'Letra nga Ferri', ekspozitë rrëqethëse për ish të burgosurit! Dëshmi e terrorit, torturës në birucat e regjimit! Të shkruarit si formë rezistence

29 Tetor, 14:56| Përditesimi: 29 Tetor, 20:51

  • Share

Janë letra të ish të burgosurve politikë, të cilat sjellin të vërtetat historike dhe dëshmi të luftës së brendshme të këtyre njerëzve, për të mbajtur të gjallë shpresën. “Letra nga Ferri” titullohet ekspozita multimediale e çelur në mjediset e Piramidës, që sjell para publikut një nga periudhat më të errëta të historisë shqiptare, dhunën dhe terrorin e burgjeve politike gjatë regjimit komunist.

“Shumica e letrave janë ose ankesa që i drejtohen institucioneve, ku shumë prej tyre janë letra proteste ndaj regjimit, letra, të cilat i dërgohen Mehmet Shehut, Enver Hoxhës, Komitetit Qendror, Prokurorisë së Përgjithshme, ku i tregohen kushtet e mjerueshme në burgje, trajtimi çnjerëzor, që iu bëhej të burgosurve aty.”, - shprehet Ergys Mërtiri, kurator i ekspozitës, përfaqësues i Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

 “Letra nga Ferri” është një ekspozitë historiko-dokumentare, ku prezantohen letra autentike të përzgjedhura nga një koleksion i madh korrespondence, si dhe letra origjinale që janë pjesë e fondit të ISKK, por edhe në bashkëpunim me muzeun ‘Vendi i Kujtesës dhe Dëshmisë’.

“Përshembull kemi Simon Jubanin dhe Bardhyl Belishovën, të cilët dërgojnë letra reagimi, letra proteste dhe kemi dokumente, letra të tjera, të cilat vetë aparati i dërgojnë njëri-tjetrit, ku kërkohet ndëshkimi i tyre për letrat e dërguara. Pra, kurajoja e treguar është goxha frymëzuese dhe na tregon, që edhe në kushte mjerimi, edhe në kushte çnjerëzore ka njerëz të cilët reagojnë sepse kërkojnë dinjitet.”, - vijon Mërtiri.

Për herë të parë ekspozohen edhe dy letra origjinale të poetit, regjisorit dhe përkthyesit Zef Zorba drejtuar nënës së tij, të vëna në dispozicion nga muzeu ‘Vendi i Dëshmisë dhe Kujtesës’.

“Ai i shkruan nënës së tij nga burgu. Sigurisht letrat kanë një përmbajtje shumë modeste, duke treguar gjendjen e tyre, në thonjëza “jam mirë”, që kanë nevojë për ushqim, kanë nevojë për veshmbathje dhe diçka të tillë. Nuk lejoheshin të shkruanin më tepër sepse letrat kontrolloheshin dhe në bazë të përmbajtjes së tyre merrnin edhe dënimet përkatëse në qeli ose në birucë.”, - tregon Violeta Murati, bashkëkuratore, përfaqësuese e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit.

Qasja audiovizuale në ekspozitën “Letra nga Ferri” ka për qëllim të thellojë përvojën emocionale dhe të krijojë një lidhje më të fortë midis vizitorit dhe përmbajtjes historike përmes përdorimit të tingujve dhe imazheve që nxisin ndjeshmëri dhe reflektim. Projektimi audio-vizual me fotografi të burgjeve, qelive, si dhe imazhe të letrave te shkruara të vendosura në sipërfaqe të ndryshme të mureve në hapësirën e dedikuar për ekspozitën e bëjnë më të prekshme ndjesinë e këtyre të burgosurve, ndërsa tingujt imitojnë jetën e përditshme në burgje, të tillë si trokëllimat e derës së qelive, hapjet dhe mbylljet e zinxhirëve, hapat e rojeve dhe zhurmën e përplasjeve të metaleve.

Janë më mijëra letra të shkruar nga të dënuarit politikë, që kalojnë shifrën 3 mijë faqe arkivore, një koleksion i disponueshëm edhe nga ISKK.

 

B.G//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?