Lewis Hamilton mungoi të premten në testet për gomat në 'Mugello' (Itali), pasi po qëndron pranë qenit të tij, Roscoe, i cili është në gjendje shumë të rëndë shëndetësore pas një arresti kardiak. Kampioni anglez i Ferrarit tregoi se kishte kaluar “disa orë të tmerrshme” dhe iu kërkoi ndjekësve të luteshin për shërimin e Roscoe.
Roscoe, i cili ka 1.3 milionë ndjekës në Instagram, përshkruhet në profilin e tij si "një bulldog vegan që i pëlqen të udhëtojë dhe të luajë me top". Ai shihet shpesh me Hamiltonin në gara.
Qeni i Hamilton ka 12 vite që është pranë shtatë herë kampionit të Formula 1, teksa ka akreditim zyrtar nga FIA për të qenë pranë pistës. Me kalimin e viteve dhe pranë Hamilton, ai është bërë një figurë e njohur në botën e Formula 1 dhe anglezi e cilëson si 'pjesë të familjes'.
Në një postim në Instagram, Hamilton shpjegoi: “Ju lutem, mendoni për Roscoe. Ai u prek përsëri nga pneumonia dhe i vështirësohej frymëmarrja. U shtrua në spital dhe i dhanë qetësues, por gjatë procesit zemra iu ndal”.
Ai shtoi se mjekët arritën ta rikthenin në jetë, por tani është në koma: “Nuk e dimë nëse do të zgjohet. Nesër do të përpiqen ta zgjojnë. Jam pranë tij dhe dua t’ju falënderoj për lutjet e mbështetjen”. Postimi u shoqërua me foto prekëse të Hamilton pranë Roscoe, pas intubimit të këtij të fundit, si pasojë e arrestit kardiak.
Në intervista të shumta, Hamilton ka theksuar se si qeni i tij i siguroi stabilitet emocional gjatë momenteve më të vështira të karrierës së tij në Formula 1. Roscoe madje mori kredenciale zyrtare për të hyrë në pista, një privilegj ekskluziv i dhënë shumë pak kafshëve shtëpiake në botën e sporteve motorike.
Hamilton me qenin e tij
Komente
