Vladimir Putin dje në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë së Federatës

Bota

Lëvizja e Putinit për energjinë bërthamore: Ndaloni armatimet! Shtetet e Bashkuara janë të interesuara

23 Shtator, 09:59| Përditesimi: 23 Shtator, 10:20

  • Share

Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Vladimir Putin nuk merr pjesë, ndryshe nga Volodymyr Zelensky që do të shfrytëzojë rastin edhe për t’u takuar me Donald Trump, por përpiqet gjithsesi të dominojë axhendën duke i propozuar presidentit amerikan shtyrjen me një vit të Traktatit të ri "Start i Ri", marrëveshja e fundit për kontrollin e armëve bërthamore ende në fuqi mes Uashingtonit dhe Moskës, të paktën deri më 5 shkurtin e ardhshëm. Një "ide e mirë" për liderin e Shtëpisë së Bardhë, i cili në fakt do të kishte dashur të nënshkruante një marrëveshje të re për çarmatimin bërthamor që të përfshinte edhe Kinën, dhe i cili tani do të "vendosë për rrugën që do të ndjekë". 

Njoftimi i Putinit erdhi gjatë mbledhjes javore me anëtarët e Këshillit të Sigurisë ruse. Ishte zëdhënësi Dmitrij Peskov që krijoi suspansën e duhur duke paralajmëruar se presidenti rus do të bënte një "njoftim të rëndësishëm". Përpara kamerave, Putin tha se dëshironte ta niste takimin me një çështje "të një rëndësie jetike dhe themelore për mbrojtjen e interesave tona kombëtare, të sovranitetit rus dhe, pa e ekzagjeruar, për garancinë e sigurisë ndërkombëtare në përgjithësi", pra "stabilitetin strategjik" i cili "për fat të keq, vazhdon të përkeqësohet" sidomos "për shkak të veprimeve shkatërruese të Perëndimit, koncepteve të tij doktrinare destabilizuese dhe programeve të tij tekniko-ushtarake të synuara për të minuar barazinë globale dhe për të arritur, ose të paktën për të tentuar të arrijnë, një epërsi absolute dhe dërrmuese".

Premisa ishte kërcënimi i zakonshëm: "Dua ta nënvizoj, dhe askush nuk duhet të dyshojë: Rusia është në gjendje të përgjigjet ndaj çdo kërcënimi ekzistues ose të ri, jo me fjalë, por me masa tekniko-ushtarake". Pastaj dora e zgjatur. Për sa kohë që "ne kemi besim tek besueshmëria dhe efikasiteti i forcave tona kombëtare të frenimit, në të njëjtën kohë nuk jemi të interesuar për një përshkallëzim të mëtejshëm të tensioneve ose për të ushqyer garën e armatimeve", tha Putin, duke u shprehur "gati të vazhdojmë të respektojmë" Traktatin New Start i ri edhe për një vit përtej skadencës së 5 shkurtit 2026. Një masë e zbatueshme "vetëm nëse Shtetet e Bashkuara ndjekin shembullin dhe nuk ndërmarrin masa që kompromentojnë ose shkelin ekuilibrin aktual të kapaciteteve të frenimit", që sipas tij "mund të kontribuojë ndjeshëm në krijimin e një atmosfere të favorshme për një dialog strategjik substancial me Shtetet e Bashkuara të Amerikës".

Traktati, i firmosur në vitin 2010 nga ish-presidentët Barack Obama dhe Dmitrij Medvedev, i detyron Rusinë dhe SHBA-të të mbajnë një limit prej 1,550 kokash strategjike bërthamore dhe 800 raketash dhe bombarduesish. Ai parashikon edhe një mekanizëm verifikimi, por Moska i pezulloi inspektimet dy vite më parë për shkak të tensioneve me Perëndimin pas ofensivës së saj kundër Ukrainës. Për rifillimin e tyre, megjithatë, Putin nuk foli. Propozimi i tij mbetet sidoqoftë "një lëvizje e rëndësishme dhe pozitive", ka vërejtur drejtori i “Arms Control Association” me seli në Uashington, Daryl G. Kimball. Por për ekspertë të tjerë, oferta e Putinit nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për ta larguar Trump nga ndërtimi i të ashtuquajturit “Golden Dome”, një mburojë gjigante kundërraketë, dhe për t’i bërë qejfin të paktën dëshirës së tij për "denuklearizim", pasi ai ishte shprehur "i zhgënjyer" nga mungesa e progresit drejt paqes në Ukrainë dhe nga inkursionet e fundit ruse në Poloni e Estoni.

Përballë propozimit në dukje pajtues, Putin megjithatë nuk ka asnjë qëllim të heqë dorë nga përshkallëzimi ushtarak në Ukrainë, i bindur siç është se asgjë nuk do ta shtyjë Trump të rrisë në mënyrë të ndjeshme ndihmën ushtarake amerikane për Ukrainën, e aq më pak të ndërhyjë drejtpërdrejt. Një bindje që, sipas burimeve pranë Kremlinit të cituara nga Bloomberg, është forcuar në takimin e 15 gushtit në Anchorage, Alaska. Jo rastësisht që nga ajo kohë Rusia ka intensifikuar sulmet e saj në Ukrainë. Dhe një grafik i përpiluar nga “Wall Street Journal” tregon se të gjitha sulmet ajrore më masive ruse të vitit janë zhvilluar një ose dy javë pas bisedimeve mes Putinit dhe Trumpit. "Taktikat e fundit të Moskës — përfundon Bloomberg — theksojnë se sa shumë sinjalet e moderimit që vijnë nga Uashingtoni po e inkurajojnë Kremlinin të vazhdojë një luftë konsumimi të synuar për të imponuar lëshime mbi Ukrainën. Zyrtarët rusë mendojnë se kjo strategji potencialisht mund të dobësojë mbrojtjen e Kievit dhe gjithashtu të vendosë bazat për negociata të ardhshme". Asgjë tjetër veçse frenim./La Repubblica

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?