Kronikë

20 vjeç “terrorizoi” Tiranën me vjedhje me dhunë, sot 30-vjeçari kapet me armë në brez (PAMJET)

3 Shtator, 10:17| Përditesimi: 3 Shtator, 16:07

  • Share

TIRANË – Forcat Shqiponja ndaluan në rrugën “Ibrahim Rugova” në Tiranë një të dyshuar, duke lëvizur në këmbë me armën që e mbante në brez. Kur i vunë prangat dhe i morën armën, pistoleta ishte me fishekë në fole. Nuk dihet ende se çfarë veprimi kriminal do të bënte i riu, i përgatitur për të bërë qitje.

Nga verifikimet, i ndaluari, rezultoi të jetë Silvester Sylaj, me banim në Tiranë, dhe i lindur në Vlorë, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe vjedhje me dhunë në kryeqytet. Ndaj dhe operacioni u kodua “Again” (Përsëri).

Në 2015-ën, 10 vite më parë, kur ishte vetëm 20 vjeç kishte rënë sërish në prangat e policisë. Të paktën 8 vjedhje të dhunshme nën kërcënimin e armës, po në kryeqytet, mbanin autorësinë e tij. Në atë kohë, në banesë policia i gjeti armë, një automatik, maskë dhe armë të ftohta, mjete me të cilat kryente grabitjet.

Sipas policisë 10 vite më parë, i riu kishte vjedhur nën kërcënimin e armës në 2 vende pune, në një furrë buke, 40 mijë lekë dhe në një pikë lojërash fati, mbi 32 mijë lekë të rinj.  Në ditë të ndryshme, por me afërsi kohore të 10 viteve më parë, ka vjedhur në 3 banesa, shuma parash dhe bizhu. Në dy episode të tjera ka vjedhur pasqyrat dhe kasetofonë nga automjetet e parkuara. Në një vjedhje, të 1 gushtit 2015, Silverster Sylaj, kërcënoi me sëpatë një person në rrugë duke i vjedhur 10 mijë lekë dhe celularin.

Ndërkohë në aksionin e kësaj të mërkure, forcat e posaçme “Shqiponja” arrestuan edhe mikun e tij, 35-vjeçarin Erjon Tafilaku, i cili e shoqëronte Sylajn. Ai akuzohet për moskallëzim krimi.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Again”. Lëvizte i armatosur me pistoletë me fishek në fole, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 30-vjeçari, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje dhe për vjedhje me dhunë.  Vihet në pranga dhe shoku i tij, për moskallëzim krimi. Sekuestrohet pistoleta me municion luftarak.   

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e siguruara për një shtetas që lëvizte i armatosur, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Again”.  

Gjatë operacionit, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë në rrugën “Ibrahim Rugova”, shtetasin S. S., duke lëvizur me këmbë, me 1 armë zjarri pistoletë me fishek në fole, që e mbante në brez.  

Në vijim të veprimeve procedurale, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 arrestuan shtetasit: S. S., 30 vjeç, banues në Tiranë, me precendent të theksuar penal dhe E. T., 35 vjeç, i cili shoqëronte 30-vjeçarin. 

K.M/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?