Letra sekrete/ Urdhri i Enver Hoxhës: Ta godasim pa mëshirë Ballin Kombëtar! Asnjë hezitim, ndryshe ne jemi të humbur

5 Nëntor 2019, 09:48| Përditesimi: 5 Nëntor 2019, 09:57

  • Share

Memorie.al publikon disa dokumente arkivore me letra, thirrje, urdhëzime, trakte etj., të krerëve kryesorë udhëheqës të tre formacioneve ushtarake gjatë periudhës së Luftës, si Mit’hat Frashëri i Ballit Kombëtar, Abaz Kupi i Legalitetit dhe Enver Hoxha i Partisë Komuniste, ku bëhet fjalë mbi luftën vëllavrasëse ndërmjet tyre, e cila filloi nga komunistët në shtatorin e largët të vitit 1943, pak kohë pasi Enveri kishte prishur Marrëveshjen e Mukjes. Të gjitha përpjekjet: nga betejat me armë, tek ajo propagandistike me trakte dhe komunikata…

Balli nuk ta liron pushtetin dhe askush tjetër në qoftë se nuk e rrëmben me forcë. Mbaroi çështja e bashkimit me Ballin. Balli Kombëtar duhet të demaskohet si një organizatë reaksionare dhe ne vemi drejt likujdimit dhe jo bashkimit me të”.

Kështu shkruhet në mes të tjerash në disa udhëzime dhe direktiva që Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, Enver Hoxha, ua dërgonteve gjithë Komiteve Qarkore të Partisë Komuniste në shtatorin e largët të vitit 1943, në lidhje me qëndrimin që ata duhet të mbanin kundrejt Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Ashtu siç shihet dhe në dokumentet e më poshtëme të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit,(një pjesë e së cilave bëhen publike për herë të parë) dilet në një konkluzion dhe përforcohet akoma dhe më shumë teza e hedhur pas viteve 1990-të, ku thuhet se periudha e Luftës, (kryesisht nga shtatori 1943, deri në dhjetor 1944), më shumë ka qenë një luftë civile vëllavrasëse e zhvilluar ndërmjet Partisë Komuniste dhe Ballit e Legalitetit, se sa luftë kundër pushtuesve nazifashistë.

Dhe shkaktar i fillimit të kësaj lufte vëllavrasëse ka qenë Partia Komuniste e udhëhequr nga Enver Hoxha e dy emisarët jugosllavë: Miladin Popoviç e Dushan Mugosha, të cilët ishin de facto udhëheqësit kryesorë të PKSH-së dhe njëkohësisht autorët kryesorë që prishën Marrëveshjen e Mukjes.

Këtë tezë të hedhur prej kohësh nga shumë historianë, studiues, politikanë etj., etj., e përforcojnë mësëmiri edhe dokumentet që botohen në këtë shkrim, ku Enver Hoxha vetëm pak ditë pas Konferencës së Mukjes, i tmerruar nga ideja që mund të ndante pushtetin me forcat nacionaliste, udhëzon menjeherë të gjitha Komitetet Qarkore për të luftuar kundër Ballit Kombëtar e Legalitetit! Si dhe dokumentet e dy krerëve nacionalistë të Ballit Kombëtar e Legalitetit, Mithat Frashëri e Abaz Kupi, të cilët bëjnë thirrje për të shmangur gjakderdhjen dhe luftën vëllavrasëse në të cilën po e fusnin komunistët Shqipërinë.

Letra sekrete e Enver Hoxhës

Udhëzim sekret i Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac-Çlirimtare, Enver Hoxha, dërguar më 10 shtator 1943 gjithë Komiteteve Qarkore të PKSH.

Vdekje Fashizmit Liri Popullit

“…Ne mendojmë se me Ballin Kombëtar nuk do të jetë e mundur të arrihet një marrveshje. Mendojmë gjithashtu se Balli ka marrë një rrugë që do të shpjerë patjetër në përpjekje me ne, prandaj ne duhet të punojmë në drejtimin që vijon: ta demaskojmë dhe ta diskretitojmë Ballin në popull, ta paraqesim Ballin në popull si përçarës dhe shkaktar të vëllavrasjes. Të bëjmë që populli të shohe që politika e Ballit do të na shpjerë në përpjekje me armë…që populli i tërë të revoltohet dhe kështu e gjithë politika e mosbashkimit të popullit shqiptar dhe të përpjekjes me armë të bjerë përmbi Ballin Kombëtar”.

Udhëzimi i Mit’had Frashërit

Balli Kombëtar. Laikose numër 6.

 Elbasan tepër rezervat.

Shqipnia e Shqiptarëvet Vdekje e Tradhëtarëvet

 Gjithë Komitetevet Krahinorë

Me qenë se vëndi i ynë sot ka nevojë ma të ngutshme për rregullë dhe disiplinë, gjithë komitetet, komandat dhe çetat e Ballit Kombëtar, porositen që me të arrijtun kjo qarkore të pezullohet çdo oepracion luftarak kundër forcavet gjermane tash për tash. Ma vonë do t’ju dërgohen edhe direktiva të tjera. Shqipni e Lirë. 7-10-1943.

Për Komitetin Qëndruer Mithad Frashëri

(A.Q.SH. F. 270 / A.P. V.1943 D.1 f.8)

Udhëzimi i Enverit: Të godasim Ballin

Udhëzim sekret i Komandantit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nac-Çlirimtare, Enver Hoxha, dërguar më 1 tetor 1943 gjithë Komiteteve Qarkore të PKSH-së

“Ne duhet të ndërhyjmë e të godasim pa mëshirë Ballin Kombëtar. Asnjë hezitim …ndryshe ne jemi të humbur nëqoftë se veprojmë me zemër prej murgeshe. Balli nuk na liron pushtetin dhe askush tjetër nëqoftë se nuk e rrëmben me forcë…Mbaroi çështja e bashkimit me Ballin, s’jemi më në atë periodë, tash Balli duhet të demaskohet si një organizatë reaksionare…demaskimi të bëhet i vazhdueshënm dhe ne vemi drejt likujdimit të Ballit dhe jo të bashkimit me të. Në rast se ai gjen rast të vendoset në ndonjë fshat a qytet, duhet të veproni përnjherë”.

Letra e Mit’hat Frashërit

Nentor 1943

Lirija e shqiptarëve  Vdekje e tradhëtarëvet

“Sot me 7 nëntor 1943 me pikëllim dhe me hidhërim të madh Komiteti Qëndror i Ballit Kombëtar, aprovoi me pikëllim luftën civile, tue mos ba asnjë ritiratë (tërheqje) më, përpara provokacioneve, pse këto ritirata u konsideruan frikë e dobësi dhe sollën këto ditë të zeza të Kombit tonë. Shtojmë se para këtij aprovimi fatëkeq, Balli bëri një thirrje të fundit, 15 ditë afat, ku lutet për marrëveshje, por më kot”.

Udhëzimi i kreut të Ballit, Mit’hat Frashëri

Lirija e shqiptarëve Vdekje e tradhëtarëvet

Shqipni e Lirë 12-3-1944.

Balli Kombëtar

Komiteti Qëndror. Numri 148

 Haziz Biçakut Çermenikë

Me qenë se ndodhi fatkeqsia e vrasjes së Haki Blloshmit, Zona e Mokrrës ka mbetun e pambrojtun, prandaj lutemi qi sa më parë të shkoni me një pjesë të fuqisë së juej në Mokrë për veprime dhe për pastrime, tue lanë gjithnji një fuqi të mjaftë në Çermenikë, qi të mos ndodhi ndonjë e papritun. Të fala Kryetari (Mithad Frashëri) firma. (A.Q.SH F.270 / A.P. V1944 D.7 f.4)

Trakti i Rinisë së Ballit Kombëtar

 SHQIPËRIA E SHQIPTARËVE VDEKJE E TRADHËTARËVE

 THIRRJE RINISË KOMUNISTE SHQIPTARE

 RINI KOMUNISTE

Rinija nasionaliste, në këto çaste tragjike dhe vendimtare për Kombin t’onë, po u drejtohet juve të rinjve komunista dhe ju fton për të çkoqitur disa mosmarrveshje që janë çfaqur dhe vazhdojnë të çfaqen në një mënyrë të rrëmbyer. Tensioni i nervozizmit në mes t’onë ka arrijtur kulmin. Nukë ka ditë që të mos konstatohen fyerje reciproke. Marrëveshja e Mukajt u prish!? Lidhja që u bë në prendverën e kaluar në mes t’instituteve shkollorë nuk ekziston fare!? Menjëfjalë nuk ka asnjë bashkëpunim! Ne jua kemi thënë haptaz gjithmonë, se nuk bëjmë luftë ideologjike dhe se nuk jemi një parti, por jemi lidhur me një organizatë e cila lufton vetëm për shpëtimin e Atdheut.

RINI KOMUNISTE! Që të gjithë jemi bijtë e këtij vëndi dhe si të tillë e kemi për detyrë të përpiqemi për t’a shpëtuar.Nuk është e drejtë ta shohësh nasionalistin si një armik, bile siç thonë disa prej jush, si armikun numër 1.

RINI KOMUNISTE! Sot po ju njoftojmë ju të gjithëve të rinjëve komunista se mosmarrëveshja e jonë ka filluar të shkatojë vëllavrasjen e njëkohësisht po kënaq okupatorin gjerman, i cili duke përfituar nga kjo grindje do të shtojë ditët e qëndrimit të tij n’Atdheun t’onë. Ejani, o të të rinj komunista, të bëjmë një blok të vetëm, të bëjmë një roje të përbashkët qoftë në katund, qoftë në qytet. Ejani t’i bashkojmë forcat. Të heqim dorë nga grindjet që të mos mundi të na thyejë asnjë armik. Kërkoni marrëveshjen e Mukajt që ësht shprehja më ideale e bashkimit të popullit Shqiptar: atë marrveshje që kemi dëshiruar të gjithë ne të rinjtë dhe që shtytja dhe këmbëngulja e jonë e shpejtoi! Shpejtohuni, sepse siç po shihet, këtu do të ndodhin gjëra të tmerrëshme dhe tragjike!

RINIJA E BALLIT KOMBËTAR

Nga malet e Shqipërisë së Lirë

12 Tetor 1943

(A.Q.SH. F.270 / A.P. V.1943 D.14 f.4)

Letra e Abaz Kupit dërguar Mehmet Shehut

5.10.1943

Shokut dashtun Mehmet Shehit

Ju baj me ditë se prej kohësh në krahinën e Shëngjergjit me Osman Memën, Ramazan Hoxhën Shemri, Ibrahim Durrësin Shëngjergj, Qamil Hidër Muçën, Derje, e të tjerë, janë miqtë e mi që kanë marrëveshje me mue, masi interesi i jonë asht i njejtë e i përbashkët për një qëllim e çdo person duhet të lehet i lirë me veprue në dëshirën e tij. Pra duhet të këshilloni tan shokët për të mos shkaktue ndonjë pa marrëveshtje.

Të fala Abaz Kupi

Trakti i Abaz Kupit

Thirrje Popullit Shqiptar dhe gjithë partive Politike Shqiptare

Vllezër shqiptarë

Shqiprija jonë e shtrenjtë është mbytur në gjak e në tmerr: e zhytun në anarhi, një vëllavrasje, në një katastrofë. Atdheu është në rrezik! Ekzistenca e jonë po pëson tronditjen më të madhe të historisë. Ky rrezik nuk mund të largohet deri sa shqiptarët të përçarë e të pëndarë nuk do të bashkohen të gjithë rreth një qëllimi të vetëm: “Shpëtimin e Shqipërisë!” Dramasiteti i gjëndjes së sotme është i pakrahasuarshmë me çdo tragjedi që ka kapërcyer vëndi i jonë, dhe kjo po na trondit, e është gati të përmbysë e të shkretojë edhe themelet e mbetur të gërmadhavet shqiptare. Kësaj gjëndje duhet t’i japim fund! Duhet të bashkohemi të gjithë dhe zisë e rrebeshit që po pëson vëndi ynë t’i themi: “ndal!” e “mjaft më!” Le të lihen më nj’anë pasioni, frika, simpathitë, e antpathitë. Le të harrohen këto. Le t’i zgjatim dorën njeri tjetrit sepse vetëm një trupëzim forcash të këtilla mund të sigurojë shpëtimin e Shqipërisë dhe shpëtimin nga zhdukja e përjetshme e popullit shqiptar! Ideologjitë, rrymat politike , antagonizmat lokale, mërritë personale, pasionet politike duhet të mënjanohen deri sa të kapërxejmë greminën e rrezikut dhe deri sa të sigurohet shpëtimi i Shqipërisë!

Katundet që digjen, shtëpitë që shkatërrohen, rrugët e urat që prishen, nuk mund të ndreqen me të hollat e popujve të huaj, por me mundimet dhe djersën tonë. Mesatarja e përditshme midis të vrarëve e të plagosurve ndërmjet bijve të vëndit t’onë është e tmerrshme dhe kjo vëllavrasje nuk ka kuptim! Përse derdhet ky gjak? Vetëm për t’u shkatërruar! Bashkimin na e imponon interesi i Atdheut, sepse po të veprojmë kështu jo vetëm miqtë t’anë  po edhe armiqtë do t’i detyrojmë që të na nderojnë më tepër. Kjo është rruga e shpëtimit dhe e lumturisë, prandaj Zoti na ndihmoftë dhe le të bashkohemi sa më parë që të jetë e mundur për me i pre hovin çdo rreziku që mund të na vijë. Jemi në vëllavrasje! Po lufton shqiptari kundër shqiptarit!

Ç’fatkeqsi! Plagët që na i çelë armiqtë, nuk na mjaftuan, çelnë dhe po çelim plagë të reja. Vrasjeve të kreyeme prej armiqvet po iu shtojmë vrasje që po i bëjmë me dorën t’onë. Po rrënojmë shtëpira, po prishim katunde. Po madhojmë mjerimet e popullit t’onë! Do t’i qajmë të gjitha së bashku kur do të kuptojmë se se kjo grindje dhe vëllavrasje nuk ka për të sjellë fitim as njërës anë, por vetëm, shkatërrimin e Atdheut. Mjerisht at’herë do të jetë von! Historija na tregon se çdo brezi të një populli i takon të plotësojë ndonjë detyrë të rëndë  kur i shfaqet rasa, këtë herë kjo detyrë na përket neve që t’a plotsojmë. Çdo mos kuptim ose do mosmarrveshje e kundërshtim ndërmjet nesh mund ta zgjidhim me urtësi, në kohën e duhur, por në kryemjen e kësaj barre duhet të jemi së bashku e të japim dorën njeri tjetrit me dashuri e zëmër të pastërt!

Kam qënë gjithmonë i mendimit për një bashkim të përgjithshëm dhe përherë këtë mendim dhe këtë përpjekje jam munduar t’a zbatoi duke evituar brënda mundësive  vëllavrasjen të padëshiruar dhe të dënuar prej popullit shqiptar! Jam më se i sigurtë se të gjithë shqiptarët me lot ndër sy kërkojnë këtë bashkim të sinqertë të të gjitha Organizatave Politike të Shqipërisë për pajtimin e zemravet, për ndalimin e vëllavrasjes sa të përgjakshme kaq dhe të dëmshme, prandaj për hir të Atdheut i bëj thirrje popullit shqiptar dhe të gjitha partive politike të Shqipërisë, që të përpiqen që të gjithë për t’i mrrijt një bashkimi të përgjithshëm sepse nevoja e momenteve tepër kritike këtë e urdhëron dhe interesi i Atdheut këtë imponon!

Nga malet e Shqipërisë.

 26-VIII-1944.ABAZ KUPI

(A.Q.SH. F.270 / 1 A. P . Viti 1944 D.10 f.4.)/ Memorie.al

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?