Vladimir Putin

Bota

Lëvizja e Putinit: Një zonë tampon në kufijtë e Ukrainës

23 Maj, 09:11| Përditesimi: 23 Maj, 09:15

  • Share

Putini ka urdhëruar krijimin e një "zone tampon" për të mbrojtur rajonet ruse të Kurskut dhe Belgorodit, që nënkupton pushtimin e një brezi territori ukrainas pranë qyteteve Sumy dhe Kharkiv. Nuk është e qartë nëse deklarata e presidentit, e bërë gjatë një samiti qeveritar, synon të adresojë shqetësimet e shprehura nga guvernatorët e rajoneve kufitare gjatë vizitës së tij të martën në Kursk apo nëse ka për qëllim të justifikojë ofensivën e nisur prej disa ditësh.

Gjatë takimit në Kursk, administratori i distriktit Glushkovsky, Pavel Zolotarev, i kërkoi Putinit të krijojë një zonë tampon kundër inkursioneve ukrainase. Kur presidenti e pyeti se sa e thellë duhet të jetë ajo, Zolotarev thuhet të ketë përgjigjur: "Duhet të përfshijë Sumyn, Rusia duhet të bëhet më e madhe". Qendra e këtij rajoni ndodhet vetëm 25 kilometra nga kufiri dhe ka qenë tashmë e rrethuar pa sukses në fillim të pushtimit. Duhet theksuar se javën e kaluar, gjatë bisedimeve në Stamboll, delegacioni i Kremlinit kërcënoi se do të pushtonte Sumyn pikërisht për të vendosur një “zonë tampon”. Dje Putini u mjaftua të thoshte se qëllimi është "të pengohen të shtënat e artilerisë mbi Rusinë".

A jemi përballë një sulmi të ri të madh në frontin verior? Ushtria e Moskës po zhvillon aktualisht dy drejtime kryesore në atë sektor. Më e gjerë duket ajo që përqendrohet në nyjën midis Kharkiv dhe Donbasit. Tjetra është përqendruar në Sumy dhe është forcuar ndjeshëm në ditët e fundit. Autoritetet në Kiev kanë urdhëruar tashmë evakuimin e 56 mijë civilëve nga zonat që rrezikojnë të shndërrohen në fushëbetejë. Sipas vëzhguesve, Kremlini ka vendosur njësi nga dy divizione të motorizuara dhe një të parashutistëve: një forcë e rëndësishme, por e pamjaftueshme për të rrethuar një qytet me mbi 300 mijë banorë.

Presioni më i madh vazhdon të regjistrohet në Donbas, ku rusët pretendojnë se kanë arritur për herë të parë kufijtë perëndimorë të Donetskut. Lajmi nuk është konfirmuar, por ata janë shumë afër këtij rezultati simbolik. Luftime të ashpra janë duke u zhvilluar për fshatin Bahatyr: ai ndodhet në autostradën që lidh Donetskun me Zaporizhzhian, thelbësore për furnizimin e vijës së mbrojtjes. Ukrainasit e humbën këtë fshat javën e kaluar, por arritën më pas ta rimarrin.

Çdo ditë brigadat e Moskës pushtojnë pozicione të tjera, duke shfrytëzuar epërsinë në njerëz dhe dronë për të zhvilluar valë sulmesh të vogla në pika të veçanta. Plani i përgjithshëm është të ndërpriten lidhjet rrugore, duke u përpjekur njëkohësisht të rrethohen pikat kyçe të mbrojtjes ukrainase, në veçanti Toretsk dhe Pokrovsk. Kushtet e njësive që mbrojnë këto zona po bëhen gjithnjë e më dramatike: shtabi i përgjithshëm në Kiev ka pak rezerva për të dërguar, ndërsa rusët vazhdojnë të çojnë përpara valë këmbësorësh dhe mjetesh, pa u shqetësuar për humbjet. Për sa kohë do të mund të mbajnë këtë lloj lufte? Analistët mendojnë se Moska ka burime për të vazhduar të paktën deri në shtator./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?