TIRANË- Pas një beteje për t’u regjistruar në zgjedhjet e 14 majit, ‘Lëvizja Bashkë’ me drejtues Arlind Qorin do të jetë pjesë e garës për ‘Vendoret’. Komisioneri, Ilirjan Celibashi e ka bërë të ditur vendimin në mbledhjen e KQZ.
‘Vendosim regjistrimin e Lëvizjes Bashkë në zgjedhjet vendore të datës 14 maj 2023.’- tha Celibashi.
Më herët, ‘barriera’ që mbante Qorin larg zgjedhjeve të 14 majit, ishte pasi KQZ argumentonte se vendimi i Gjykatës së Tiranës për regjistrimin e ‘Lëvizjes Bashkë’ si subjekt nuk është i formës së prerë dhe nuk është pasqyruar në regjistrin e partive politike. Qori e ka kundërshtuar disa herë këtë fakt, madje çështja kaloi në KAS, por u rrëzua. Duke e cilësuar si akt politik, Qori tha aso kohe se vendimin do ta çonte në Kolegj Zgjedhor.
Ndërkohë, në KQZ u refuzua kërkesa e koalicionit ‘Aleanca’.
Koalcioni ‘Aleanca’ përbëhej nga katër partitë opozitare, Aleanca Demokratike me kryetar Eduart Abazin, Aleanca për Demokraci dhe Solidaritet me kryetar Gaqo Apostolin, Aleanca Barazi dhe Drejtësi Europiane me kryetar Valentino Mustakën si dhe partia për Europianizimin dhe Integrimin e Shqipërisë. KQZ i refuzoi për mosplotësim dokumentesh pas afatit.