrat e Liri Belishovës, Hekuran Pobratit, Xhule Çirakut, Mark Dodanit, Ibrahim Kubatit dhe Nexhip Pajos, kurse në këtë shkrim, po publikojmë letrën e ish-oficerit të lartë të Sigurimit të Shtetit, kryetarit të hetuesisë pranë Ministrisë së Brendshme, gjeneral-major Nevzat Haznedarit dhe vartësit të tij, hetuesit Raqi Zavalani.

Në letrën e tyre ata bëjnë një pasqyrë të hollësishme për ngjarjet kryesore me të cilat ata ishin përballur që nga viti 1950 e deri në ’82-in, duke filluar nga grupet e diversantëve që  kishin zbarkuar asokohe në Shqipëri, si: Zenel Shehu, Hamit Matjani, Halil Branica, Tahir Premçi, etj., si dhe duke evidentuar “veprimtarinë armiqësore” të Mehmet Shehut, Kadri Hazbiut, Feçor Shehut, Mihallaq Ziçishtit, etj., apo dhe të një sërë funksionarësh të lartë, që ishin dënuar nga Partia, si Tuk Jakova, Bedri Spahiu, Dali Ndreu, Liri Gega, Teme Sejko, Panajot Plaku, Taho Sejko, Tahir Demi, Halim Xhelo, Kadri Hoxha, Zenepe Ashiku, etj. Për më shumë rreth kësaj, etj., na njeh dokumenti në fjalë, i cili është pjesë e një dosje voluminoze (që gjendet në fondin arkivor të Autoritetit për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit), i cili publikohet për herë të parë (bashkë me faksimilet përkatëse), nga Memorie.al.

                                                      Vijon nga numri i kaluar

DOKUMENTI SEKRET ME RAPORT-INFORMACIONIN E DY FUNKSIONARËVE TË LARTË TË MINISTRISË SË PUNËVE TË BRENDSHME, NEVZAT HAZNEDARI DHE RAQI ZAVALANI, PËR “VEPRIMTARINË ARMIQËSORE” TË KADRI HAZBIUT, FEÇOR SHEHUT, MIHALLAQ ZIÇISHTIT, ETJ

  SEKRET

                  Ekzemplar i vetë             

                Tiranë më 5.11.1982

Lidhur me çështjet që kanë të bëjnë me veprimtarinë armiqësore të armiqve: Kadri Hazbiu, Mehmet Shehu, Feçor Shehu e Mihallaq Ziçishti, japim disa sqarime që mendojmë se kanë interes për t’u mbajtur parasysh dhe konkretisht:

Shoku Nevzat Haznedari sqaron:

Mbas kësaj letre, Feçor Shehu shkoi në Gjirokastër dhe takoi Skënder Konicën në Degën e Punëve të Brendshme, më duket se e mbajti edhe një natë atje në Degë dhe kur u kthye, më dërgoi mua dhe Çome Asimaqin, për ta tërhequr në bashkëpunim, ndërsa në fakt, ai ishte tërhequr nga Feçor Shehu. Edhe Skënder Konicën, në fillim e mbajti në lidhje Çome Asimaqi, pastaj e mori Kristofori.

Gjithashtu me porosi të Feçor Shehut, është tërhequr edhe L. T., i cili kishte qenë drejtor në Makina-Import dhe u çua në Ersekë, si Shef i Tregtisë. Mbas tërheqjes në bashkëpunim, që mbahej edhe ky në lidhje nga Kristofori, u ndërmjetësua dhe u suall në Elbasan. Aty vdiq nga kanceri në kokë. Me urdhër të Kadri Hazbiut, është tërhequr në bashkëpunim, N.S. dhe A.Q.

I pari iu dorëzua në lidhje Kristofor Mërtiros dhe A. që mbahej në lidhje nga unë, me urdhër të Kadri Gojashit, ju dorëzua edhe ky Kristofor Mërtiros. Me iniciativën time, për faktin sepse e njihja, me aprovim të Feçor Shehut u tërhoq në bashkëpunim I. P., me objekt ndjekje e survejimi, Muhamet Prodanin e Halim Ramohiton, por edhe ky, pa më pyetur fare mua, u muar nga Kristofor Mërtiro.

Në vitin 1975, mbas proçesit të Beqir Ballukut, mundet të ketë qenë edhe më vonë, shkova në Burrel për një punë në burgun e Burrelit. Kur vajta në zyrën e Kryetarit të Degës, Flamur Sinojmerit, pashë se ai ishte duke pyetur një person, të cilin unë nuk e njoha. Flamuri i bërtiste dhe ai përgjigjej. Nga fytyra dhe nga zëri e njoha, që ishte Halim Xhelua. Si u largua Halimi, më thotë Flamur Sinojmeri, se e kemi izoluar për aktivitet në burg dhe do ta marrim të pandehur. Më vonë mora vesh, që ai në dhomat e izolimit, kishte varur veten. Hollësira për këtë, duhet të dijë Flamuri.

Tuk Jakova ishte në Berat. Prej aty u çua në Porto-Palermo, mandej në Kaninë dhe që aty në Zvernec. Nga Zvërneci u arrestua.

Mbaj mend që Kadri Hazbiu, ka ardhur në Kaninë dhe është takuar edhe me Tukun dhe me Bedriun. Gjithashtu Kadri Hazbiu, së bashku me kryekëshilltarin sovjetik, ka ardhur edhe në Himarë, në kohën që Tuku ishte në Porto-Palermo, por as unë, as Shoku Raqi Zavalani, që kemi qenë bashkë në Porto-Palermo, nuk mbajmë mënd që Kadri Hazbiu të ketë ardhur ne Porto-Palermo, të ketë takuar Tukun.

Si në Porto-Palermo, ashtu edhe në Kaninë, Tuku me Bedriun më tepër ruheshin, pyeteshin, dhe përpunoheshin, në vendin e izolimit. Këto materiale duhet të jenë në dosjet e tyre. Këto ditë, kohët e fundit, duke biseduar me shokun Irfan Shaqiri, ish-hetues i Tuk Jakovës, më tha: “Një ditë, bashkëpunëtori që përpunonte Tuk Jakovën në dhomën e izolimit, kish kërkuar të takonte Kadri Hazbiun, për t’i raportuar një diçka të rëndësishme, që kishte thëne Tuk Jakova.

Irfani i kish thënë; ma thuaj mua, që t’ja them Kadri Hazbiut, ose të vijë Nevzat Haznedari dhe t’ja thuash ti, sepse Kadri Hazbiu mund të jetë i zënë me punë, por ia kishte ngulur këmbë, se atë mund t’ja thoshte vetëm Kadri Hazbiut dhe asnjë njeriut tjetër. Kështu Irfani, pa më vënë mua në dijeni, njofton Kadri Hazbinë, i cili shkon dhe takon bashkëpunëtorin, pa pjesëmarrjen e Irfanit. Kur largohet Kadri Hazbiu, e porosit Irfanin që të mos e pyes bashkëpunëtorin, se çfarë bisedoi me Kadri Hazbiun, dhe Irfani nuk e kish pyetur. Ky bashkëpunëtor, është liruar nga burgu, dhe banon në Korçë, më duket se quhet Ruhi J., njihet nga Irfani dhe unë. Po të shikohet e arsyeshme që të pyetet, unë e Irfani që e njohim, mund ta pyesim.

Në lidhje me Zoi Themelin, mbas përjashtimit nga Partia për fajet që kishte bërë në rrethin e Peshkopisë, u çua me punë e banim në Selenicë të Vlorës, ndërsa e shoqja e tij, mbeti në Parti. Mbas disa vjetësh, nga Selenica, Zoi Themeli shkoi në Korçë. Për shkuarjen e Zoi Themelit në Korçë, kemi dëgjuar të flitej se trajtohej mirë, se filloi të shoqërohet me njerëz, të dilte shëtitje bulevardit e klubeve dhe nuk bënte përshtypje të mirë. Në këtë kohë në Korçë ishte Sekretar i Parë, Mihallaq Ziçishti dhe nuk përjashtohet që Zoi Themeli, të ketë patur përkrahjen e tij.

Nga Korça, Zoi Themeli u internua në rrethin e Lushnjes, ku vazhdon të jete edhe sot. Unë kam patur në lidhje B.p. “Dajti”, i cili jepte në drejtim të disa personave që paraqesin rëndësi e rrezikshmëri. Këtë B.p., me urdhër e mori Kristofor Mërtiro, vazhdoi përpunimin e grupit, u arrestuan brenda një kohe të shkurtër dhe Kristofor Mërtiro, që kish bashkëpunëtorin në lidhje dhe merrej me përpunimin, hetoi edhe çështjen e tyre, që nuk është e rregullt.

Kështu Kristofor Mërtiro, për një kohë së bashku me mua hetoi Beqir Ballukun, pastaj mua më larguan dhe Beqir Ballukun e mbajti vetëm Kristofori, kështu proçedoi edhe me Kiço Ngjelën, Vasil Katin, Ahmet Jegenin (që vdiq në burg pa u dënuar) dhe e gjithë kjo punë, përqendrohej në duart e Kristoforit, me urdhër të Kadri Hazbiut e Feçor Shehut. Edhe mbas dënimit, Kiço Ngjela e Rrahman Përllaku mbaheshin në burg të dy në një dhomë, si të izoluar për një kohë të gjatë dhe problemin tyre e trajtonte Kristofori.

Shoku Raqi Zavalani, sqaron:

Në lidhje me armiqtë e Partisë Dali Ndreu e Liri Gega, që ndiqeshin direkt nga ish-Dega e II-të e Drejtorisë së Sigurimit të Shtetit, dua të them se përpunimi i tyre, u bë i thellë dhe i plote dhe se nëpërmjet këtij përpunimi, u zbulua në thellësi gjithë veprimtaria e tyre që zhvillonin si me elementë të tjerë antiparti, ashtu dhe me funksionarët e Legatës Jugosllave dhe për të gjitha të dhënat që dilnin, informoheshin në hollësi armiqtë Kadri Hazbiu e Mihallaq Ziçishti, por ata asnjë herë nuk u ndalën e, të na orientonin se ç’duhej bërë më tej.

Kështu p.sh., që këta dy armiq, sidomos në periudhën para Konferencës së Tiranës, duke zhvilluar një veprimtari të mprehtë armiqësore, përdornin shprehje nga më të ndryshmet, si; p.sh.: “Të mobilizohen njerëzit, për të vërtetën”, “Se midis Udhëheqësit kryesor të Partisë dhe Mehmet Shehut, ka kontradikta”, përdornin fjalët më të ulëta, për udhëheqësin kryesor të Partisë, bënin pyetjen para funksionarëve te Legatës Jugosllave, se; “sikur të arratiset ndonjë kuadër nga Shqipëria në Jugosllavi, si do të pritej nga Qeveria Jugosllave” dhe përgjigjja e tyre (Svetozarit), ishte se; “atje i presin dekoratat më të mëdha”, etj., armiqtë Kadri Hazbiu e Mihallaq Ziçishti, nuk tregonin ndonjë preokupim që ta ndërprisnin këtë veprimtari, duke i arrestuar, por e kalonin në heshtje.

Në periudhën e Konferencës së Tiranës, kur elementi antiparti u hodh në një veprimtari pothuajse të hapët armiqësore, kundër vijës së Partisë dhe Udhëheqjes së shëndoshë të saj, ne si aparat qendror, jo vetëm që mobilizuam e aktivizuam gjithë agjenturën që mbanim në lidhje, por kërkuam gjithashtu edhe nga rrethet, që të vepronin, si edhe në këtë situatë. Mbi këtë bazë, u gjallërua shumë informacioni, si këtu në qendër, ashtu edhe nga rrethet, që punonin seriozisht në këtë drejtim. Ndërsa Drejtoria e Tiranës, që operonte pikërisht në Tiranë, e them me kompetencë, qe nuk kishim asnjë informacion.

Sqaroi se në këtë kohë, Drejtor i Punëve të Brendshme Tiranë, ishte armiku Feçor Shehu, i cili ishte njëkohësisht edhe anëtar i Byrosë së Komitetit Partisë të Rrethit. Gjatë proçesit të punës e luftës së përditshme në drejtim të elementit antiparti, ku operonte si ish-Dega e II-të dhe Drejtoria e Tiranës, ka patur raste që armiku Feçor Shehu, fliste me përçmim për disa B.p., shumë të mirë, e me një rendiment pune të lartë në drejtim te elementit antiparti.

Kështu p.sh., më kujtohet një rast kur në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë, analizohej puna e agjenturës së këtij drejtimi dhe midis të tjerave përmendej kontributi i një agjenti me pseudonimin “Vullneti”, i cili përpunoi deri në fund Dali Ndreun e Liri Gegën, e shumë objekte të tjerë të rëndësishëm, armiku Feçor Shehu, përdori fjalët më të ulëta ndaj asaj B.p., duke thënë: “Ajo një kurvë është, ju me të tillë njerëz, kini punuar e mburreni…”?!

Kjo analizë me kujtohet se është bëre në vitin 1957. Në Konferencën e Tiranës me kujtohet se veç të tjerëve, implikuan për veprimtari antiparti edhe një numër punonjësish të Ministrisë Punëve të Brendshme, si Vesel Ahmeti, Asaf Kondi, Kopi Niko, Koçi Lubonja, etj, por ndaj këtyre u mjaftua vetëm me ndonja kritike që ju bë nëpër organizatat bazë, ndërsa nga armiku Kadri Hazbiu e Mihallaq Ziçishti, nuk u muar asnjë masë për largimin tyre nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Megjithëse në periudhën mbas Konferencës së Tiranës, u zbulua se shumë ish-kuadro të ndryshme këtu në Tiranë, kishin zhvilluar veprimtari armiqësore të mprehtë, si para dhe gjatë konferencës, masat që u muarën ndaj tyre, qenë shumë të buta. U arrestuan vetëm një pakicë e tyre, disa u tërhoqën në bashkëpunim, e për disa të tjerë, u mjaftua vetëm me nga një kritikë, që ju bë nëpër organizatat bazë të Partisë, dhe ata persona që u internuan, ose u larguan nga Tirana, u vendosën në qytetet më të mira, si; në Durrës, Lushnje, Berat, Elbasan, Fier, e Vlorë.

Dhe atje u caktuan me punë të privilegjuara, si p.sh., Qazim Vaqarri, që përdorte fjalët më armiqësore ndaj Udhëheqësit kryesor të Partisë, ndaj të cilit bënte thirrje edhe për terror, në Vlorë u caktua Drejtor Ndërmarrje Tregtare, ndërsa Nesti Zoto, që ishte një elementët antiparti më aktiv në Konferencën e Tiranës, u çua në Lushnje dhe atje u caktua me përgjegjësi në Tregtinë e Lushnjes, etj.

Këto trajtime që u bënë ndaj elementit antiparti të asaj periudhe, shpien me qëndrimin oportunist e përkrahës, që mbante ne atë kohë udhëheqja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, me në krye Kadri Hazbiun e Mihallaq Ziçishtin, ku nuk përjashtohet edhe ndikimi që mund të ketë ushtruar dhe armikja Fiqrete Shehu. Më kujtohet se para disa vjetësh, kur Fiqrete Shehu ishte Anëtare e Komitetit Qendror të Partisë dhe Drejtoreshë e Shkollës së Lartë të Partisë “Vladimir Iliç Lenin”, i vdiq një vëlla diku në një rreth, sa drekën e përmortshme ajo e shtroi me fisin e saj, këtu në Tiranë, në shtëpinë e Jugosllaves Perso Frashëri, që ishte agjente e Zbulimit Jugosllav dhe ndërlidhëse e armikes Liri Gega, me Legatën Jugosllave. Artikujt ushqimorë që u konsumuan në këtë drekë, erdhën me makinë nga Drejtoria e Pritjes.

Në lidhje me Asaf Kondin, përveç asaj që emri i tij dolli në Konferencën e Tiranës, si njeri që ishte pro pikëpamjeve armiqësore të shfaqura nga elementi antiparti në Konferencë, gjatë proçesit të tërheqjes në bashkëpunim të B.p. “Lundra”, mbaj mend se implikohej edhe ky B.p., për aktivitet armiqësor. Mbaj mënd gjithashtu se Bardhyl Spahiu – vëllai i të dënuarit si element antiparti, Hulusi Spahiu, ish-punonjës i Ministrisë P. të Brendshme, mbas arrestimit të të vëllait, u hoq nga organet Punëve të Brendshme, ka dhënë disa materiale ku implikonte për pikëpamje armiqësore, disa kuadro të organeve të Punëve të Brendshme, emrat e të cilëve, tani nuk më kujtohen.

Mendoj se është me interes që këto materiale të ri studiohen. Më kujtohet gjithashtu se në periudhën kur u hodh parulla që duhet të ketë qenë për të “zbutur” marrëdhëniet me Jugosllavinë, viti 1955 ose fillimi i 1956, këshilltarët sovjetikë në Ministrinë e P. të Brendshme, dhanë orientimin se; “Legata Jugosllave në tërësi, nuk zhvillon veprimtari spiunazhi kundër vendit tonë, por ndonjë person i veçantë i saj, nuk përjashtohet që të zhvillojë veprimtari të tillë, në favor të ndonjë zbulimi të huaj”, Ky orientim i këshilltarit të Sigurimit Shtetit në Ministri, duke mos qenë dakord me këtë “orientim” të sovjetikëve, mbasi ata në veprimtarinë e tyre të përditshme, ndesheshin me fakte konkrete, që tregonin se në tërësi funksionarët e Legatës Jugosllave, merreshin me veprimtari spiunazhi.

Këto diskutime shkuan deri në rrethin e Kadri Hazbiut, i cili si ministër që ishte, organizoi në zyrën e tij një “ballafaqim sqarues, me kryekëshilltarin sovjetik e, disa këshilltarë të tjerë, me pjesëmarrjen e kuadrove kryesorë të Sigurimit Shtetit. Në këta ballafaqim, sovjetikët mbrojtën me këmbëngulje tezën e tyre, ndërsa disa nga kuadrot kryesore të Sigurimit, midis tyre edhe unë, mbaj mënd se me fakte konkrete, treguam se pjesa dërmuese e punonjësve të Legatës Jugosllave, deri dhe tek ambasadori, merreshin me spiunazh, duke sjellë si shembull; Rexhep Xhiha, Svetozar Kosiç, Radevoj Gojko Saviç, etj., të cilët në kontaktet e tyre me elementët antiparti armiq, si; Zef Gruda, Kel Rroku, Mehmet Dermani, Dali Ndreu, Liri Gega, Zenepe Ashiku, etj., jo vetëm që propagandonin për përmbysjen udhëheqjes së Partisë dhe të ndryshonin kursin e saj, por kërkonin të merrnin edhe të dhëna sekrete, nga më të ndryshmet.

Armiku Kadri Hazbiu, me sa më kujtohet, nuk i dha ndonjë zgjidhje të prerë problemit dhe kjo gjendje vazhdoi edhe mbas këtij ballafaqimi, d.m.th., që diskutimet vazhdonin. Kadri Hazbiu, ruante një respekt dhe trajtim të veçantë për Halim Xhelon, në kohën që ishte me punë në Ministri, që dhe na binte në sy, dihet se babai i Halim Xhelos, së bashku me të tjerë, u arratis jashtë shtetit, vëllezërit mbanin qëndrim të keq e ishin kulak, dhe Halimi mbante marrëdhënie me ta.

Në mbledhje të ndryshme, Halim Xhelo është kritikuar disa herë për liberalizëm, por megjithatë, as në masë nuk u muarr ndaj tij! Ai u gradua gjeneral, u bë zëvendësministër, mbante dy makina, një nga Ministria, e një nga Ministria e P. të Brendshme, nga Ministria e Mbrojtjes, ai u pajis me blloqe ushqimore speciale, si funksionar i lart, i jepet një kategori më e lartë në pagë, aq sa nuk kishin kuadro të tjerë të një rangu me të. Me trajtim ta tillë, armiku Kadri Hazbiu, mbante edhe ndaj Hazbi Lamçes, i njohur si hajdut, imoral dhe kur u akuzua për një krim në kohën kur ishte komandant i burgut në Laç, siç kemi marrë vesh, u dënua lehtë dhe në burg i bëhej një trajtim special, ndërsa mbas daljes nga burgu, u bë Drejtor Ndërmarrje.

Ne jemi veteran të Organeve të Sigurimit të Shtetit. Gjithnjë kemi punuar, pa u lodhur, me ndërgjegje të pastër për Partinë, për shokun Enver. Mbi kokë, paskemi patur spiunët dhe armiqtë që na kanë drejtuar. Ne do të mundohemi të realizojmë edhe në të ardhmen, për ndonjë shkelje dhe do të informojmë për t’i demaskuar deri në fund këta armiq e tradhtar, duke patur parasysh se këto vërejtje, që mund të realizojmë në dritën që na jep Partia sot, do të ndihmojmë.

 Raqi Zavalani Nevzat Haznedari.

Shënim: Shoku Ylli, duhet të bisedosh me këta shokë, që të kujtojnë gjëra të tjera. Enver Zeneli./Memorie.al

SI.E.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?