Seancat plenare të Kuvendit të Shqipërisë mund të zhvillohen jashtë selisë së Parlamentit. Kjo është lëvizja e radhës e mazhorancës qeverisëse me sa duket për të evituar përplasjet me opozitën joparlamentare në të ardhmen, e cila gjatë sesionit të kaluar ka rrethuar disa herë me militantë e saj Parlamentin, madje duke sulmuar fizikisht edhe deputetët dhe ministrat. Tashmë, deputetët mund të mblidhen në seancë për miratimin e ligjeve dhe për të diskutuar sipas agjendës së vendosur nga Konferenca e Kryetarëve, në vende të ndryshme, ashtu siç mblidhet edhe qeveria. Ky parashikim është reflektuar në vendimin e Kuvendit për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit, vendim i cili është miratuar në seancën e fundit të sesionit të kaluar, 19 korrik 2019, me 106 vota pro. Në krye të Rregullores së Kuvendit është shtuar një pjesë e re, e cila përpos të tjerave parashikon që “Kuvendi ose organet e punës së tij mund të mbajnë mbledhje edhe jashtë selisë së Kuvendit. Konferenca e Kryetarëve cakton vendin kur mbledhja e Kuvendit bëhet jashtë selisë, ndërsa për komisionet/nënkomisionet parlamentare, vendi caktohet nga kryesia e komisionit”. Gjatë sesionit të kaluar, sidomos gjatë periudhës shkurt-qershor, pas Kryeministrisë, Parlamenti ishte epiqendra e protestave të dhunshme të opozitës. Në disa raste, shumica ka zhvendosur orarin e zhvillimit të seanca, për të evituar konfrontimet. Ndërkaq, gjatë ditëve të fundit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka paralajmëruar protesta edhe më të dhunshme, nëse nuk plotësohen kushtet e shpallura për largimin e kryeministrit Edi Rama, qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.
Shtohen masa ndëshkimore
Varianti i ri i Rregullores së Kuvendit shton edhe masat ndëshkimore për deputetët që nuk respektojnë rregullat bazë për standardet e sjelljes, të parashikuara në Rregullore dhe në Kodin e Sjelljes së Deputetit. Në rregullore është shtuar masa disiplinore e heqjes së të drejtës së fjalës. Konkretisht parashikon që “në rast se deputeti vazhdon të përdorë fjalë fyese, diskriminuese, të cenojë personalitetin e drejtuesit të seancës plenare/mbledhjes së komisionit, deputetëve, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, të ftuarve, personave të tjerë, ose kryen shkelje të tjera të parashikuara në nenet 64 dhe 64/1, pasi më parë, në të njëjtën seancë, i është dhënë masa disiplinore e “vërejtjes”, sipas parashikimeve të nenit 64/1 të këtij kreu, drejtuesi i seancës e paralajmëron për “heqjen e të drejtës së fjalës”. Në rast se deputeti vazhdon sjelljen për të cilën është paralajmëruar, me urdhër të drejtuesit të seancës/komisionit i jepet masa disiplinore e “heqjes së të drejtës së fjalës” për seancën plenare/mbledhjen e komisionit për atë ditë. Deputetit nuk i jepet e drejta e fjalës gjatë gjithë kohëzgjatjes së seancës deri në mbyllje të saj. Nëse drejtuesi i seancës plenare/mbledhjes së komisionit nuk konstaton ose nuk vepron me nismën e tij, çdo deputet i pranishëm ka të drejtë të informojë drejtuesin e seancës për të vepruar sipas pikës 1 të këtij neni. Drejtuesi i seancës/mbledhjes së komisionit shprehet menjëherë për këtë kërkesë. Masa disiplinore e heqjes së të drejtës së fjalës pasqyrohet në procesverbalin e mbledhjes”.
Veprimtaria parlamentare
Ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit kanë ripërcaktuar edhe atë që do të konsiderohet si veprimtari parlamentare. Sipas ndryshimeve “deputetët janë në veprimtari parlamentare kur ata marrin pjesë në seancë plenare, në mbledhjet e komisioneve/nënkomisioneve ose të këshillave, në veprimtari brenda ose jashtë vendit ose veprimtari në zonat zgjedhore, duke njoftuar më parë shërbimet përkatëse në Kuvend, si dhe kur janë në mbledhjet e grupeve parlamentare ose në grupe të ndryshme pune të ngritura nga Kuvendi ose nga komisionet. Procedurat dhe kriteret për vlerësimin e pjesëmarrjes së deputetëve në veprimtarinë parlamentare përcaktohen nga Byroja e Kuvendit”, thuhet në rregulloren e re. Gjithashtu “Anëtarët e komisionit duhet të marrin pjesë rregullisht në mbledhjet e komisionit. Kur një anëtar i tij mungon pa shkaqe të arsyeshme për më shumë se tri mbledhje rresht gjatë një sesioni, komisioni mund të vendosë që kryetari i komisionit t’i kërkojë, në seancë plenare, grupit parlamentar përkatës zëvendësimin e anëtarit të komisionit”.
Organizimet vullnetare në Kuvend
Sipas Rregullores së Kuvendit të Ndryshuar deputetët mund të organizohen në grupe vullnetare parlamentare, duke deklaruar qëllimin/qëllimet që synojnë të ndjekin, grupet shoqërore që përfitojnë nga veprimtaria e grupit vullnetar, emërtimin që do të mbajë grupi dhe rregullat e funksionimit të tij. “Grupi vë në dijeni kryetarët e grupeve parlamentare dhe Kryetarin e Kuvendit për qëllimin dhe objektivat e veprimtarisë së tij. Kryetari i Kuvendit miraton me urdhër ngritjen e grupit vullnetar dhe e njofton atë në seancën plenare më të parë. Pas konstituimit, grupi vullnetar parlamentar zgjedh kryetarin, kryesinë, si dhe miraton rregulloren e brendshme të tij. Brenda 30 ditëve nga konstituimi, grupi vullnetar paraqet në Konferencën e Kryetarëve kalendarin e veprimtarive që planifikon të bëjë pjesë të veprimtarisë së Kuvendit. Pas miratimit, kalendari i veprimtarive të grupit, publikohet në faqen zyrtare të Kuvendit. Veprimtaria e grupit vullnetar parlamentar mbështetet nga shërbimet e Kuvendit dhe për të lejohet përdorimi i logos së Kuvendit”.
Kreu i ri i Rregullores së Kuvendit
Neni a/1
Objekti
1. Kjo Rregullore përcakton rregullat e organizimit dhe funksionimit të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, në vijim Kuvendi, për organet drejtuese, mbledhjet e komisioneve dhe seancave plenare, procedurën ligjvënëse, kontrollin parlamentar, monitorimin e procesit për integrimin evropian, zgjedhjen/emërimin/shkarkimin e organeve kushtetuese dhe të institucioneve të krijuara me ligj, interpretimin dhe ndryshimin e Rregullores, imunitetin parlamentar, transparencën dhe shërbimet e Kuvendit.
2. Kodi i Sjelljes së Deputetëve është pjesë e Rregullores.
Neni a/2
Stema, vula dhe logoja e Kuvendit
1. Kuvendi përdor stemën e Republikës së Shqipërisë dhe vulën zyrtare, sipas legjislacionit në fuqi.
2. Logoja e Kuvendit përdoret në mjediset e Kuvendit në dokumente e akte të brendshme, në korrespondenca të deputetit me të tretë, në botime e publikime ose në veprimtari, të cilat organizohen nga Kuvendi.
3. Logoja e Kuvendit dhe rastet e detajuara të përdorimit të saj në dokumentet e brendshme të Kuvendit, si dhe në veprimtaritë parlamentare miratohen me vendim të Byrosë.
Neni a/3
Selia e Kuvendit
Selia e Kuvendit është në Tiranë.
Neni a/4
Mbledhjet jashtë selisë
Kuvendi ose organet e punës së tij mund të mbajnë mbledhje edhe jashtë selisë së Kuvendit. Konferenca e Kryetarëve cakton vendin kur mbledhja e Kuvendit bëhet jashtë selisë, ndërsa për komisionet/nënkomisionet parlamentare, vendi caktohet nga kryesia e komisionit.
( Kliko këtu ) Rregullorja e re e kuvendit e ndryshuar
PO NE BORDELLO A MBLIDHET PER TE KRYER PUNIMET PARLAMENTI SIPAS RREGULLORES SE RE SE ATJE QEVERIA DHE DEPUTETET KANE NJERZIT E AFERT
Përgjigjuvazhdoni se qenin e ngordhur te bashes do gjeni
PërgjigjuKuvendi duhet te mbilidhet edhe tek kodrat e liqenit artificial
Përgjigju