Foto Ilustruese

Lëvizja e rëndësishme/ Zhbllokohet KLP, hapet gara për kryeprokurorin e ri

7 Nëntor 2018, 07:51| Përditesimi: 7 Nëntor 2018, 08:00

  • Share

Është tejkaluar më në fund edhe pengesa e fundit, e cila i hap rrugë zgjedhjes së kryeprokurorit me mandat të plotë 7-vjeçar si dhe ngritjes së organeve të reja të drejtësisë, konkretisht Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Inspektoriatit të Lartë i Drejtësisë, organe të cilat do të pasojnë me ngritjen e Byrosë Kombëtare e Hetimit, Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatave Speciale. Bllokada lidhej me mungesën e një kandidati për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

Tashmë Prokuroria e Përgjithshme ka konfirmuar se Prokurori i Apelit për Krimet e Rënda, Bujar Sheshi, i plotëson kushtet si kandidat për anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Relacioni i Prokurorisë hap zyrtarisht procedurat për ngritjen e KLP, organ i cili do të sjellë disa zhvillime të rëndësishme zinxhirë në sistemin e drejtësisë.

Pikësëpari, konstituimi i KLP do të hapë procesin për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri ose të konfirmimit në detyrë të kryeprokurores aktuale të përkohshme, Arta Marku. Neni 35 i ligjit Nr. 97/2016 për organizimin dhe funksionimin e Prokurorisë parashikon që Këshilli i Lartë i Prokurorisë, pas një procedure përzgjedhëse, i paraqet Kuvendit tre kandidatët për kryeprokuror.

Sipas Kushtetutës së ndryshuar, Kuvendi ka afat 30 ditë për të zgjedhur kryeprokurorin me 3/5 e votave. Nëse Kuvendi nuk e zgjedh dot brenda këtij afati, kandidati i renditur i pari nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë shpallet i emëruar. Kuvendi, me vendim Nr. 115/2017, ka vendosur që zonja Arta Marku do të kryejë përkohësisht detyrën dhe funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm. Mbetet për t’u parë nëse zonja Marku, e vendosur në shënjestër të sulmeve të PD-LSI prej 10 muajsh, do të kandidojë për një mandat 7-vjeçar në krye të organit të akuzës.

Përbërja e KLP  

Këshilli i Lartë i Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë. Gjashtë prej anëtarëve të Këshillit janë prokurorë nga të gjitha nivelet e prokurorisë. Pesë anëtarët e tjerë të Këshillit janë juristë joprokurorë, të përzgjedhur nga radhët e avokatëve, të pedagogëve të drejtësisë dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Pesë anëtarët joprokurorë janë zgjedhur nga Kuvendi. Ata janë Tartar Bazaj, Nurihan Seiti (Metaj), Gent Ibrahimi, Sandër Beci dhe Alfred Balla. Ndërkaq, Prokurorja e Përgjithshme do të thërrasë në ditët në vijim mbledhjen e përgjithshme të prokurorëve të të gjitha niveleve për të zgjedhur 6 anëtarët prokurorë të KLP në radhët kandidatëve prokurorë, të cilët kanë kaluar me sukses procesin e Vetingut.

Kandidatët janë Arben Dollapaj, Bujar Shehi, Anila Leka, Antoneta Sevdari, Besnik Muçi, Dritan Prençi, Gentjan Osmani, Kostaq Beluri dhe Vat Staka. Disa prej tyre do të konfirmohen automatikisht si anëtarë të KLP për shkak se nuk ka kandidatë të tjerë në pozicionin e tyre. Kjo trupë prokurorësh dhe joprokurorësh do të rendisin një listë me tre kandidatë për kryeprokuror, duke ia paraqitur Kuvendit.

Kushti ligjor   

Prokurori Sheshi ishte i vetmi që kandidoi për fazën e dytë të KLP-së, futja në garë e të cilit nxori nga ngërçi organin në fjalë, pasi i mungonte një kandidat nga Prokuroria e Apelit, i përcaktuar si kusht në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Për shkak të moskandidimit, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku e hapi dy herë garën për prokurorët.

Gara e parë dështoi sepse nuk pati asnjë kandidaturë, ndërsa gara e dytë rezultoi e suksesshme pikërisht për shkak të kandidimit të prokurorit të vetëm Bujar Sheshi. Kandidimi i prokurorit të Apelit të Krimeve të Rënda, Bujar Sheshi, erdhi vetëm pak ditë pas konfirmimit të tij në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, konkretisht më 24 tetor.

5 anëtarët e zgjedhur për KLP

  1. Tartar Bazaj
  2. Nurihan Seiti (Metaj)
  3. Gent Ibrahimi
  4. Sandër Beci
  5. Alfred Balla

Kandidatët për 6 vende vakante në KLP

  1. Arben Dollapaj
  2. Bujar Shehi
  3. Anila Leka,
  4. Antoneta Sevdari
  5. Besnik Muçi
  6. Dritan Prençi
  7. Gentjan Osmani
  8. Kostaq Beluri
  9. Vat Staka

Komento

Komente

  • Petrefi: 27/01/2019 09:11

    Po nuk coi pas hekurave Sali Kriminelin vrasesin e Gerdecit dhe 21 Janarit per mua Arta Marku nuk e meriton ate post.

    Përgjigju
  • Donela: 07/11/2018 15:09

    Bravo,i uroj shume suksese znj.Arta Marku,teper e pergatitur dhe e vendosur.

    Përgjigju
    • Adrian: 09/11/2018 20:14

      Bravo

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?