Shëngjin - Një 21-vjeçar ka rënë në prangat e policisë pasi lëvizte në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit, me armë zjarri me fishek në fole gati për qitje.
Gjatë momentit të ndërhyrjes së policisë Klaudio Vuksani tentoi të largohej.
Blutë sekuestruan armën tip “Scorpion”, municion luftarak, 2 celularë, 1 automjet dhe 1 motomjet.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, bazuar në të dhënat e siguruara për një shtetas që lëvizte me armë zjarri, në Shëngjin, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Siguria”.
Gjatë operacionit, në shëtitoren e plazhit të Shëngjinit, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar shtetasin K. V., që po mbante një armë zjarri. Në momentin e ndërhyrjes së Policisë, ai ka tentuar të largohet, por është kapur dhe neutralizuar.
Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 1 armë zjarri automatike tip “Scorpion”, me fishek në fole, dhe 2 krehra me municion luftarak për këtë armë.
Në vijim të veprimeve, shtetasi K. V., 21 vjeç, banues në Lezhë, u arrestua në flagrancë për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.
Komente
